Shqipëria, vend 35% ndërtim i paligjshëm, Xhibuti… 17%!

818
Sigal

Rilindja e thelloi “plagën’ e ndërtimeve pa leje, duke shtuar edhe 155 mijë objekte, jemi në krye të 12 vendeve më të pazhvilluara të botës për ndërtimet informale

Rekord i ri i turpshëm për Shqipërinë, zbuluar e publikuar zyrtarisht nga kreu i ALUIZNI-t Artan Lame. Sipas shifrës së deklaruar nga ALUIZNI për gjendjen faktike të ndërtimeve të paligjshme, Shqipëria bënë pjesë në 12 territoret shtete të botës, që janë skeduar si “rekord” për rrumpallën ndërtimore publike. Mjafton të vëzhgosh “hartën” ndërtimore urbanistike të Shqipërisë, sidomos të zonave Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Shkodër, Lezhë, Berat, Sarandë, Vlorë po kështu të vijës bregdetare dhe konstaton qendra banimi me objekte ndërtimore të “ngulura” në mënyrë kaotike, si kuti e mallra të rëna nga “avioni”. Për afro çerek shekulli, shteti shqiptar e ka humbur totalisht kontrollin fizik e ligjor mbi territorin si zhvillim urbanistik e social. E kemi fjalën për ndërtimet e paligjshme të bëra në 23 vitet e fundit, të lëna lirshëm për t’u “ngulur” si të mundeshin, ku të mundej dhe me çfarë “modeli” të dëshironte ai që ndërtonte dhe financonte. Qeveria “Rilindja”, prej 5 muajsh ka nisur një aksion kombëtar për të pastruar ndërtimet e paligjshme, por me absurdin, që nga njëra anë “shkul” baraka e banesa aty-këtu që duhen hequr se do zhvillohen projekte urbane, ndërsa nga ana tjetër ligjëron 427 mijë ndërtime të tilla që janë qendra banimi e ushqimi, por jo qendra urbane funksionale.

 Shqipëria 427 mijë ndërtime ilegale, ose 35% e totalit të objekteve!

 Të vjen turp kur dëgjon, që Shqipëria ka 427 mijë objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, 70% e tyre mbi troje të zaptuar të ish-pronarëve, 18% mbi troje pronë shtetërore, 2% mbi troje pronë private të ndërtuesve, 6% mbi troje rrjetesh publike ujësjellësish, kanalizimesh e kolektorësh, rrjete energjie e telefonike, ndërsa 4% brenda territoreve të objekteve sociale si shkolla, kopshte fëmijësh, spitale, qendra kulturore, trotuare, zona muzeale e arkeologjike. Çfarë situate urbanistike, ka aktualisht Shqipëria? Sipas inventarit shtetëror të “objekte ndërtimi”, së bashku me 427 mijë objektet e evidentuara nga “ALUIZNI”, në Shqipëri janë 1 milionë, 259 mijë e 834 ndërtime objekte banimi, social-kulturore e shërbimesh private. Enti Kombëtar i Banesave nuk disponon asnjë inventar real të gjendjes faktike aktuale të objekteve në Shqipëri, përveç inventarit të banesave të vitit 1990. Por, referuar raportit të vitit 2014, publikuar nga Hipoteka, në Shqipëri ekzistojnë vetëm 832 mijë e 834 banesa dhe objekte shërbimesh private e shtetërore që figurojnë me “letra ligjore” e me plane urbanistikë, të miratuar. Faktikisht, me e pa letra, në Shqipëri ka milionë, 259 mijë e 834 objekte. Sipas llogarisë, me 427 mijë ndërtimet ilegale që ka, Shqipëria rezulton të jetë 35% ndërtim i… paligjshëm! Specialistë të urbanistikës, të projekteve zhvillimore urbane të qendrave të banuara e rrjeteve të shërbimeve, konsiderojnë çmenduri faktin, që një vend rezulton të jetë 35% ndërtim i… paligjshëm, ndërtuar në pirateri të plotë komunitare e në mungesë të kontrollit dhe veprimit të shtetit. Është vërtetë çmenduri, që jemi vend me 35% ndërtim i paligjshëm, me projekte “haxhiqamilçe” vendosur në kodra, fusha, male, lugina lumenjsh, këneta e kudo, sipas shijeve të atyre që kanë ndërtuar. Këtë skandal, prej 10 vitesh shteti shqiptar po tenton ta legalizojë, ta bëjë të “mirëqenë, të rregullt si zhvillim urban”. Nuk e kemi fjalën, për faktin, që “kjo 35% Shqipëri” ndërtim i paligjshëm është ndërtuar mbi troje të zaptuara e të vjedhura prej shtetit e pronarëve legjitimë, por sepse janë kaos urbanistik, pa asnjë element teknik e mjedisor, janë “turma” ndërtimesh të bëra me lagje, fisesh, katunde e me krahina, tipik qendra banimi “geto”. Këtë rrumpallë kaq masive nuk e ndesh në asnjë vend të Europës, madje as të Ballkanit. Është skandal e trup kombëtar, që në një vend i cili prej 25 vjetësh pret tek “gardhi” i BE për t’u futur brenda saj, të ketë 35% të territorit… ndërtim të paligjshëm! Edhe Kosova që ka dalë nga lufta, krahasuar me inventarin e objekteve ka vetëm 3.4% ndërtime të paligjshme. Bosnja ka 19% ndërtime të paligjshme, Kroacia ka 0.9% ndërtime të paligjshme, Maqedonia ka 1.5% ndërtime të paligjshme, Rumania ka 1.1% ndërtime të paligjshme, Mali i Zi ka 0.6% ndërtime të paligjshme… Ndërsa Shqipëria ka 35% ndërtime të paligjshme!

