Shtohen parullat antigreke në Durrës

610
Sigal

Nuk është përdorur vetëm fjalori fyes, por edhe është sharë politika filogreke dhe filoserbe e qeverisë shqiptare

Në qytetin e Durrësit këtë fund viti është vënë re nga qytetaret një shpërthim parullash antigreke. Megjithëse, edhe para një viti kur u ndezën polemikat mbi ujërat e jugut që pretendonte shteti grek, parullat e tilla u vunë re në shumë mure dhe deri tek Kisha Ortodokse, ato u fshinë me bojë dhe nga fotot e sjella vihet re se parullat e reja janë rishkruar pranë atyre që ishin shkruar dhe më parë dhe që më pas ishin fshirë me bojë nga punonjësit e Bashkisë së Durrësit. Në sheshin e rezistencës antifashiste, ku ndodhet edhe busti i “Heroit të Popullit” Mujo Ulqinaku, mbi gardhin rrethues të ish-hotelit turistik “Vollga” janë rishfaqur këto parulla, por edhe më tej nuk është vënë në përdorim vetëm fjalori fyes ndaj shtetit grek, por edhe është sharë politika filogreke dhe filoserbe e qeverisë shqiptare. Ndërsa  një vit e gjysmë më parë, irritimi për vendimin për të bëre regjistrimin e popullsisë mbi baza etniko fetare, censusin dhe rihapjen e përfolur për marrëveshjen e ujërave të jugut, të cilësuar si skandaloze deri në shkelje kushtetuese, bëri që në qytetin e Durrësit të rriten ndjenjat antigreke. Për këtë janë shkruar edhe parulla të ndryshme antigreke si ajo që po paraqesim e datës 23 gusht 2011. Një nga  parullat më të mëdha rreth 6 m gjatësi është shkruar në afërsi të zonës bregdetare. Parulla, e cila me pas u lye me bojë jeshile, ishte bërë me boje të kuqe në afërsi të monumentit të heroit të luftës kundër fashizmit Mujo Ulqinakut dhe Torres Veneciane, në një gardh metalik rrethues tek ish hotel ‘Vollga” e dikurshme… Parullë mbi Shqipërinë etnike është shkruar edhe në faqen e murit përballë  Kishës Ortodokse të Durrësit. Megjithëse duket se edhe ajo është e rishkruar mbi një sipërfaqe muri të fshirë. Ndërsa në një sipërfaqe tjetër është sulmuar politika e shtetit duke kërkuar në të “Shqiptarizëm” dhe duke vënë në pah se kemi 100 vjet nën ndikimin “shqiptaro-grek”. Një person refugjat në Greqi, tha se për këtë janë vetë grekët që i nxisin shqiptarët. Qoftë edhe në mënyrë indirekte pasi edhe në pikën kufitare të Kakavijës greket kanë shkruar një parullë antishqiptare që shkruan në faqet e murit të doganës greke, ndërtesë shtetërore, se “Këtu është jugu i Epirit të Veriut”. Pikërisht në afërsi të kufirit shtetëror të Shqipërisë.

 At Nikolla Marku

Kleriku i njohur At Nikolla Marku tha dje për “Telegraf” se në kërkimin e të drejtave njerëzore, shqiptarët janë në të drejtën e tyre dhe në të drejtën e Zotit. Ky kërkim i të drejtave nuk duhet bërë me provokime, me konflikte, por me arsye. Shqiptarët vazhdimisht e kanë treguar veten se janë qytetarë të denjë të Europës, se dinë të respektojnë të drejtat ndërkombëtare. Në këtë kontekst duhen kërkuar edhe të drejtat tona të mohuara. Por unë u bëj edhe një lexim tjetër përullave që janë shfaqur në Durrës: Fakti që ato janë shkruar dhe vendosur para kishës ortodokse, e ka një domethënie. Domethënia në këtë rast duhet kuptuar si një protestë kundër Anastas Janullatosit, I cili ka uzurpuar Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare prej 20 vjetësh dhe punon në dëm të interesave të shqiptarëve. Shkurt, shqiptarët kanë të drjtë të kërkojnë largimin e këtij antishqiptare ngaKisha jonë Autoqefale.

Tahir Muhedini

Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini tha mbrëmë për “Telegraf” se parullat antigrke që janë shkruar në Durrës, janë një shenjë proteste ndaj të drejtave të mohuara ndaj popullsisë shqiptare në Greqi. Por edhe ndaj politikave jot ë drejta për respektimin e të drejtave elementare njerëzore. Natyrisht, PDIU nuk është për ndryshimin e kufijve, por për respektimin e të drejtave elementare njerëzore, të cilat në mënyrë sistematike mohohen nga shteti helen. Një nga këto të drejta është njohja e pronave, është shenjtëria e pronës që na mohohet nga shteti grek. Si mund të pranojnë shqiptarët të diskriminohen në këtë mënyrë, në një kohë që po synojmë integrimin në familjen europiane. Për më tepër, këtë diskriminim na i bën një vend anëtar i BE-së.  Nga ana tjetër, nuk mund të harrohet gjenocidi gjysmëshekullor që grekët ushtruan ndaj popullsisë çame.Por unë e ritheksoj, ne jemi kundër ndryshimit të kufijve shtetërorë.