“Shullazi”/ Saimir Tahiri merret në pyetje në Prokurori. Pas tij shkon një tjetër ministre

685
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda sot rreth orës 10:45, ndërsa do të japë deklarime në lidhje me dosjen e Emiljano Shullazit, në lidhje me ngjarjen e kërcënimit të rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule, në prill 2016.
Ndryshe nga sa jemi mësuar ta shihnim me kostumin zyrtar të ministrit, Saimir Tahiri u shfaq sportiv në hyrje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai zbriti nga makina e tij, i shoqëruar vetëm me badigardin. Ish-ministri u pa të ngjiste më pas shkallët krejt i vetëm, pa shoqërimin e ndonjë avokati, siç raportoi edhe gazetarja Klodiana Lala.
Fill pas tij për të dëshmuar pritet të shkojë edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, për të treguar çfarë di në lidhjem e kërcënimin e dy akademikëve prej Emiljano Shullazit dhe grupit të tij gjatë në kulmin e zgjedhjeve në Universitet.
Më herët u mor në pyetje edhe kreu i policisë së Tiranës Ervin Hodo.

Koni u kërcënua në muajin prill të 2016-ës që të tërhiqej nga gara për rektor në UT, jashtë një hoteli në Tiranë, ndërsa rastin e denoncoi në policinë e Tiranës, e më pas ka marrë kontakte me drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj. Ky i fundit bashkë me dy rektorët Koni dhe Kule kanë shkuar në zyrën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ku kanë shpjeguar ngjarjen që u kishte ndodhur. Tahiri u ka premtuar rektorëve angazhimin e Policisë për zbardhjen e ngjarjes. Të njëjtin premtim bëri për ta edhe Lindita Nikolla.

Kujtojmë se Emiljano Shullazi u arrestua në mesin e muajit prill 2017, pasi ish-kryeministri Sali Berisha publikoi kërcënimin që u ishte bërë rektorëve Mynir Koni dhe Dhori Kule. Në mbrëmje të po asaj dite Prokuroria e Krimeve të Rënda firmosi urdhërarrestin për Shullazin e miqtë e tij Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin me akuzën e katër rasteve të gjobëvënies ndaj biznesmenëve.
Sigal