Shqipëria nuk zbaton rregullat në sistemin energjetik

540
Sigal

Dita Ndërkombëtare e Konkurrencës/ Mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive,  një nga kushtet kryesore për një ekonomi tregu funksionale

 Data 5 dhjetor shënon ditën ndërkombëtare të Konkurrencës. Mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive është një nga kushtet kryesore për të pasur një ekonomi tregu funksionale. Kjo ditë ka në fokusin e saj impaktin e marrëveshjeve të ndaluara te të varfrit. Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës kërkon të sensibilizojë biznesin, Autoritetet e ndryshme publike dhe veçanërisht gjykatat për rëndësinë e luftës ndaj marrëveshjeve të ndaluara për konsumatorët. Këto marrëveshje kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetesën e më të varfërve në çdo shoqëri dhe përbëjnë një pengesë për qeveritë e vendeve të ndryshme për të siguruar mbrojtjen e këtyre shtresave të shoqërisë..

Qëllimi i kësaj dite është që të rrisë ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve që ndikojnë mbi konkurrencën e lirë për marrjen e masave për të mbrojtur konsumatorët nga dhe sidomos të varfrit nga marrëveshjet e ndaluara në treg. Po sa zbatohet dhe sa është e njohur kultura e konkurrencës në Shqipëri. Marrim rastin e CEZ, pasi është një problem që po i shqetëson qytetarët shqiptarë dhe kjo vjen edhe nga fakti që është lënë një kompani monopol sot në këtë fushë. Ku janë rregullat që duhet të zbatohen për konkurrencën e lirë kur këtë sektor e ka “zaptuar” një kompani. Përse flitet për konkurrencë të ndershme kur sot në sektorin energjetik është vetëm një kompani e tillë, e cila po bën si dëshiron dhe po i vendos vetë rregullat në tërë sistemin energjetik dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj saj.

 ERE kap me shkelje kompaninë “CEZ Shpërndarje”

Enti Rregullator i Energjisë ka kapur në shkelje kompaninë “CEZ Shpërndarje” për ndërprerjen e energjisë elektrike në zonën e Kombinatit në Tiranë dhe në Mamurras.

Burime zyrtare pranë ERE-s bëjnë të ditur se ditën e djeshme është përpiluar raporti për shkeljet, pas monitorimeve të kryera. Sipas Entit Rregullator, në nënstacionet e Kombinatit dhe Mamurrasit mungojnë pajisjet mbrojtëse të fidrave, që duhet të ishin vendosur nga CEZ. Në mungesë të këtyre pajisjeve, fiderat bien dhe ndërpritet energjia për konsumatorët, çka përkthehet në përfitim për kompaninë. Burimet e mësipërme shpjegojnë se këto shkelje do të përdoren si argumente në momentin që do të diskutohet vendimmarrja për licencën e CEZ si furnizues me pakicë i energjisë. Procedurat tashmë kanë nisur. Afati që kompania ceke të dorëzojë pretendimin e saj lidhur me fillimin e procedurave për heqjen e licencës është data 15 dhjetor. Mësohet se deri më tani, CEZ nuk ka dorëzuar pranë Entit asnjë ankesë. Gjatë javëve të fundit zona e Kombinatit në Tiranë dhe ajo e Mamurrasit në Krujë kanë vuajtur mungesën e theksuar të energjisë elektrike, çka ka detyruar banoret e këtyre zonave që të ngrihen edhe protesta.