Shqipëria nuk ka krijuar ambient të favorshëm për projektet e nismës së Berlinit, ka mungesë transparence

523
Sigal

Bashkimi Evropian nëpërmjet Agjendës së Lidhjes (nisma e Berlinit) ka rënë dakord të financojë katër projekte të infrastrukturës në Shqipëri. Ato janë Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, 2 kalata në Portin e Durrësit, Autostrada Adriatiko – Joniane dhe Linja e transmetimit të energjisë me Maqedoninë. Një raport monitorimi nga Fondi i Ballkanit i financuar nga Komisioni Evropian i publikuar së fundmi ka gjetur, se autoritet shqiptare deri më sot nuk kanë mundur të vlerësojnë se sa është vlera e plotë e këtyre projekteve në të cilat BE ka vendosur t’i financojë pjesërisht. Gjithashtu raporti thotë se Shqipëria nuk ka krijuar një mjedis të përshtatshëm për realizimin e projekteve, që nënkupton një zbatim të rregullt në një kornizë afatshkurtër të masave për Agjendën e Lidhjes në sektorët e transportit dhe energjisë, siç është rënë dakord gjatë Samitit të Vjenës. Deri më tani këto masa kanë pasur zbatim të fragmentuar nivel, vëren raporti i Monitorimit. Ekspertët vërejtën se duhet të përshpejtohet harmonizimi i legjislacionit vendas me acquis të Bashkimit, i shoqëruar nga një adoptim efektiv dhe zbatimi i rregulloreve TEN-T dhe TEN-E. Raporti vëren se në aspektin e transparencës ekziston mungesë e publikimit të informacionit lidhur me platformat online të qeverisë. “Në veçanti, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe mbledhjes dhe publikimit të të dhënave zyrtare për këto projekte prioritare kombëtare, të cilat pjesërisht financohen nga paratë publike. Mungesa e të dhënave zyrtare, informacioni lehtësisht i qasshëm, dukshmëria dhe transparenca rrezikon të pengojnë besueshmërinë e përgjithshme të kësaj përpjekjeje të përbashkët” cilëson raporti i Monitorimit për Agjendën e Lidhjes 2016. Në vitin 2015, Komisioni Evropian miratoi 1 miliardë euro në grante deri në vitin 2020, nga Instrumenti i BE-së për Ndihmën e Para-Anëtarësimit, për të mbështetur Agjendën e Lidhjes në Ballkanin Perëndimor.