Shqipëria thyen rekordin e rrugës me çmimin më të shtrenjtë në Evropë

965
Rrugët me financim të huaj na kushtojnë 53% më lirë se ato që bën qeveria shqiptare
Sigal

Rruga Thumanë-Kashar shndërrohet zyrtarisht në rrugën më të shtrenjtë në Evropë. 1 kilometër rrugë do të kushtojë 21.6 milionë euro.

Shqiptarët prej vitesh kanë nisur emigrimin duke marrë arratinë jo vetëm në Evropë, por edhe në çdo cep të globit, dhe shkaku është situata e vështirë ekonomike, sociale, pasiguria, korrupsioni, babëzia, krimi, mungesa e vendeve të punës dhe mbi të gjitha krijimi I monopoleve dhe grumbullimi i pasurisë kombëtare në një dorë të vetme nga oligarkët, nëpërmjet koncesioneve apo PPP-të e famshme. Kritikat e BB, FMN dhe BE janë alarmi dhe kambanat që bien për qeverinë shqiptare, e cila dje deklaroi, se në korrik 2019 do të ndërpresim koncesionet e pakërkuara.

Statistika & fakte

-560 mijë shqiptarë janë pajisur me leje qëndrimi në vendet e BE-së në dhjetë vitet e fundit;

-Nga 2012 deri në 2018 kanë kërkuar azil në vendet e BE-së 168 mijë shqiptarë;

-Vetëm për 2018, për lotarinë amerikane kanë aplikuar 367 mijë persona;

-Shqiptarët azilkërkues në BE renditen pas Sirisë, Afganistanit dhe Irakut që janë në luftë;

-Franca, Gjermania dhe Britania ishin vendet kryesore të kërkesave për azil nga shqiptarët;

-Vetëm për 2017-n ,numri i lejeve të qëndrimit për shqiptarët në BE ishte 51,600 qytetarë. 

01-Rruga Kardhiq – Delvinë, në 2013-n nga demokratët pati kosto 5 milionë dollar

Rruga Kardhiq – Delvinë e inauguruar nga qeveria Berisha në 2013, kushtoi 597 032 478 lekë me TVSH.

Vetëm pak muaj para zgjedhjeve të 2013, demokratët nisën punimet për rrugën Kardhiq –Delvinë, e cila do të shkurtonte rreth 26 km, por duke patuar parasysh terrenin nga Kardhiqi në Delvinë, pa u futur në Gjirokastër dhe do të bëhej me automjet rreth 30 minuta, nga 2 orë që duhet sot nga Kardhiqi në Sarandë. Dhe kjo rrugë do të kushtonte me gjithë TVSH 597 032 478 lekë ose afërsisht rreth 5 milionë dollar. Pas zgjedhjeve ky investim nuk u realizua dhe qeveria socialiste e rifilloi para 1 muaji por me një tjetër çmim i cili arrin në 51 milionë euro ose 12 herë më shumë

Rruga Kardhiq – Delvinë në 2018-n nga socialistët ka kosto 51 milionë euro

3.7 milionë Euro për çdo kilometër të Rrugës Kardhiq-Delvinë, iu del kosto kompanive që fituan tenderin me konkurrencë të paktë . Rruga do kushtojë rreth 51 milionë euro.

Tre tenderët shumëmilionësh për ndërtimin e segmentit rrugor Kardhiq – Delvinë përfunduan me konkurrencë të ulët dhe me oferta fituese fare pranë fondit limit, bëhet e ditur nga publikimi i shpalljes së fituesit në APP.

-Tenderi për lotin 4 u fitua nga oferta e përbashkët e dy kompanive, “Cobial” dhe “Gjoka Konstruksion”, me ofertë prej 2.36 miliardë lekë, ose sa 99% e fondit limit. Segmenti i përfshirë në lotin 4 është 6150 metra i gjatë dhe në të përfshihen dy ura me gjatësi të përbashkët prej 207 metrash. I gjithë segmenti pritet të kushtojë 18.7 milionë euro ose 3045 euro për metët linear.

-Në tenderin për lotin 5, pati gjithashtu dy oferta, një prej të cilave u skualifikua, megjithëse ishte më e lartë se sa oferta fituese. Tenderi u fitua nga kompania “Alb – Star” për 1.79 miliardë lekë ose 2.2% më pak se sa fondi limit. Loti 5 do të ketë një gjatësi të përgjithshme prej 3058 metrash dhe do të kushtojë afërsisht 4.6 milionë euro për kilometër.

-Për tenderin e lotit 6, oferta fituese u hodh nga kompanitë “Agbes shpk & Arberia shpk” dhe ishte afro 2.38 miliardë lekë, e barabartë me 99.6% te fondit limit.

-Të tre tenderët e marra së bashku do të kushtojnë rreth 51 milionë euro sipas rezultateve të tenderëve. Kjo do të thotë se çdo kilometër rrugë do të kushtojë afro 3.7 milionë euro dhe çdo metër linear do të kushtojë 3700 euro. Për çdo metër katror rrugë, kostoja e pritshme është rreth 393 euro. Përveç loteve 4,5 dhe 6, rruga Kardhiq-Delvinë ka edhe dy lote të tjera, të cilat përfshijnë një tunel afro 900 metra të gjatë, pritet që tenderi për to të hapet në vitin 2019.

