Si e mbylli qeveria skandalin e dixhitalizimit?

473
Propaganda e bujshme dhe e ashpër e “Rilindjes” në 8 vitet e opozitës dhe sidomos gjatë fushatës elektorale maj-qershor 2013, shoqëruar me “betimin” e bërë përpara shqiptarëve se qysh në ditën e parë të qeverisjes, do të “shkuleshin” gjithë kontratat e paligjshme, monopoliste e klienteliste koncesionare” dhe se “do të çoheshin përpara drejtësisë, gjithë shtetarët dhe zyrtarët e çdo niveli, që kishin firmosur e vulosur koncesionet korruptive ekonomike-financiare në aeroporte, porte, shëndetësi, arsim, tregje, kulturë, naftë, pyje, bujqësi, ushqim, miniera, teknologji e licenca televizive, ujëra, mjedis, diplomaci, dogana, tatime, banka, inerte, ndërtim HEC-e, energji, monumente kulturë, parkingje publike, ilaçe, libra shkollorë, shërbime qeveritare e deri në monopolin e tenderëve të larjes së çarçafëve të materniteteve dhe ushqimit në azilet e pleqve! Në 8 vitet e ish-qeverisjes “Berisha”, u dhanë në mënyrë klienteliste e në formë monopoli 1607 licenca koncesionesh, nga të cilat 288 koncesione me fuqi “monopol”. Një nga këto krime financiare, vlerësuar edhe me vendim gjykate “100% antiligjor, korruptiv e klientelist” ishte dhe është tenderi i ndërtimit të 2 rrjeteve dixhitale të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për kalimin e transmetimeve audiovizive nga analoge, në numerike. Ky tender, i çuar në prokurori prej 2 deputetëve të PS Taulant Balla e Alfred Dalipi, me denoncimin “Krim me vjedhje 23 milionë euro nëpërmjet prokurimeve, bërë nga ministri Pollo”, shoqëruar me një dosje speciale ekspertësh të ish-opozitës (PS), prej 2 vitesh parti në pushtet (absolut), nuk rezulton të quhet më “krim”, por “arritje e madhe”. Madje është konkretizuar nga qeveria “Rilindja” si “tender i rregullt e i leverdishëm dhe ligjor në fuqi”, duke bërë nënshkrim marrëveshjeje koncesionare me firmën e shpallur “fituese” nga ish-ministri Pollo! 
Skandali/18 muaj pas akuzës, “Rilindja” ka tërhequr akuzën “Pollo”, duke e quajtur “Ligjore, pa abuzime”
Çfarë ka ndodhur me dosjen e tenderit “Pollo”? Cili ka qenë dhe është qëndrimi i “Rilindjes” në këto 30 muaj pas denoncimit të bërë në prokurori dhe 24 muaj pas “uljes” në kolltukët e pushtetit? Përse 16 muaj pas denoncimit (nëntor 2014), qeveria “Rilindja” e tërhoqi në mënyrë të fshehtë e urgjente nga prokuroria, akuzën me dosjen “Pollo” dhe e deklaroi këtë tërheqje 10 ditë pasi u zbulua skandali? Çfarë “fuqie” ndikoi tek “Rilindja”, që tenderi “Pollo” u bë realitet me marrëveshje zyrtare me “pazare të reja”, mes qeverisë shqiptare dhe firmës së shpallur “fituese”, me shkelje të plotë të ligjit dhe me pikë vlerësimi e fundit në renditje? Fakti është ky: 5 ditë më parë, në kuadër të dekriminalizimit, sipas deklarimit të kryeprokurorit Llalla që “Në shtator 2015, do të hapen dosjet korruptive të shtetarëve”, prokuroria e rihapi dosjen “Pollo” të tenderit për dixhitalizimin e operatorit publik TVSH, me fond prokurimi 20 milionë euro, me objekt “Financimin, dizajnimin, instalimin, trajnimin dhe transmetimin e frekuencave në një sistem dixhital (DVB-T2)”. Dosja ka si palë paditëse PS, sot parti në pushtet. Por PS, ose qeveria “Rilindja”, ndërsa 16 muaj rradhazi pas ardhjes në pushtet (nëntor 2014) bëri lojëra “ping-pongu” me deklarata për mos hapjen e dosjes “Pollo”, më 5 nëntor 2014, urdhëroi ministren e Inovacionit Milena Harito (vazhduesen e Pollos), të deklaronte publikisht në një intervistë televizive në “Ora News”, se tenderi “Pollo” ishte në fuqi dhe se do të realizohej me ato kushte e atë firmë fituese që ka shpallur “fituese” ish-ministri Pollo”. Sipas burimeve të gazetës “Telegraf” dosja e skandalit “Pollo” me akuzën për tenderin 23 milionë të dixhitalizimit të transmetimeve të RTSH është tërhequr në mënyrë të fshehtë me “urdhër nga lartë” në fund muajit shtator 2014, prej deputetëve të PS Taulant Balla e Alfred Dalipi, si depozitues denoncues, të kësaj dosjeje në prokurori në datën 3 maj 2013! Kujtojmë, që argumenti bazë i akuzës së ish-opozitës PS, është fakti që ministri Pollo ka inskenuar dhënien e tenderit të dixhitalizimit me abuzim për firmën klienteliste gjermane, që në përcaktimin dhe publikimin e afateve të procedurave tenderuese, të cilat ishin me mos përputhje të tilla, aq sa datat e pranimit të ofertave ishin caktuar 10-15 ditë pas përfundimit të tenderit e po kështu, shpallja e fituesit u bë pasi gjykata ishte shprehur për anulimin e tenderit dhe fitues ishte shpallur firma që kishte marrë më pak pikë! Kjo “histori” dihet dhe gjendet në dosjen që ka rihapur prokuroria. Ajo që nuk ka shpjegim është fakti, që 16 muaj pas ardhjes në pushtet dhe betimit për të çuar këtë dosje përpara drejtësisë, kjo akuzë tërhiqet po nga denoncuesja “Rilindje” dhe tenderi quhet prej saj: “Me procedurë, dokumentacion dhe fitues ligjor të rregullt”? 
Sigal