Si u emetuan 4 huatë shtetërore për zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës

491
Sigal

Skema “joshëse” e fitimprurëse e obligacioneve në Shqipërinë e viteve 1949-1957!

Praktika e emetimit të bonove dhe obligacioneve do të përdorej edhe pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Me 14 korrik të vitit 1949 qeveria komuniste do të emetonte një hua shtetërore për zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës në vend; veprim që do të aplikohej edhe tre herë të tjera. Huaja e dytë do të emetohej me 29 janar të vitit 1952, e treta me 1 mars të vitit 1953 ndërsa e katërta me 7 mars të vitit 1955. Interesi do të ishte i njëjtë, 4 %. Totali i 4 huave të emetuara arrinte në thuajse 1.6 miliardë lekë. Në vitin 1956, përmes një dekreti, qeveria do të vendoste të konvertonte 4 huatë për zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës, në një hua të vetme. Në momentin e bashkimit të huave, qeveria kishte shlyer vetëm një pjesë të borxhit të emetuar dhe kishte mbetur pa shlyer 1 miliard e 450 milionë lekë.

Me qëllim që të thjeshtësohet shërbimi ndaj mbajtësve të obligacioneve të huasë së parë, huasë së dytë, huasë së tretë dhe huasë së katërt shtetërore për zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe të thjeshtësohet e të përmirësohet administrimi i këtyre huave, autorizohet Këshilli i Ministrave që të konvertojë në një hua të vetme të katër huarat. Huaja shtetërore, e kontrolluar do të përfshijë vleftën e obligacioneve të katër huarave që bashkohen dhe që nuk janë shlyer gjer më sot, shuma e të cilave arrin në 1.450.000.000 lekë. Afati i shlyerjes së huasë caktohet baras me afatin mesatar të katër huarave, që është 15 vjet. Obligacionet e katër huarave shtetërore, që konvertohen, çkëmbehen me obligacionet e huasë së konvertuar me vleftë të barabartë. Afati i këmbimit caktohet nga 1 janar 1960 gjer me 31 gusht 1960. Pranohen për këmbim të gjitha obligacionet që kanë ruajtur karakteristikat kryesore të tyre. Obligacionet gjysma çkëmbehen për gjysmën e vleftës, me përjashtim të obligacioneve me vleftë prej 50 lekë. Obligacionet që kanë ruajtur me pak se gjysmën nuk kanë vleftë dhe nuk pranohen për çkëmbim vecse kur ruajnë numrin e serisë dhe të obligacionit. Obligacionet e huasë së konvertuar që fitojnë në llotaritë e fitimit dhe të shlyerjes dhe nuk paraqiten në Arkat e Kursimit gjatë 15 vjetëve duhet të paraqiten për t’u paguar gjer me 31 dhjetor 1957. Pas kësaj date obligacionet nuk paguhen” shkruhej në dekretin Nr.2927, datë 13.7.1956.

Skema “joshëse” e fitimprurëse e obligacioneve

Huaja shtetërore për zhvillimin e ekonomisë dhe kulturës emetohej për 20 vite. Obligacionet e huasë ishin prej 1000, 500, 100 dhe 50 lekë. Skema e zgjedhur për këto hua ishte një skemë sa fitimprurëse aq edhe motivuese për qytetarët. Veç fitimeve vjetore prej 4 % që merrte secili që kishte blerë obligacione, kishte mundësinë e tërheqjes së menjëhershme të investimit dhe fitimit nëse rezultonte fitues në lotarinë që organizohej. Plani i huasë parashikonte organizimin e lotarive përmes të cilave 1/3 e obligacioneve do të shlyheshin përmes lotarisë ndërsa 2/3 sipas vleftës së tyre nominale. Ai që fitonte në lotari, merrte fitimin dhe konsiderohej I shlyer menjëherë. Fitimet e lotarisë ishin në masën 100.000 lekë, 50.000 lekë, 25.000 lekë, 10.000 lekë, 5000 lekë dhe 1000 lekë për obligacionin bazë prej 500 lekë. Gjatë 20 viteve të kohëzgjatjes së huasë, parashikohej organizimi i 40 lotarive fitimi dhe 15 lotarive shlyerje.  Fitimet dhe të ardhurat nga huaja shtetërore përjashtoheshin nga çdo tatim e taksë.

Kreshnik Kuçaj