 Xhibuti 17% ndërtim i paligjshëm, Shqipëria 35%

 Ndërsa gjendemi në listën “rekord botëror” të rrumpallës ndërtimore urbanistike, shtetit shqiptar “as i skuqet e as i zverdhet fytyra”, kur del e deklaron me krenari “si arritje”, faktin që territorin e vendit e kanë “pushtuar” 427 mijë ndërtime banditeske, të bëra pa kontroll teknik, pa plan urbanistik, pa projekte zhvillimore sociale dhe pa asnjë element sigurie për ata që banojnë brenda tyre, me rrezik fizik e për komunitetin ku gjenden këto ndërtime. Kjo shifër përbën 35% të ndërtimeve totale në Shqipëri. Me këtë numër ndërtimesh të lejuara prej shtetit, gjendemi në listën e 65 vendeve “me rrumpallë ndërtimore” në botë, ku përfshirë edhe Shqipërinë, 12 prej tyre gjenden në fund të listës së vendeve më të pazhvilluara. Klasifikimi vendeve me përqindje të lartë të ndërtimeve pa leje e pa plan zhvillimi urban lokal e kombëtar është hartuar nga “Organizata Botërore për Zhvillim e Territoreve të vendeve të pazhvilluara e në zhvillim”, vende ku (fatkeqësisht) bënë pjesë edhe Shqipëria. Sipas klasifikimit të bërë për vitin 2014, Shqipëria bën pjesë në krye të 12 vendeve me përqindje më të lartë zonash ndërtimore të paligjshme shërbimesh e banimi. Nëse krahason shifrën e përqindjes klasifikuese, rezulton se në “Grupin 12” të vendeve më problematike e kaotike në aspektin e zhvillimit urban, Shqipëria është me shifrën 35%, deklaruar kjo edhe nga vetë shteti shqiptar. Me më pak zona ndërtimore informale se Shqipëria, renditet Zimbabve me 32% ndërtime të paligjshme. Pas Shqipërisë dhe Zimbabve, renditet Kenia me 31% ndërtime të paligjshme, Senegali me 26% ndërtime të paligjshme, Haiti me 27%, Jemeni me 21% etj. Shqipëria është vendi me më tepër ndërtime informale dhe qëndron në krye të listës së “Grupit 12”, si vendi me 35% ndërtim i paligjshëm!