02-Fatura e rrugës Thumanë-Kashar rritet sërish, 450 mln euro për 20 km rrugë

Fatura e koncesionit të rrugës Thumanë-Kashar nuk ka të ndalur dhe rritet thuajse çdo ditë. Ministri i Financave Arben Ahmetaj pohoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se shifra e negociuar e rrugës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë koncesionare “Gener 2” është 56 miliardë lekë ose plot 450 milionë euro. “Thumanë-Kashar do të ketë një kosto totale 56 miliardë lekë dhe do të shlyhet për 13 vjet,”- deklaroi ministri i Financave Ahmetaj para deputetëve socialistë në Komision. Thumanë-Kashar është një aks 20.8 kilometër i gjatë. Kjo do të thotë se 1 kilometër e kësaj rruge do të kushtojë 21.6 milionë euro. Me këtë çmim, Thumanë-Kashar shndërrohet zyrtarisht në rrugën më të shtrenjtë në Evropë. Në vend të dytë, renditet autostrada Bar-Moljarë në Mal të Zi, që u ndërtua po me koncesion nga një kompani kineze për një kosto mesatare prej 20 milionë euro për 1 kilometër. Rruga Thumanë-Kashar do të ndërtohet me koncesion nga kompania “Gener 2”. Kjo kompani do ta ndërtojë rrugën me paratë e veta dhe do ta mirëmbajë atë për 13 vjet. Në këmbim qeveria do t’i paguajë “Gener 2”, plot 450 milionë euro me këste të barabarta për 13 vjet. Në 13 vitet e ardhshme, nga hyrja në fuqi e kontratës, qytetarët shqiptarë do të paguajnë deri në 40 milionë euro në vit për ndërtimin e rrugës, fatura e së cilës rritet gati nga dita në ditë.

Deputeti Braçe pyet ministrin Ahmetaj: Pse rritet kostoja e rrugëve

Rritja e madhe e kostove për këtë rrugë, por edhe disa akse të tjera që do të ndërtohen me koncesion është pranuar edhe nga vetë deputetët e mazhorancës “Në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 na është dhënë si kosto për Thumanë-Kashar vlera 33.5 miliardë lekë, ndërkohë që në buxhetin e vitit të ardhshëm na është dhënë një vlerë tjetër me diferencë të ndjeshme,” deklaroi Erjon Braçe duke pyetur ministrin Ahmetaj për arsyet. Ministri Ahmetaj iu përgjigj se vlera fillestare prej 33 miliardë lekësh ishte parashikim, ndërsa ajo prej 56 miliardë lekësh është fatura reale e bazuar në projektin konkret.

03-Marrëzia e koncesioneve në 2018-n. Rrugët me financim të huaj na kushtojnë 53% më lirë se fondet tona

Gjatë një viti, e njëjta kategori rruge e ndërtuar në Shqipëri ka kushtuar më shumë se dyfishi kur është ndërtuar me fonde të brendshme në krahasim me të njëjtën njësi rruge që është ndërtuar me financim të huaj. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës, një kilometër rrugë e kategorisë B, me fonde të huaja, ka kushtuar 88,1 milionë lekë për kilometër, ndërsa me fonde të brendshme ka kushtuar 187 milionë lekë për kilometër, ose 112% më shumë. Nga të dhënat zyrtare gjatë 8-mujorit 2018, qeveria shqiptare ka ndërtuar 22 kilometër rrugë të kategorisë B (me dy korsi) me fonde të huaja që i kanë kushtuar 1.9 miliardë lekë, ndërsa ka raportuar se ka harxhuar po 1.9 miliardë lekë me fonde të brendshme dhe ka ndërtuar vetëm 10 kilometra. Rrugët me financim të huaj na kanë kushtuar këtë vit 53% më lirë se investimet me fonde të brendshme. Sipas të dhënave zyrtare të çdo viti, shihet se kostoja e një kilometri rrugë në të gjitha kategoritë ku është ndërtuar me fonde të huaja është gati sa gjysma e kostos kur ndërtohet me fonde të brendshme. Ekspertët e sektorit e shpjegojnë këtë diferencë me elementet korruptive që shoqërojnë procedurat e prokurimit me fonde të brendshme. Ndryshe nga politikat kombëtare, donatorët e huaj aplikojnë procedura më strikte për disbursimin e huave dhënë Shqipërisë, ndërkohë që lejon financimin e kostove të palogjikshme. Për rrjedhojë për të njëjtën sasi fondesh, me fondet e huaja ndërtohen dy herë më shumë rrugë. Publiku është mësuar të dëgjojë realizimet në përqindje të planit të investimeve të huaja dhe të brendshme, ku gjithmonë ka një mosrealizim të fortë të fondeve të huaja. Por kur vjen fjala për produktin final, shihet se qytetarët shqiptarë me fondet e huaja marrin më shumë cilësi dhe sasi, se produktet me investimet që kryhen me fonde të brendshme. Qeveria shqiptare ka limituar fondet buxhetore të investimeve në rrugë vitet e fundit, por nga ana tjetër shihet se kostot për kilometër janë rritur në mënyrë të dukshme.

Përgatiti për botim: Ë. MUSAI