Shqiptaro-Amerikani u arrestua 2 orë para protestave

625
Sigal

Bashkëshortja e Xhelollarit: Nuk ka ndodhur kurrë që im shoq të humbasë arsyen 

KORÇË- Mëngjesin e së enjtes, lagjja “Gjon Buzuku” e qytetit të Korçës u gdhi me një lajm që sakaq u përhap ndër të gjithë banorët e kësaj lagjeje. Ishte arrestuar njëri prej kryefamiljarëve të kësaj lagjeje, shqiptaro- amerikani, Petrit Xhellollari, 59 vjeç. (Nënshtetësinë amerikane e kishte përfituar gjatë qëndrimit të tij bashkë me familjen si emigrant në këtë shtet. Kjo familje vazhdon të jetojë atje që prej shumë vitesh, ende edhe sot e kësaj dite). Shkak për arrestimin e Xhelollarit u bë një akuzë e ngritur nga ana e kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, i cili e akuzonte për kanosje për shkak të detyrës. Edhe ky fakt e kishte bërë lajmin më të ndjeshëm. Gjatë muajit të fundit, Petrit Xhelollari po interesohej në vazhdimësi pranë bashkisë së Korçës për shtëpinë që do t’i prishej nga ana e këtij institucioni për shkak të një rruge që do të ndërtohet në këtë lagje. Shtëpia e Xhelollarit nuk është e vetmja që do të prishet; 28 familje do të kenë të njëjtin fat, ndaj edhe këtë lajm ata e pritën gjithë trishtim. Pak ditë më parë, 28 kryefamiljarët deklaruan në media se nuk do të dalin nga shtëpia veçse të vdekur, por tashmë me arrestimin e Xhelollarit shqetësimi mes tyre është rritur edhe më tepër. Ata ishin të gatshëm të shprehnin opinionet e tyre, por pa u identifikuar, pasi prishja e shtëpive dhe dëmshpërblimi ende i papaguar i mban të ndrydhur brenda vetes.

 Akuza e Filos

Gjithashtu, po kaq shpejt, mëngjesin e së enjtes, u mësua edhe fakti se akuza ishte ngritur nga Sotiraq Filo për kanosje për shkak të detyrës, por që të gjithë donin të dinin, cila kishte qenë forma e kanosjes; ishte kërcënuar verbalisht, me armë apo me ndonjë mënyrë tjetër, sepse askush prej tyre nuk e besonte që Xhelollari të kishte mbërritur në këtë gjendje. Sipas banorëve të lagjes, Xhelollari njihej si një njeri i qetë dhe i kulturuar që nuk i kapërcente kurrë kufijtë e mirësjelljes. Ndërkaq, komunikata për shtyp e Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës bënte të ditur se: Më datë 10.12.2014 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Petrit Xhelollari, vjeç 59, banues në 5, pasi ka bërë kallzim shtetasi S.F, banues në lagjen 2, (me detyrë Kryetar Bashkie Korçë), i cili deklaron se për shkak të detyrës është kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga shtetasi i mësipërm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, neni 238 i Kodit Penal”. Ky ishte njoftimi i policisë, ndërsa shprehja se Xhelollari e kishte kërcënuar kryetarin e Bashkisë në mënyrë të vazhdueshme, ishte një habi tjetër për banorët e Lagjes nr. 5, ose siç njihet ndryshe rruga “Gjon Buzuku” . Gjithsesi, ata nuk kishin asnjë arsye të hidhnin dyshim mbi kryetarin e bashkisë Sotiraq Filo, sepse shpresojnë shumë që Prokuroria të hedhë dritë mbi të vërtetën.

 Nuk do të ndahemi mirë! 