Ja 12 vendet, rekord botëror, për zona ndërtimore të paligjshme

 1. Zimbabve 29%

2. Turkmenistan 32%

3. Maldive 23%

4. Bosnja 19%

5. Jemeni 21%

6. Haiti 27%

7. Senegali 26%

8. Kenia 31%

9. Sudani 19%

10. Bjellorusia 22%

11. Xhibuti 17%

12. Shqipëria 35%

“Rilindja” shtoi edhe 155 mijë ndërtime të paligjshme

 Rrumpalla me lejimin dhe pranimin prej shtetit, të ndërtimeve të paligjshme nuk po ndalet. Përkundrazi ajo po vazhdon, duke u nxitur prej shtetit, nëpërmjet një institucioni fantazmë me emrin “ALUIZNI”, krijuar si institucion i mbrojtjes së krimit urbanistik, bërë mbi territorin, qendrat e banuara dhe mjediset publike. “Ushtri” banorësh të shpërngulura nga zonat ku jetonin, iu vërsulën qendrave urbane, duke “pushtuar” pa asnjë frenim qendrat dhe periferitë e tyre me gardhe, kasolle, tufa bagëtish, baraka e më pas me ndërtime “haxhiqamilçe” pa leje, pa projekte, pa siguri teknike, pa plan urbanistik… Këtë katrahurë e lejoi shteti dhe prej 10 vitesh po miraton ligje, vendime e formularë pa fund, për t’i ligjëruar këto ndërtime! Sikur të mos mjaftonin ato 270 mijë ndërtime informale që ishin ndërtuar deri në vitin 2006, katrahura vazhdoi lirshëm, duke arritur të lejohet që në fund të janarit 2015, ky numër të shkoj në 472 mijë ndërtime të tilla, ose siç e thamë në 35% Shqipëri ndërtim i paligjshëm. Mjaftoi një “kushtrim” shtetëror i bërë prej “ALUIZNI”-t për të vazhduar ndërtimet pa leje dhe vetëm në periudhën tetor 2014 kur u dha leja e deri në 31 janar 2015, u shtuan edhe 155 mijë ndërtime të tjera të paligjshme, sipas listës së qarqeve, më poshtë:

– Berat 6500

– Dibër 2244

– Durrës 25000

– Fier 20000

– Korçë 6372

– Kukës 1441

– Lezhë 8910

– Vlorë 10695

– Elbasan 2500

– Tiranë 35680

– Shkodër 12900

– Gjirokastër 2658

Statistikë e “krimit” të ndërtimeve informale

 

– Kanë “zhdukur” 32% të tokës bujqësore.

– kanë ç’populluar 58% të territorit të vendit.

– Janë shkatërruar 42% të rrjetit kullues

– Kanë zaptuar 65% të zonave urbane, të planifikuara për shërbime social-kulturore

– Kanë ndërtuar 85% të objekteve pa studime fiziko-gjeologjike

– Kanë ndërtuar 70% e objekteve në zona gjeologjike të ndaluara për ndërtime

– Kanë ndërtuar 80% e objekteve pa parametra të sigurisë teknike

– Kanë shpenzuar 84 milionë euro nga buxheti shtetit, për prishje objektesh dhe rehabilitim mjedisesh.

– Afro 20% e ndërtimeve informale kanë zaptuar 17% të hapësirave publike të qendrave të banuara.

– Afro 35% e objekteve janë ndërtuar në zona të ndotura naftëmbajtëse, minierash, uzinash, fabrikash e kombinatesh të ngarkuara me rrezatim radioaktiv.

– Afro 40% e ndërtimeve informale kanë nxjerr jashtë funksionit shërbimet komunitare, duke bllokuar mjediset komunikative.

 – Afro 60% e objekteve informale me funksion biznese, janë ndërtuar brenda zonave të banuara dhe krijojnë ndotje mjedisi.

Skandali/ Legalizim dhe për 32 mijë banesa e 21 mijë biznese, të ndërtuara në zona me rrezatim radioaktiv

 Shqetësimi që duhet të jap alarmin, për të kontrolluar procesin e legalizimit të ndërtimeve të paligjshme është fakti, që shumë nga këto ndërtime shtëpi banimi, njësi tregtare, linja prodhimi ushqimesh e deri shkolla, qendra sportive, kopshte e çerdhe fëmijësh janë ndërtuar dhe kanë aktivitet në zona me ndotje radioaktive, brenda dhe pranë zonave të ish-industrisë, prodhimeve, shërbimeve e qendrave që kanë punuar me lëndë të para kimike me rrezatim. Janë mbi 90 mijë familje që jetojnë në 31 mijë e 962 objekte dhe 21 mijë e 458 biznese në mbarë vendin, të cilëve u janë pranuar aplikimet për legalizimin e objekteve të ngritura në këto mjedise “vrasëse”. Shteti i ka futur në proces legalizimi banesat dhe objektet e tyre të shërbimit edhe pse në vitin 2009, këto këto mjedise janë shpallur “Zonë vrasëse”, prej organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Organizatës Botërore të Mjedisit (OBM).

