Shumica e linjave ajrore mund të falimentojnë deri në maj. Qeveritë duhet të ofrojnë ndihmë

343
Sigal

Aviacioni global ka marrë një goditje të fortë nga shpërthimi i koronavirusit, për shkak të kufizimeve të shumta të udhëtimeve, ndërsa shumë kompani ajrore do të kenë nevojë për ndihma qeveritare brenda disa javësh, ose do të përballen me falimentimin.

Tre aleancat më të mëdha ajrore globale, Oneworld, SkyTeam dhe Star Alliance, u kanë kërkuar qeverive të “vlerësojnë të gjitha mjetet e mundshme” për të ndihmuar industrinë. Ata përfaqësojnë më shumë se 58 nga transportuesit kryesorë në botë. Disa linja ajrore europiane kanë lëshuar thirrje urgjente për ndihmë.

Sipas CAPA, Qendrës për Aviacionin, shumica e linjave ajrore në botë do të falimentojnë deri në fund të majit nëse qeveritë nuk ndërhyjnë.

“Nevojitet veprim i koordinuar i qeverisë dhe industrisë tani, nëse duhen shmangur katastrofat”, thuhet në një raport të CAPA.

Shkalla e krizës u thellua të hënën kur transportuesi më i madh me kosto të ulët (low-cost) në Europë, Ryanair tha që do të shkurtonte pjesën më të madhe të flotës së tij në 7 deri në 10 ditët e ardhshme.

Lufthansa, e cila zotëron transportuesit kombëtar në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Belgjikë, tha që linjat ajrore të këtij grupi janë në diskutime me qeveritë e tyre përkatëse në lidhje me “marrjen e një mbështetje aktive të qeverisë nëse kjo bëhet e nevojshme”. Një nga filialet e saj, Austrian Airlines, po pezullon përkohësisht të gjitha fluturimet, duke filluar nga 19 marsi.

American Airlines (AAL) ka deklaruar se do të zvogëlojë kapacitetin e saj ndërkombëtar me tre të katërtat në mes 16 marsit dhe 6 majit.

United Airlines tha se do të përgjysmojë kapacitetin për muajt prill dhe maj, ndërsa Delta do të zvogëlojë kapacitetin me 40 për qind muajt e ardhshëm, shkurtimi më i madh në historinë e kompanisë.

Qeveritë tani po përballen me një kërkesë nga kompanitë ajrore për ndihmë financiare. Grupi tregtar i linjës ajrore amerikane bëri një kërkesë për një ndihmë shtetëroe me vlerë rreth 50 miliardë dollarë të hënën.

Edhe kompania Norwegian Air ka deklaruar në fillim të kësaj jave se do të “anulojë gradualisht” pjesën më të madhe të fluturimeve të saj dhe përkohësisht do të pushojë 90% të forcës së saj të punës, ose rreth 7.300 njerëz.

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror IATA tha javën e kaluar se linjat ajrore do të kenë nevojë për “masa emergjente për të kapërcyer krizën”, duke u kërkuar qeverive të marrin në konsideratë shtrirjen e linjave të kredisë, uljen e kostove të infrastrukturës dhe lehtësimin e taksave, shkruan CNN.

Shumica e linjave ajrore më të mëdha në botë kanë njoftuar ulje dramatike në orare. Punonjësve u është kërkuar të marrin leje vullnetare pa pagesë, ndërsa drejtuesit e lartë kanë marrë ulje pagash, përballë krizës më të keq të aviacionit në histori.