Si shpëtova nga kampi i internimit nazist dhe i shërbeva kulturës së Bregut gjithë jetën

988
Sigal

Agron MEMA

Interviste me të mbijetuarin e kampeve të përqendrimit nazist, regjisorin Janaq Boçi

I ka kapërcyer të 90 vitet e moshës dhe ndjehet mirë fizikisht e mendërisht. Dy herë në javë vjen nga Lukova ku banon në qytetin e Sarandës. Energjik dhe i palodhur, me plot humor karakteristik që e shpreh si një artist. Është Janaq Boçi apo “i madhi Boç” siç i thërrasin të gjithë në Lukovë dhe fshatrat e Bregut. Sot gëzon edhe vlerësimin nga ish-komuna e Lukovës dhe kryetari i saj Vladimir Kumi si “Qytetar Nderi” i kësaj komune me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në jetën artistiko-kulturore dhe folklorike të Zonës së Bregdetit. Për ruajtjen e traditës së folklorit, punën e jashtëzakonshme si regjisor për ngritjen e grupeve teatrale e folklorike në çdo fshat dhe edukimin e brezave”. Ecim sokakëve të kalldrëmta të Lukovës për në shtëpinë ku banon regjisori në lagjen ‘Ndelat’, në shtëpinë ku lindi dhe banon gjithë jetën. Ai rri i heshtur në ballkonin e shtëpisë dhe sodit mbrëmjet joniane me perëndimin magjik të perëndimit të diellit. Ai bosht i zjarrtë diellor që përflak detin e mrekullon, e çlodh dhe kafja e buzëmbrëmjes më shumë i shijon. Mes atij boshti të zjarrtë dhe brigjeve përcillet tek artisti malli i fëmijëve që janë në emigrim. Vështrimi tretet, mendimet fluturojnë të qeta me vitet e tyre mbështjellë me nostalgjinë, por edhe me krenarinë se ka bërë gjithë sa mundi në jetë për kulturën brenda asaj hapësire që i lanë, sepse mundësitë i kish të mëdha. Por në fund të fundit aq deshën, aq u dha. Ndryshe rrezikoje kokën. Këtë mendim e gjen si një mënyrë ngushëllimi për atë që kish pasur mundësi dhe nuk e bëri dot. Përzhitja dhe tretja e diskut të diellit në ujërat joniane, aroma e agrumeve, tek-tuk edhe ndonjë blegërimë qengji a keci me tinguj të zbehta këmbore, përhumbja e peizazhit ngadalë në prehrin e errësirës së natës që po vjen, ja bëjnë magjike këto momente artistit Naqe Boçi. Në tryezë kafja është ftohur. Kohën ja kanë marrë mendimet. Gruaja, e mësuar me këtë ves përhumbjeje në meditime të të shoqit, e shikon dhe buzëqesh. Artisti përmendet. Te porta kanë ardhur miq. Shikon kafen e ftohur, uron mirëseardhjen miqve, shikon nga gruaja dhe me buzëqeshje kërkon të shfajësohet për kafen e harruar pa pirë, se artistët kështu e kanë, po u futën në botën e tyre mos u fol, as bukë nuk duan e kujtohen të hanë. Rrotull kafes shohim edhe fleta me piktura dhe skica që vet artisti i hedh në letër frymëzimet e çastit. Fillojmë bisedën me të. Është një jetë gati shekullore. Ka parë e dëgjuar shumë. Pa internimin nazist, masakrën naziste të Hondrovunit, punën dhe përpjekjet për ngritjen e kulturës pas Luftës dhe shumë e shumë të tjera që i sjell në këtë bisedë ekskluzive për gazetën “TELEGRAF”.

Mjeshtër, si nisi jeta juaj si regjisor?