Tiranë 17754 familje

Durrës 8842 familje

Elbasan 6580 familje

Korçë 5245 familje

Fier 7707 familje

Patos 1350 familje

Vlorë 6495 familje

Laç 1075 familje

Mirditë 1150 familje

Kuçovë 3350 familje

Gjirokastër 4145 familje

Berat 7270 familje

Lushnjë 6230 familje

Lezhë 1160 familje

Ballsh 3190 familje

Shkodër 9256 familje

Kavajë 4130 familje

Protesta e shoqërisë civile

 Rezolutë për pezullimin e ndërtimeve tek diga e Liqenit

 Shoqëria civile ka protestuar sërish dje përpara Kryeministrisë kundër ndërtimit të një kompleksi pallatesh shumëkatëshe poshtë digës së Liqenit në kryeqytet. Qytetarë e ambientalistë i kërkojnë Kryeministrit, por dhe Presidentit të Republikës, që në mbështetje të një rezolute të hartuar dhe miratuar nga ekspertët më të mirë të inxhinierisë, të ndërhyjnë për t’i thënë ndal kësaj masakre urbane në mushkëritë e kryeqytetit. Aktivistët e shoqërisë civile paralajmërojnë ngritjen e çadrave përpara Kryeministrisë nëse protestat e tyre qytetare nuk do të ngjallë reagimin e kreut të qeverisë, për një çështje të tillë që prek të ardhmen e metropolit. Por protesta e qytetarëve nuk duket se i shqetëson sipërmarrësit e këtij investimi. Punëtorët prej muajsh tashmë vijojnë punën të pashqetësuar për realizimin e kompleksit 17-katësh, leja për të cilin u firmos nga Kryebashkiaku Lulzim Basha në 1 Gushin e vitit të shkuar. Ndërtimet nën digë tashmë kanë marrë miratimin e palëve partiake qeverisëse në nivelin vendor dhe qendror, në kundërshti me interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës. “Zoti Kryeministër, ju lutem ndaleni ndërtimin dhe betonizimin e Tiranës, në të kundërt protesta jonë do të përshkallëzohet. Ne duam pemë, jo pallate”, janë shprehur protestuesit. Rezoluta e nënshkruar nga ekspertë të digave kërkon të anulohet leja e ndërtimit, sepse rrezikon jo vetëm digën por edhe tharjen e liqenit artificial të Tiranës. Në protestat e tyre, qytetarët i kanë kujtuar edhe Kryebashkiakut Basha se ai kishte premtuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2011 se në këtë vend nuk do të lejonte kurrë që të bëheshin ndërtime.

Rezoluta

Dalë nga mbledhja mbi diskutimin për ruajtjen dhe rrugët e mbrojtjes së hapësirave të fundit publike në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë.

  1. Të ruhen hapësirat e fundit publike të përcaktuara në planin e përgjithshëm urban të Tiranës (40 zona x 2 ha dhe 37 zona x 0,7 ha), si dhe shpalljen e paligjshme të të gjitha ndërtimeve për banim nën diga të liqeneve e të rezervuarëve ujorë.
  2. Të ruhet statusi “Zonë e veçantë” Parkut të Tiranës për të shtatë komponentët e tij përbërës (parku, pyll, liqen, digë, zona nën digë, Kopsht Botanik, Kopsht Zoologjik dhe kolina e Selitës) duke respektuar rigorozisht kufijtë e përcaktuar nga vendimi i KKRTRSH-së) dhe së fundi e mbështetur nga plani i përgjithshëm rregullues i territorit për Tiranën më 2013.
  3. Të abrogohet vendimi nr.4, datë 21.211 2006 i KRRTRSH-së që ndryshon destinacionin nga zonë sportive në zonë banimi, pikërisht pjesën nën digë.
  4. Të vazhdojë drejtimi vektorial Tren-Paskuqan për zhvillimin e mëtejshëm urban të Tiranës duke parë mundësinë e kompensimeve për pronarë që janë me dokumentacion konform ligjor, por qe cenojnë interesa publike.

 

Përparim HALILI