Bido LUZATI
Shteti legalizon ligjërisht krimin financiar, fal vjedhjen e 191 miliardë lekëve të taksave publike
Nëse “Vetingu” po trajtohet si proces, tani duhet të nisë si urgjencë, për të shkatërruar bandën që po komandon financat shqiptare
– Përse nuk merren nën hetim shtetarët dhe zyrtarët që kanë shkaktuar këtë humbje ndaj shtetit dhe ata që sot e falin këtë krim të rëndë me vlerë sa buxheti i 45 bashkive kryesore?!
– Me këtë ligj, u falën hajdutët që nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit, shumica e të cilëve që kanë 95% të detyrimeve të falura, kanë lidhje me drejtues të shtetit e politikës!
Bëhet ligj, skenari i kupolës së “Rilindjes” për faljet e detyrimeve fiskale doganore, tatimore e gjoba, i “gatuar” qëllimisht prej ministrit Arben Ahmetaj, si burim përfitimi antiligjor dhe shmangie ndaj detyrimeve financiare ligjore për bizneset e veta, të ortakëve të tij koncensionarë, të bizneseve të kolegëve e miqve të tij deputetë, ministra, shtetarë, politikanë, drejtues bashkie, prefekturash, qarqesh, ambasadorë, familjarë, krushq, shokë, biznesmenë e deri biznese mafioze të paligjshme, të cilët kanë zhvilluar aktivitet jashtë sistemit fiskal shtetëror, të lejuar nga vetë horrat e shtetit. Dje, në parlament, ministri Ahmetaj, mbrojti me “histerizëm e përbetimin” se “lehtësonte popullin” dhe kërkoi votimin e ligjit të faljes së detyrimeve miliarda lekë. Në fakt, përpëlitjet e tij për të përligjur ligj-krimin që paraqiti në parlament, treguan se ministri i impulseve telefonike të fshatrave, nuk mbronte shtetin por u prezantua si përfaqësues i grupeve të interesit që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj shtetit dhe tashmë, këto u hiqen nga “defteri i borxheve ndaj shtetit”! Thuhet, se përfitojnë 410 mijë subjekte biznesi, kur fakti është ky: Përfituesit e shumtë janë vetëm 5% e vlerës së falur. Ndërsa 95% e vlerës, u falet vetëm 200 bizneseve, të cilët nuk kanë paguar detyrimet dhe gjobat doganore, që nga koha kur abuzimet e tyre lejoheshin dhe favorizoheshin prej ish-Kryedoganierit dhe ish-zv/ministrit Arben Ahmetaj, sot Ministër i Financave që po ua fal detyrimet, mes tyre edhe detyrimet e bizneseve të tij, të cilat pas gradimit “ministër i “Rilindjes”, i bashkoi formalisht me një koncesion import-eskport-tregtimin e duhanit dhe të analizave mjekësore! Kjo falje ligjore është një krim shtetëror, që ndalon zbardhjen dhe ndëshkimin e krimit financiar me vlerë 91 miliardë lekë evazion dhe abuzim financiar, prej biznesesh që nuk janë aktivitete tezga rrugësh, por biznese “VIP” që kontrollohen ose zhvaten nga shtetarët! Ligji me objekt “Për Pagesën dhe Fshirjen e Pjesshme të Detyrimeve Tatimore dhe Detyrimeve të Pagueshme në Doganë, si dhe Procedura e Heqjes nga Qarkullimi të Automjeteve të Transportit pas Fshirjes së Detyrimit Tatimor” është një skandal që duhet hetuar e ndëshkuar si krim i paramenduar kundër buxhetit të shtetit dhe taksave publike, me synim përfitimet e disa individëve dhe grupeve me pushtet e me lidhje interesi me shtetarë të zhytur në biznese, ortakëri e afera korruptive. Lidhur me këtë skandal mbron hajdutët dhe mos-zbatuesit e ligjit, të cilët bëjnë biznes të pisët duke mos shlyer detyrimet tatimore e doganore ndaj shtetit, kanë reaguar bizneset që i paguajnë rregullisht këto detyrime fiskale, madje edhe duke u kërcënuar me burgosje nga “Rilindja”. Me ligjin “Ahmetaj”, u falën hajdutët që nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit, shumica e të cilëve që kanë 95% të detyrimeve të falura, kanë lidhje me drejtues të shtetit e politikës!
Përse nuk ndëshkohen ata që lejuan vjedhjen, evazionin dhe gjobat 191 miliardë lekë
Po bëhet disa pyetje logjike, që nga dita e djeshme kur ligji i ministrit biznesmen abuzator në miliarda lekë përmes disa shërbimeve publike, “hermistit” Arben Ahmetaj, u miratua siç e kishte formuluar ai dhe shefi i tij i “Rilindjes”.
-Kush e lejoji këtë “gropë të zezë” financiare në buxhetin e shtetit?
-Cilët i kanë drejtuar doganat në kohën e këtij krimi financiar gjigant, që amnistua dhe ku gjenden sot ata që kanë drejtuar institucionet fiskale të atyre viteve?
-A përfiton Ministri Ahmetaj, shokët, ortakët, “miqtë” dhe “mikeshat” e tij të koncesioneve e bizneseve të mëdha?
Ja disa nga ata, që përfitojnë prej krimit financiar që shkaktoi dhe amnistoi shteti
1. Fshihen detyrimet fiskale përfshirë principalin, kamatë-vonesën dhe gjobën, për periudhat përpara Dhjetor 2010, për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara në këtë ligj;
2. Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për periudhën 2011-2014 me kushtin që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit të paguhet e plotë tatimi/taksa/tarifa/kontributi.
3. Fshihen me të njëjtat kushte e detyrimeve tatimore qendrore dhe vendore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë.
4. Fshihen e gjobat dhe kamatëvonesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore me kushtin e pagesës së kontributit, nisur nga fakti se ky është një kontribut që I është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si I tillë duhet paguar në buxhet për qëllim e të sigurimit të detyrueshëm dhe përfitimit të pensionit.
5. Fshihen gjobat e gjeneruara nga sistemi në mënyrë automatike për deklarimin e kontributeve, pavarësisht periudhës së cilës i përkasin (ato gjoba që qytetarët e mbajnë mend, në qershor 2016 kur u kalua në sistemin informatik të plotë dhe automatik “online”.
6. Hiqen detyrimet që faturojnë, për automjetet, pas çregjistrimit të mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim deri më dhjetor 2011, si dhe shuarjen e çdo lloj detyrimi për këto mjete. Për mjetet e transportit, të cilat nuk hiqen nga qarkullimi parashikohet shuarja e detyrimeve tatimore për periudhat para 2010 dhe fshirja e gjobave dhe kamatë-vonesave për periudhat 2011-2014, me kusht pagesën e detyrimeve 2011 e në vijim.
7. Fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.