Faleminderit! Qysh në rreshtat partizane e deri sa dola në pension. Po jam i lumtur se do gëzoj edhe unë një pjesë të vogël në vënien e gurit themeltar të artit dhe kulturës së bregdetit. Them kështu se pjesa më e madhe u takon amatorëve, atyre që më nderuan dhe më kanë përkrahur me talentet e tyre, që vunë gurët e parë qysh në mars të vitit 1943-it. Simbol drite i pashuar. Gjithmonë e më tepër më kujtohen ato kohë të vështira ku edhe ne si të rinj donim të bënim diçka për ditët që po agonin. Ishte kohë lufte edhe në fshatin tim në Lukovë dhe shkonin e vinin partizanë. Qe viti 1943. Edhe partizanët ishin djem të rinj dhe flisnin bukur për Shqipërinë si zhdukjen e varfërisë dhe okupatorëve të huaj. Edhe ne të rinj , në një moshë më të re me ta ishim dhe nuk mund të shkonim në luftë. Po kur erdhi në fshatin tonë komisar Mustafa Matohiti dhe bëri një mbledhje në Shën e Premte, na tha se dhe neve mund të luftonim për popullin, por ndryshe, nëpërmjet shfaqjeve teatrale. Ndaj them se jam pjesë e luftës partizane. Të jepnim shfaqje teatrale që flisnin për luftën e popullit tonë dhe të popujve të botës që luftonin kundër fashizmit. Kjo gjë na gëzoi shumë. Pranuam. Vetë Matohiti na dha një pjesë teatrale që bënte fjalë për Luftën. Grumbulluam disa të rinj dhe filluam menjëherë nga puna. Nuk dinim të interpretonim, por ai kishte parë disa shfaqje në Sarandë disa vjet më përpara dhe e mori me shumë zell këtë punë.

Dhe kur e dhatë shfaqjen e parë, mjeshtër?

Shfaqja e parë u dha për fshatarët e Lukovës në shkollën e fshatit. Ajo u pëlqye shumë. Unë bëra punën e regjisorit si dhe interpretim të ndonjë roli. U gëzuam së tepërmi dhe morëm krah. Mirëpo gjatë operacionit të qershorit, një pjesë e anëtarëve të grupit teatral u internuam në kampet e përqendrimit. Vetëm kur u çlirua vendi dhe u kthyem gjallë rifilluam përsëri nga aktiviteti. Ish-i burgosuri politik, Arsen Lazri solli dramën “Qemal Stafa”. Filluam menjëherë nga puna për ta vënë në skenë. Ndër amatorët e parë mund të përmend Aleks Lazrin, Mitro Jani, Leo Mërtiri, Kiço Mërtiri, Ndërsa nga vajzat Aleksandra Prifti, Aleksandra Kocaqi dhe Areti Gjika. Për përgatitjen e skenave dhe të kostumeve na ndihmonte këshilli popullor, por edhe vet fshatarët me dhënien e produkteve bujqësore që siguronim të ardhura. Drama pati sukses dhe u dha në shumë fshatra të bregut deri në Rrëzomë. U shfaq edhe për batalionin territorial partizan. Disa nga aktorët u bënë pjesë e këtij batalioni. Grupit të tyre artistik ju emri i dëshmorit “Qazim Pali”. Aktiviteti teatral fillon dhe rritet. Vumë në skenë drama të plota si “Kampi i shfarosjes”, “Petriti”, “Spitali partizan” etj. Kur u krijua kooperativa u emërova përgjegjës i sallës së leximit.

Meqë përmendët kooperativën, çfarë mendoni për kolektivizimin?

Shiko! Qenë kushte të vështira të një sistemi të ri që u instalua në gjysmën e botës. Po për fshatarin tonë, për gjendjen ekonomike të tij, shpronësimi qe katastrofike, kjo jo vetëm shpirtërore, por edhe kombëtare. Sepse shikojmë pasojat edhe sot. Ishte pikërisht kjo varfëri që u trashëgua dhe u thellua më tej me kolektivizimin, ndaj dhe sistemi tek investimi i kulturës, si element i fuqishëm i propagandës. Por arti lind nga shpirti dhe është ushqim i tij. Dhe për një shpirt të drobitur të fshatarit të asaj kohe i duhej ky ushqim të harronte sado pak hallet dhe fukarallëkun. Dhe u investua shumë në art dhe u arrit shumë. Pavarësisht se qe propagandë e partisë në pushtet, por vlente një shfaqje, një mbrëmje tematiko-letrare, një premierë apo variete. Estradë apo koncert, konkurse e konkurrime të ndryshme. Ajo rini e donte me forcën e shpirtit artin dhe jepte maksimumin për të arritur nivele cilësore, sidomos ai shpirt gare në konkurrime do të mbetet i veçantë. Ajo sedër për të arritur rezultatin, zor se vjen më. Të lodhur e të rraskapitur nga puna në brezare, po vinin pa përtesë në prova. Qenë të vëmendshëm e të disiplinuar. Se pa këtë nuk ka art. Mos u mundo kot, asgjë nuk ke në trastë.

