Shqipëria që duam !? Karçanaj hedh 2.1 mln euro te Platforma e Qeverisjes, e cila që nga 2017 është kthyer në kuçedrën e përfitimeve

 

Por, pse duhen bërë kaq shpenzime, kur supozohet që ky sistem i implementuar në vitin 2017 punon shumë mirë, qeverisë, pse u dashkan 2.1 milionë euro?

Gijontina/ Në vitin 2017, kryeministri Rama prezantoi Platformën e Bashkëqeverisjes të quajtur “Shqipëria që duam.al”. Pretendohej se përmes kësaj platforme qytetarët mund të bëjnë ankesat që kanë për çdo institucion dhe ato të merren menjëherë në konsideratë për t’u dhënë një zgjidhje. Në fakt, që nga viti ku u krijua kjo platformë, më shumë ka marrë para për mirëmbajtje se sa ka dhënë zgjidhje për qytetarët.

Sigal

Më datë 2 maj 2023, kur shqiptarët e kanë harruar këtë vepër madhore të Ramës, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, ka derdhur një thes tjetër me para për platformën. Bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Përmirësimi dhe ristrukturimi i Platformës së Bashkëqeverisjes”. Për mirëmbajtjen e kësaj platform, të cilën qytetarët nuk e përdorin fare ose nuk marrin kurrë shërbim prej saj, AKSHI do të shpenzojë afro 2.1 milionë euro nga taksat tona.

Gara për këtë tender është hapur me datë 24 prill 2023 dhe fituesi pritet të shpallet në fund të këtij muaji.

Ndërkohë ajo që na bie në sy është se nga ky fond limit, parashikohet që 1.5 milionë euro do të përdoren për implementimin e sistemit dhe 600 milionë lekë do të shkojnë për mirëmbajtjen.

Por, pse duhen bërë kaq shpenzime kur supozohet që ky sistem i implementuar në vitin 2017 punon shumë mirë dhe kërkesat apo ankesat e qytetarëve aty po “adresohen”. Pra, pas 5 vitesh që ky sistem funksionon, sipas qeverisë, pse u dashkan 2.1 milionë euro? Do të bëhet nga e para? Po mjaft! Si nuk u ngopën duke vjedhur me këto projekte që nuk i duhen askujt. Pse nuk bëhet më parë një studim fizibiliteti kur harxhohen paratë?

Ky tender do të kishte kuptim, nëse do të bëhej në atë kohë kur qeveria mashtronte ca kohë dhe sistemi nuk ishte funksional, pra asnjë ankesë e qytetarëve nuk mbërrinte tek institucionet.

“Shqipëria që duam” është një platformë e hapur komunikimi dhe ndërveprimi me qytetarët, e cila do të shërbejë për t’iu dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me Ju reforma e masa të rëndësishme, duke mundësuar ndikimin Tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor apo mbi ecurinë e punës së çdo ministrie e institucioni shtetëror; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë e parazitët e çdo niveli dhe duke reaguar ndaj tyre me zero tolerancë; për të nxitur e garantuar zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare ose vetjake të kujtdo prej Jush.

Çdo njeri që do të bëhet anëtar i kësaj platforme duhet të regjistrojë si fillim të gjitha të dhënat e tij në dritaren e parë që del në momentin që linçohet faqja”,- u shpreh Rama më datë  7 tetor 2017, kur niste kjo lojë.

Dhe në vitin 2018, u tha se kjo platformë është gati dhe bashkëqeverisja po funksionon. Por, nëse nuk ka qenë i implementuar sistemi si ka funksionuar platforma?!

Në fakt kjo platformë ekziston, nga një tentativë thuhet se ankesa u dërgua, por nëse ankesa shkon vërtetë në destinacion këtë nuk e dimë. Por, edhe në këtë pikë mbeten në pikëpyetje paratë që po shpenzon AKSHI.

Sikur e theksuam më lart kjo platformë u prezantua me emrin “Shqipëria që duam” nga kryeministri Rama, i cili tha se qytetarët mund të denoncojnë zyrtarët e korruptuar.

Po ia dërgojmë këtë artikull platformës, me shpresën që ta adresojë në SPAK shqetësimin tonë mbi vjedhjen e 2.1 milionë eurove.