Si e grabiti ish-juristja e Hipotekës pronën publike me vlerë 22 mln lekë

393
VLORË – Ish-juristja e Hipotekës në Vlorë kishte një plan të detajuar për grabitjen e një prone publike me sipërfaqe 2500 m2, vlera e të cilës arrin në 22.5 milionë lekë të reja. Por, “plani” i saj i nisur në vitin 2002 është zbuluar pasi pronarët e tokës publike aplikuan për leje ndërtimi në vitin 2011.
Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim shtetasen Odeta Harizaj, ish-juriste në Hipotekën (ZVRPP) e këtij qyteti dhe shtetasin Krenar Tartaraj, të akuzuar për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale” që lidhet me tjetërsimin e një prone publike me sipërfaqe 2500 m2 në lagjen “1 Maji” të Vlorës dhe më pas ia kanë shitur disa personave të tjerë në vlerën e 22.5 milionë lekëve të reja.
Hetimi i Prokurorisë së Vlorës, i cili ka nisur në bazë të kallëzimit të një qytetari, ka arritur të provojë se në bazë të një serie të gjatë dokumentesh të falsifikuara, ish-jurista e ZVRPP e ka regjistruar këtë pronë në vitin 2002 në emër të dy shtetasve, të cilët nuk janë realë. Më pas, këta dy shtetas që nuk ekzistojnë, ia kanë shitur pronën për 1.5 milionë lekë të reja kunatit (burrit të motrës së juristes).
Nga hetimi, rezultoi se kunati i të pandehurës Odeta Harizaj nuk kishte dijeni për dokumentin e shit-blerjes dhe kjo u vërtetua edhe nga fakti se në kontratën fiktive nuk kishte nënshkruar ai në krah të emrit të tij, por kishte nënshkruar e pandehura Harizaj.
Në vijim, po në bazë të dokumenteve të falsifikuara, kjo pronë u është shitur dy personave nga Delvina, të cilët gjithashtu nuk kishin asnjë dijeni se emri i tyre ishte i përfshirë në një transaksion të tillë në Vlorë.
Më tej, rezulton se, po në bazë të dokumenteve të falsifikuar, në vitin 2011, këta dy shtetas nga Delvina kanë caktuar si përfaqësues të tyre për shitjen e kësaj prone shtetasin Krenar Tartaraj, nëpërmjet një prokure të përgjithshme.
Edhe në këtë rast, rezultoi se prokura në emër të Krenar Tartaraj ishte e falsifikuar, nisur nga ekspertiza e firmave, si edhe nga fakti fillestar që dy shtetasit nga Delvina nuk ishin përfshirë në një veprim të tillë juridik dhe, aq më tepër të ishin pronarë dhe të shisnin këtë pronë në Vlorë. Po ashtu, rezulton se shtetasi Tartaraj është mik i familjes së të pandehurës Odeta Harizaj.
Gjithsesi, nga hetimi rezulton se Krenar Tartaraj, në cilësinë e përfaqësuesit të shtetasve nga Delvina, ua ka shitur këtë pronë dy personave të tjerë, në shumën 22.5 milionë lekë, të cilat, sipas kontratës, u janë dhënë jashtë zyrës noteriale dy shtetasve nga Delvina. Në të vërtetë, këto para, të paktën dy këste me nga 7 milionë lekë të reja secili, i janë dhënë shtetases Odetar Harizaj.
Blerësit e fundit të kësaj prone, në vitin 2011 aplikuan për marrjen e lejes për shesh ndërtimi dhe ndërtimin e një objekti 6-8 kate. Kjo leje është revokuar në vitin 2013 nga ana e Bashkisë së Vlorës, në kuadër të një hetimi që kishte filluar Prokuroria e Vlorës në atë kohë për një numër të madh lejesh ndërtimi, për të cilat kishte dyshime se ishin përfituar në bazë të dokumenteve të falsifikuar. Për një pjesë të atyre lejeve, Prokuroria e Vlorës ka dërguar në gjykim disa raste.
Sa i përket pronës, për të cilën janë marrë të pandehur shtetasit Odeta Harizaj dhe Krenar Tartaraj, me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka miratuar sekuestron preventive në muajin Mars 2015.  
Sigal