Shtetrrethimi/ Policia po mbush arkën e shtetit, 340 mijë euro gjoba

87

Dy javët e fundit të marsit dhe 5 ditët e para të prillit, policia gjobiti në total rreth 2654 qytetarë për shkelje të kufizimeve të parashikuara për pandeminë koronavirus.

Shifrat e publikuara nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tregojnë se vëtëm për dy javë: nga data 16 e deri më 31 mars, qytetarët, por edhe bizneset që nuk kanë respektuar vetëkarantinimin dhe masat e qeverisë, janë gjobitur në një total prej 41 milionë e 710 mijë lekë, ose e thënë ndryshe rreth 340 mijë euro.

Përgjatë 5 ditëve të para të prillit, policia ka gjobitur 654 persona me masë 10 mijë lekëshe. Mes tyre edhe një i kthyer nga vendet e prekura me Covid-19 gjatë javës së fundit u gjobit me 700 mijë lekë.

Gjatë kësaj jave, në total u gjobitën edhe 24 njësi tregtare dhe u morën masa pezullimi. Raportit të ministrit të Brendshëm i mungojnë shifrat e bllokimeve të 753 automjeteve dhe biçikletave. Krahas trendit të lëvizjes së qytetarëve, ana tjetër e medaljes tregon edhe masën e konsiderueshme të parave që po arkëtohen në buxhetin e shtetit./ A2