Megjithatë, sipas burimeve të sigurta të gazetës “Telegraf”, u mësua fakti se ditën e mërkurë, në drekë, Petrit Xhelollari i kishte shkuar në zyrë kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo për të biseduar edhe një herë mbi mundësinë ose jo të prishjes së shtëpisë dhe për masën e dëmshpërblimit, pasi ajo çka ishte ofruar nga Bashkia konsiderohej një vlerë mjaft e ulët. Nuk dimë si kishte lindur realisht konflikti mes dy personave të përmendur më sipër, por sipas pretendimeve të kryebashkiakut Sotiraq Filo, Petrit Xhelollari në një moment të caktuar i kishte thënë: “Nuk do të ndahemi mire!”. Kjo kishte qenë një nga arsyet që Filo të kërkonte ndihmën e policisë dhe në të njëjtën kohë të ngrinte padi kundër Xhelollarit. Fill pas kësaj, policia e Korçës ishte vënë në lëvizje. Ndërkaq, sipas burimeve të sigurta të “Telegrafit”, në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj Petrit Xhelollarit nuk ishte gjetur asnjë send i fortë apo mjete rrethanore ashtu sikurse nuk i ishte gjetur as ndonjë mjet i mprehtë, gjë që tregon se nga ana e Xhelollarit nuk ka patur asnjë paramendim për konflikt apo kërcënim. Sigurisht, pritet që Prokuroria të zbardhë edhe përgjigjet që i ka dhënë kryetari i bashkisë Sotiraq Filo.

 Jemi në gjak! Bashkëshortja: Korça nuk e përdor këtë shprehje

Gjithashtu burimet e përmendura më sipër bënë të ditur, se nga ana e Sotiraq Filos është pretenduar se Xhelollari, gjatë konfliktit në fjalë, i ka thënë: “Nëse ma prish shtëpinë, jemi në gjak!”. Sigurisht edhe kjo shprehje mbetet të zbardhet nga Prokuroria e rrethit gjyqësor Korçë, sepse si për banorët e “Gjon Buzukut”, ashtu edhe për familjarët e Xhelollarit që jetojnë në Amerikë, me të cilët ne patëm mundësinë të komunikojmë, (me bashkëshorten e tij), u shpreh se nuk mund të besonte që kjo shprehje të ishte përdorur nga bashkëshorti i saj, pasi kjo është një shprehje që nuk përdoret nga qyteti i Korçës. Veç kësaj bashkëshortja e Xhelollarit, na bëri të ditur se nuk kishte ndodhur kurrë që Xhelollari të humbiste arsyen. Sipas saj, gjithçka do të ketë qenë ndonjë keqkuptim dhe asgjë më tepër se kaq.

 I vëllai i Xhelollarit

Pëllumb Xhelollari, vëllai i Petrit Xhelollarit, banues në Korçë, nuk është në gjendje të na thotë ndonjë gjë më shumë, pasi gjithçka e kishte mësuar vetëm në mëngjes falë mediave. Megjithatë, ai na thotë se jo vetëm vëllai i tij, por të gjithë banorët e lagjes “Gjon Buzuku” që do t’u prishet shtëpia, ndihen të dëshpëruar, ndaj edhe vëllai im mund të ketë qenë në një gjendje të rënduar shpirtërore, sepse dëmshpërblimi që u ofrohet është minimal. Ai ka punuar gjithë jetën e tij bashkë me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithçka që fitoi atje, e investoi në Korçë duke ngritur shtëpinë e vet, ku kishte menduar të hapte edhe biznese, por megjithatë unë nuk do ta besoja kurrë, – thotë ai, – që im vëlla të arrinte deri në këtë pikë sa të trembë njerëzit. Ai gjithnjë ka qenë i arsyeshëm dhe i logjikshëm. Presim që të dalë e vërteta!

 Vepror Hasani

Histori me Filo, Pelesh dhe Ramë!

Si të fut në burg Shteti i Policëve pa prova, pa fakte, në kundërshtim me ligjin, edhe kur je shtetas amerikan!

