Si nisi konflikti që i mori jetën 55-vjeçarit, Luan Hushin e gjetën të plagosur, por nuk i mbijetoi dot plagëve. Autori i dyshuar i njohur për historinë e rrezikshme

145
Sigal

Konflikti mes komshinjve për territor të një hapësire pyjore, të cilën e përdornin për dru zjarri ka degjeneruar në përdorimin e armëve, ku për pasojë njëri prej tyre mbeti i vrarë.

55-vjeçari i identifikuar si Luan Hushi është vrarë paraditen e së mërkurës (10 gusht) në Fushë-Krujë. Mësohet se ai është qëlluar me kallashnikov nga fqinji i tij, Klodian Keqi, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe po punohet për arrestimin e tij.

Sipas burimeve nga Policia, vrasja paraprakisht dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të vjetra për një pyll në fshatin Zgërdhesh të Fushë-Krujës.

Kanë qenë banorët e zonës që kanë dëgjuar të shtënat e armës dhe kur janë afruar kanë gjetur të plagosur rëndë bashkëfshatarin Luan Hushi, të cilin e transportuan drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet, por pak minuta më vonë 55-vjeçari ndërroi jetë.

“Rreth orës 09:45, në fshatin Zgërdhesh, Krujë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi L. H, rreth 55 vjeç, është plagosur me armë zjarri nga shtetasi K.Q, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbime të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe sekuestrimin e të gjitha provave me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha Policia, e cila nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Menjëherë në vendin e krimit shkuan forca të shumta policie ku menjëherë si autor të dyshuar identifikuan Klodian Keqin. Pavarësisht përpjekjeve, ende nuk është bërë e mundur kapja e tij, ndërsa dhjetëra forca të policisë prej orësh janë duke krehur zonën.

Burimet bëjnë me dije se dy bashkëfshatarët prej kohësh kishin konflikte me njëri-tjetrin e ndërsa mëngjesin e së mërkurës, Keqi kishte parë që 55- vjeçari Hushi ndodhej në zonën e pyllëzuar ku ishte afruar për të sqaruar edhe debatet që ata kishin me njëri-tjetrin.

Por në vend që të merreshin vesh, situata është tensionuar dhe Keqi qëlloi me kallashnikov në drejtim të Hushit, duke e plagosur rëndë.

Keqi nuk është një person i panjohur për Policinë e Krujës. Klodian Keqi, rezulton me precedentë të mëparshëm penal. Në vitin 2010, Keqi së bashku me vëllanë e tij kanë tentuar të vrasin një person tjetër, shtetasin Mustafa Daci.

Shkak është bërë një konflikt i vjetër që kanë pasur familja Keqi dhe Daci më parë për çështje pronësie. Mes tyre kishte pasur edhe më parë përplasje, por në 2010 dy familjet patën shkëmbim me armë zjarri në mes të rrugës.

Nga shkëmbimi me armë në atë kohë mbetën të plagosur Mustafa Daci dhe vëllai i Klodianit, Jetmir Keqi./Panorama