Shukri Xhelili, sërish në gjykatë për fshehje të pasurisë

593
Një muaj pasi la burgun, ku vuajti dënimin me 1 vit e 8 muaj për “marrëdhënies seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën”, ish-kryebashkiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, i duhet të shkojë sërish në gjykatë, me akuzën e “mosdeklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë”, ndërsa rrezikon një dënim deri në tre vjet. Në një njoftim për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme, bëhet e ditur se Prokuroria e Dibrës kishte mbyllur hetimet dhe dërgoi për gjykimin dosjen e Xhelilit, i cili ishte kallëzuar nga ILDKPI (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit) për fshehjen e 34 mijë eurove. “Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Dibrës, rezultoi se i pandehuri nuk justifikon me dokumente zyrtare kontratën për blerjen e një apartamenti në Durrës, me vlerë 34.000 euro, në emër të djalit të tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë. Xhelili pretendon se blerja e apartamentit nuk ishte deklaruar pasi ishte bërë me kontratë kleringu e shërbimi mes kompanisë së të birit dhe kompanisë së ndërtimit, por thotë se djali gabimisht kishte vënë emrin e tij në kontratë dhe jo atë të kompanisë. Ndërkohë thotë se nuk e kishte deklaruar apartamentin pasi ai ende nuk ishte hipotekuar. “…duke mos pasur një titull pronësie, hipotekën, nuk e kam deklaruar në deklaratën e paraqitur pranë ILDKP-së, për më tepër me këtë kompani akoma nuk janë përfunduar të gjitha punimet më shërbimin që i janë ofruar”, i ka thënë ai prokurorisë gjatë marrjes në pyetje. Por Prokuroria e Dibrës thotë se prej hetimeve të kryera prej saj rezulton se apartamenti ishte blerë me para dhe se Xhelili dhe i biri duhej ta kishin deklaruar atë. “…me procesverbalin e këqyrjes të datës 26.06.2017 është administruar kopje e kontratës së sipërmarrjes datë 18.02.2014, për ndërtimin e apartamentit me sipërfaqe 91.78 m2 ndodhur në plazh, kundrejt shumës prej 34 000 eurosh ndërmjet shoqërisë “T…C…” dhe porositësit “Ervis Xhelili”. Në nenin 3 të kontratës thuhet: “1. Shuma totale e apartamentit objekt porosie është 34.000 euro. Pagesa për këtë apartament objekt porosie është bërë si më poshtë: Shuma e mësipërme është likuiduar totalisht nga porositësi cash në dorë duke mos pasur asnjë lloj detyrimi ndaj njëri tjetrit”, njoftoi prokuroria.
Sigal