Shqipëria rrezikon të mbetet pa shqiptarë

594
Sigal

Studimi i vitit 2019 zbardh shifrat alarmante ku 84% e shqiptarëve duan të ikin nga vendi, pasi kanë humbur shpresën dhe perspektivën. Mosha që kryeson studimin është nga 18-35 vjeç,, nga qytetet duan të ikin 65.1% dhe 34.9% nga fshati. Gratë, vajzat dhe të deportuarit përbëjnë 90% të personave

Studimi i vitit 2019: 84 % e shqiptarëve duan të ikin nga vendi

Shqipëria rrezikon të mbetet pa shqiptarë

Qytetarët e vendit tonë duket se e kanë humbur shpresën dhe perspektivën për një të ardhme në Shqipëri. Shkaqet kryesore lidhen me situatën financiare, korrupsionit e lartë, gjendjen e mjeruar të shëndetësisë dhe arsimit, mosbesimin tek politika e drejtësia, papunësia etj,. Në biseda të përditshme përmendet shpesh ideja se këdo person që takon dëshiron të largohet nga Shqipëria. E në fakt kjo dëshirë e qytetarëve është vërtetuar edhe nga raportimet zyrtare. Një studim i vitit 2019 i bërë publik gjatë ditës së djeshme tregoi se rreth 84% e shqiptarëve kanë shprehur dëshirën për tu larguar nga vendi. Kjo shifër alarmante shënoi rritje në krahasim me raportin e vitit të kaluar, ku ishin 79% që pohuan dëshirën e braktisjes së Shqipërisë. Në ndryshim nga studimi i vitit 2018, kësaj here janë gratë dhe vajzat ato që duan më tepër të largohen. Por, shqetësues mbetet fakti se rreth 90% e personave që janë deportuar më parë nga vendet e huaja, dëshirojnë sërish të ikin nga Shqipëria. Të dhënat nxjerrin në pah një sërë shkaqesh të cilat lidhen si me situatën politike, drejtësinë, shëndetësinë dhe punësimin ku më shumë se gjysma e të anketuarve e vlerësojnë negativisht secilën nga këto fusha. “Mosha që kryeson këtë studim është nga 25-35 vjeç me 36.83% dhe ndiqet nga mosha 18-25 vjeç. Zonat urbane kanë përfaqësim më të madh me 65.1% dhe 34.9% i përkasin zonave rurale”-, tha njëri prej përpiluesve të këtij studimi. Ndërkohë sipas sociologëve, kjo dëshirë e largimit të vendasve sjell rrezikun që Shqipëria të mbetet pa shqiptarë. “Në një të ardhme jo shumë të largët, Shqipëria do të shpopullohet nga shqiptarët. Duke qenë vend shumë i mirë, shumë i pasur, me një klimë të mrekullueshme, ky vend do të popullohet nga të tjerët.”-, u shpreh për mediat sociologu Zyhdi Dervishi. Raportet krahasuese në botë, vlerësuan vitin e kaluar se Shqipëria ka normën më e lartë në botë për dëshirën e të rinjve për t’u larguar.