Shqiptarët “ndërtojnë” shtëpitë e barit edhe në Gjermani, një 30-vjeçar kapet në një plantacion të madh me kanabis. Si tentoi të arratisej nga dritarja

190
Sigal

Autoritetet gjermane kanë zbuluar një “shtëpi bari”, për të cilën kujdesej një i ri shqiptar. Plantacioni i madh me kanabis u zbulua në një ndërtesë me apartamente në qytetin Unna.

Një informacion telefonik që mbërriti në qendrën e kontrollit të policisë në Unna të martën pasdite i vuri autoritetet në gjurmët e plantacionit. Dhe në të vërtetë, hetuesit gjetën atë që kërkonin në një ndërtesë apartamentesh në lagjen Afferde. Ata zbuluan gjithsej rreth 1000 bimë kanabis dhe pesë kilogramë marijuanë që ishin korrur tashmë, raportojnë mediat gjermane.

Sipas policisë, plantacioni i kanabisit shtrihej në dy kate të shtëpisë. Gjatë kontrollit, policia jo vetëm që gjeti drogën, por gjeti edhe një 30-vjeçar shqiptar, i cili tentoi të arratisej nga dritarja.

Vetëm pak javë më parë, policia gjermane zbuloi dy plantacione të paligjshme kanabisi. Dy sistemet thuhet se kanë sjellë të paktën një milion euro të ardhura nga shitjet në vit.