Si ndikon Covid-19 në gjendjen psikologjike? Sociologu: Vetmia, një nga arsyet e vetëvrasjeve

251
Sigal

Pak orë pasi një tjetër pacient i shtruar në “Shefqet Ndroqi” i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga ballkoni i spitalit Covid 2, sociologu Zyhdi Dervishi, në një intervistë televizive ka treguar se si ndikon Koronavirusi në gjendjen psikologjike të qytetarëve.

Sipas profesorit, “Pandemia ka përforcuar në mënyrë të përshpejtuar atë që në proceset sociologjike quhet “procesi i atomizimit të shoqërisë”. Pra, njerëzit individualizojnë shumë mënyrën e tyre të jetesës. Largohen nga njëri-tjetri, funksionojnë si atome të pavarura”.

Dervishi shtoi se, vetmia është një nga arsyet që i çojnë njerëzit drejt vetëvrasjes.

“Vetmia është një nga arsyet. Sa më shumë të rritet shkalla e mënyrës individuale të jetesës aq më shumë kanë prirje njerëzit të kryejnë vetëvrasje. Për shembull, në vitet 1945-90, në vendet e Lindjes koeficienti i vetëvrasjeve ka qenë më i ulët se në vendet e Perëndimit. Koeficienti llogaritet me numrin e vetëvrasjeve për 100 mijë banorë. Ndërsa vitet e fundit, koeficienti i vetëvrasjeve në vendet e Lindjes është shumë më i lartë se në Perëndim. Lituani ka numrin më të lartë për 2019, sipas statistikave botërore, rreth 31.9. Më i lartë te burrat me 58,9 dhe më i ulët te gratë me 9.5. SHBA-të e ka diku te 16.3. Pra, në këto vende, përfshirja në një ekonomi tregu shumë të vrullshme, krijimi i shumë tensioneve, shumë kontradiktave, shumë konflikteve, largimi nga njëri-tjetri bëri që koeficienti i vetëvrasjeve të rritet shumë”, tha profesor Dervishi.

A është shqetësuese kjo që po ndodh në spitalet Covid? Mendoni se duhet të ketë trajtim psikologjik për pacientët? – u pyet sociologu.

Zyhdi Dervishi: Flitet shumë për rolin e psikologëve. Unë nuk e mohoj rolin e tyre, është shumë i rëndësishëm. Por unë mendoj se, çështja e edukimit është një çështje që nuk i përket vetëm psikologëve. Është një çështje mbarëshoqërore.

Shumë shqiptarë, të rinj, të reja, fëmijë mbarojnë universitetin dhe nuk kuptojnë kush janë. Nuk janë vetvetja, nuk e kanë provuar veten përballë vështirësive.

Covidi është një pandemi botërore, por bota nuk është përballur vetëm me këtë pandemi. Gripi spanjoll i vitit 1918 ka marrë më shumë se 21 milionë jetë njerëzish. Fatmirësisht jemi larg këtyre shifrave. Urojmë të stopohet situata, të mos kemi më. Ç’ka ka ikur ka ikur. Na vjen keq për ata që kanë ikur por njerëzit duhet të përgatiten shpirtërisht për të përballuar çdo sfidë”.

Sipas Dervishitedhe në kulturën fetare ka gjëra që mund të përdoren për edukimin e qytetarëve.