Shqipëria, vendi me vdekshmërinë foshnjore më të lartë në kontinent

247

Gjatë vitit 2020, 281 foshnja vdiqën në Shqipëri pa mbushur moshën 1 vjeç ose 10 për çdo njëmijë lindje. Kjo e bën Shqipërinë vendin më të keq për të lindur në kontinentin Evropian me një diferencë të lartë me vendin e dytë më të keq, Malta me 6.6 për mijë.

Sigal

Vdekshmëria foshnjore u ul lehtë gjatë vitit 2020 në Shqipëri nga rekordi negativ i shënuar në vitin 2019 ndërsa vijon të mbetet shumë më e lartë se sa vendet normale të Bashkimit Evropian. Të dhënat e publikuara të enjten nga Instituti i Statistikave tregojnë se 281 foshnja vdiqën gjatë vitit të kaluar pa mbushur një vjeç, me një rënie të lehtë nga 294 vdekje të foshnjave në vitin 2019. Vdekshmëria foshnjore, një nga treguesit kyçë të matjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe gjendjes ekonomike e sociale të vendit, ra nga 10.3 në 10 për çdo mijë lindje të gjalla.

Shqipëria prej vitesh mban rekordin negativ sa i përket vdekshmërisë foshnjore në kontinentin evropian dhe është akoma më keq në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Të dhënat e vitit 2020 për kontinentin nuk janë të disponueshme por të dhënat e vitti 2018 të publikuara nga Eurostat tregojnë se mesatarisht në BE kishte 3.4 vdekje nën 1 vjeç për çdo mijë lindje të gjalla. Në Estoni vdekshmëria foshnjore ishte vetëm 1.6% ndërsa në Maltë, vendi me vdekshmërinë më të lartë, ishte 6.6%. Në vendet e rajonit tonë, Maqedonia e Veriut e ka 5.7 ndërsa Serbia 4.9%.

Një investigim i BIRN në vitin 2018 zbuloi se mungesa e investimeve të përshtatshme për kujdesin e të porsalindurve, veçanërisht mungesa e inkubatorëve ishte një prej shkaqeve të vdekjeve të foshnjave.

Shqipëria ka pasur një histori të dhimbshme me vdekshmëri foshnjore shumë të lartë, situatë që erdhi në përmirësim përgjatë dekadave, me përjashtim të tetë viteve të fundit. Niveli më i ulët i vdekshmërisë foshnjore u shënua në vitin 2015 me 7 vdekje për mijë lindje të gjalla.