A jeni vlerësuar me çmime, mjeshtër?

Kemi pasur suksese e jemi vlerësuar me çmime të rëndësishme në shkallë kombëtare. Kështu drama “Komunistët” konkurroi në Olimpiadën Teatrale të Gjirokastrës dhe u nderua me Çmimin e Tretë. Me dramën “Gjaku i popullit” morëm Çmimin e Dytë, ndërsa me dramën “Përleshja “ u nderuam me Çmim të Parë në Olimpiadën Kombëtare të Teatrit ku asistonin edhe dramaturgë e aktorë nga vendet e Demokracive popullore. Një regjisor rumun u shpreh pas shfaqjes sonë, se kishte parë afro 2000 pjesë skenike, por si kjo shfaqje nuk kishte hasur. Në mënyrë të veçantë u vlerësua roli i Shegës nga Valentina Mërtiri etj. Kemi pasur përgëzime dhe nga ministria e Kulturës së asaj kohe. Më dërguan tek “Rruga e dritës” si regjisor ku përgatisja shfaqje për vullnetarët.

Po më pas, mjeshtër?

U emërova drejtor i shtëpisë së kulturës, Sarandë ku kryeja dhe punën e regjisorit. Ndaj meje u mbajt qëndrim klasor, sepse martesa me Valentinën, e cila kish babain të arratisur u dha shkak për këtë. Vijova si përgjegjës kulture në kooperativa dhe më pas i NB-Lukovës deri sa dola në pension. Ngritëm grupet folklorike në çdo fshat dhe arritëm të konkurronim në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.

Mjeshtër, diku më lart përmende se një pjesë e grupit tuaj u internua nga nazistët. Ishit ju njëri prej tyre?

Po isha, si nuk isha. Qe 23 qershori i vitit 1944. Erdhën gjermanët nëpër shtëpi dhe na mblodhën me duart lart të gjithëve. Ishim rreth 40 veta. Na morën para duke shkuar monopateve se qenë shkatërruar urat. Fillimisht na shpunë në Llaman të Himarës. Pastaj na shpunë në fshatin Shën-Vasil. Aty hoqën nga Shën-Vasili dhe Nivic-Bubari 41 veta dhe i pushkatuan në një kodër, Hondrovun të Shën-Vasilit. Neve të tjerëve prej andej na morën dhe na shpunë në Delvinë.

I pe me sy pushkatimet në Shën-Vasil?

-Po, po, isha. Po jo se do më pushkatonin mua. Po isha dhe i pashë. I vunë të hapnin dhe një kanal vetë dhe aty i vranë. Isha dhe i pashë kur u pushkatuan 41 veta nga Shën-Vasili dhe Nivicë-Bubari. Siç thashë na shpunë në Delvinë. Aty vjen një autokolonë gjermane dhe na morën e na çojnë në Janinë. Pas ca ditësh ikëm drejt Larisës në Selanik. Në Selanik na seleksionuan. Neve që ishim të huaj na mbajtën aty. Po punonim njësoj si të tjerët, si grekët e lirë, pa lekë, se justifikonim bukën që hanim.

Sa veta ishit në Selanik?

-Shumë dhe nga shumë kombësi. Nga të gjitha vendet që kish pushtuar gjermani.

Si ju trajtonin?

-Shumë keq. Shumë keq. Kishim një kuti nga ato të mishit që na i mbushnin me lëng, vetëm me lëng…Dhe një bukë për 8 veta.

Vrisnin?

-Po. Vrisnin nga 40 veta. Vrasja bëhej çdo të premte të javës. I vrisnin në vendin e quajtur, Kamel.

Si shpëtuat ju?

-Po kapitulloi gjermani. U çlirua Greqia dhe vendet e tjera të pushtuara prej tij. Na lanë të lirë. Ikëm me këmbë dhe, më 20 nëntor 1944 erdha në shtëpi dhe fillova aktivitetin që thamë.

Ju faleminderit mjeshtër Boçi!

-Asgjë! Ju faleminderit dhe juve dhe gazetës.