Shtrenjtohet çmimi i ujit për kryeqytetin

641
Duke filluar nga 1 janari kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të ujit të pijshëm për kryeqytetin. Gjatë muajit nëntor, Enti Rregullator i Ujit miratoi kërkesën e Këshillit Bashkiak të Tiranës për rritjen me 20 lekë/m3 të tarifës për abonentët familjarë, duke e çuar në 65 lekë/m3. Gjithashtu, sipas vendimit, që mban datën 7 nëntor, institucionet buxhetore do të paguajnë 140 lekë /m3, duke u rritur me 20 lekë/m3, ndërkohë që entet private do të tarifohen me 155 lekë/m3 nga 135 lekë /m3 që paguajnë aktualisht. Megjithatë, ERRU nuk ka marrë në konsideratë propozimin e Këshillit Bashkiak për këto 2 kategori, duke e rritur më pak se kërkesa. Ndërkaq, çmimi ka mbetur i pandryshuar për furrat e bukës, që tarifohen me 95 lekë/m3 dhe për HEC Lanabregas që ka mbetur në nivelin e 5 lekë/m3. Ndryshim të tarifës nuk ka pësuar as kategoria e klientëve të veçantë, ku bëjnë pjesë prodhuesit e pijeve alkoolike, pijeve freskuese, pishinave, etj., të cilët do të tarifohen me 170 lekë për/m3, ndonëse nga Këshilli Bashkiak u kërkua që kjo kategori të tarifohej me 235 lekë/m3. Ndërkaq, Enti ka miratuar kërkesën për rritjen edhe të tarifës fikse që paguajnë të gjitha kategoritë e mësipërme, duke e çuar në 200 lekë në muaj, nga 100 lekë që është aktualisht. Pavarësisht rritjes së çmimit të ujit, shumë qytetarë janë të detyruar të blejnë çdo ditë ujë të pijshëm. Kjo e rëndon koston mujore për çdo familje.
Sigal