Sot dhe dje u konstatua një tjetër rast i rëndë i shfaqjes së verbërisë së shtetit policor i cili në kundërshtim më çdo procedurë ligjore minimale arreston iniciatorin dhe organizatorin e protestave të qytetarëve korçarë z. Petrit Xhelollari kundër vendimit të Bashkisë Korçë për prishjen e 30 shtëpive në mes të Korçës, duke i kompensuar ato me vlera minimale si të jenë mbrapa Malit Morava! Në datën 10 dhjetor në orën 22:25 policët e Niko Peleshit, në kundërshtim me ligjin pa asnjë dokument ligjor arrestojnë në pragun e shtëpisë shtetasin Amerikan Petrit Xhelollari, i cili njihet në Korçë dhe media si organizatori dhe drejtuesi i protestave qytetare kundër Bashkisë Korçë! Akuza bazohet te fjalët e Kryetarit të Bashkisë dhe te asnjë provë, dëshmitar, dokument apo çfarëdo e dhënë që njihet nga ligji, ndërkohë që të gjithë në Korçë e dinë që Kryetari i Bashkisë, prej një muaji, ka vetëm një problem: guximin dhe kurajën e z. Xhelollari i cili po ngre qytetarët kundër Bashkisë! Dhe sot ishte planifikuar një protestë! Dhe ndërkohë po bëhet gati Padia Administrative kundër Vendimit të Këshillit Bashkiak Korçë! Pardje z. Xhelollari ka qenë duke organizuar protestën e radhës e planifikuar për dje dhe padinë administrative ndaj Bashkisë dhe për këtë arsye Shteti Policor i Peleshit fabrikon një akuzë njësoj si në kohën e Enverit: Ku mjaftojnë fjalët e Kryetarit të Bashkisë Korçë dhe asgjë tjetër! Pretendimi i Kryetarit të Bashkisë, jo vetëm që bie menjëherë poshtë, por ai del i implikuar në një veprimtari të paligjshme e cila do të paraqitet nesër në Gjykatë kur të bëhet seanca gjyqësore për shqyrtimin e masës së arrestit! Ndërkohë, Policia tashmë dhe si një polici politike, me urdhër të Peleshit, me qëllim ka bërë mashtrim publik duke dhënë informacione të rreme në media sikur z. Xhelollari ka bërë kërcënim, madje në zyrën e Kryetarit të Bashkisë! Siç duket edhe nga Procesverbali i Prokurorisë s’ka asnjë pretendim për kërcënim në zyrë apo ambiente të bashkisë! Gjithë akuza bazohet “më the, të thashë, i thashë” pa asnjë të dhënë, fakt apo argument! Ky është Shteti i Peleshit, i policëve dhe prokurorëve që zbatojnë urdhrat e verbra të zv.Kryeministrit dhe kukullës së tij Kryetarit të Bashkisë, i cili për hir të planeve elektorale të betonizimit të Korçës, përveçse të grabit pronën dhe të shkatërron shtëpinë, të fut edhe në burg pa asnjë ligj, madje edhe kur je shtetas amerikan! Familja e z. Xhelollari ka kontaktuar me Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe sipas familjarëve dhe avokatëve ata po ndjekin me vëmendje të lartë gjithçka po ndodh! Sot Kryetari i Bashkisë z. Filo dhe zv.Kryeministri z. Peleshi ia dolën të anulojnë protestën, sepse organizatori ndodhet në një qeli të ftohtë, por ai do të dalë dhe protesta dhe aksioni ligjor kundër Bashkisë Korçë do të vazhdojë! Qytetarë! Kjo është koha që ka ardhur! Nëse Ministri, Kryetari i Bashkisë apo Drejtori do të të fusë në burg, mjafton të shkojë në polici dhe të thotë çfarë të dojë kundër teje dhe ti përfundon në burg! Iku koha e provave, fakteve dhe të dhënave që kërkon ligji! Madje tani s’ka më nevojë as për dy dëshmitarë si në kohën e Enverit! Sepse, kjo është koha e Enverit! Prisni se s’keni parë asgjë akoma!

Studio Ligjore NOAL Rights & Partners

Përfaqësuesit Ligjor të z. Petrit Xhelollari