Shqipëria në protestë/ Qytetarët nisin protestestat për të drejtat e harruara. Pas fermerëve ngrihen edhe zjarrfiksit, tregtarët, transporti

263
Sigal

Qytetarët më të keqpaguar në rajon, zjarrëfikës, fermerë, tregëtarë, gratë , personat me aftësi ndryshe dhe të diskrimunuarit protestojnë për të drejtat e tyre të harruara nga qeveria

 Shoqata e Transportit ndërpret punën në Mars, thirrja ndaj Qeverisë: Hiqni akcizën

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se nga 1 Marsi do të ndërpritet shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miraton kërkesat e tyre fiskale.

Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimeve të naftës. Kërkesat e tyre janë që nga rimbursimi i TVSH-së në shitje. Heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër; Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara, që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët), të cilët udhëtojnë falas.

KËRKESAT:

-Rimbursimi i TVSH në shitje
-Heqja e akcizës 37 lekë/litër
-Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara, që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër
-Rimbursimi nga Ministritë e linjës lidhur me kategoritë (Invalidë pune, Të verbër, Paraplegjik, Tetraplegjik, Studentët) të cilët përfitojnë çmim të reduktuar ose falas, referuar dispozitave të Ligjit Nr.37/2014 “Për disa shtesa në Ligjin 8308 dt.18/03/1998 për Transportet Rrugore” të ndryshuar, për zgjidhjen e kësaj çështje.

Zjarrfikësit protestë: Duam orët e natës dhe dinjitet

Sindikata e Zjarrëfikësve ka paralajmëruar protestë me 3 mars nëse qeveria nuk miraton VKM për t’u paguar orët e natës. Kryetari i Sindikatës, Bledar Bajrami, tha se zjarrëfikësit nga i gjithë vendi do të mblidhen në Tiranë në këtë datë, ndërsa apeloi qeverinë për reflektim.“Duke parë mosrealizimin e kërkesave tona në datën 3 mars njoftojmë protestë. Të gjithë zjarrëfikësit e Shqipërisë do të mblidhen në Tiranë me uniforma zjarri jo uniformë shteti pa stemë. Duam VKM 350, duam orët e natës. Nëse qeveria i plotëson para kësaj date kushtet tona protesta anulohet, në rast të kundërt ne jemi një orë para parlamentit dhe një orë para Kryeministrisë. Duam orët e natës dhe dinjitet.‘- tha kreu.

Më të keqpaguarit në rajon

Një punonjës zjarrfikës çdo muaj duhet të marrë mesatarisht 9,000 lekë [74 euro] për orët shtesë. Këto para jo vetëm që nuk i kanë marrë, por rezulton se janë edhe më të keqpaguarit në rajon. Paga bazë e një punonjësi zjarrëfikës në Shqipëri është 36,000 lekë [298 euro]. Në Kosovë një zjarrëfikës i nivelit bazë paguhet 399 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut me 416 euro. Në vend ka 1,200 punonjës të shërbimit zjarrëfikës, të cilët përballen edhe me kushtet e vështira të punës.

 

 Tregtarët e Durrësit të revoltuar : Na gënjyen për vota, markata nuk  u ndërtua

Tregtarët në Durrës kanë protestuar në lidhje me tregun e fruta-perimeve. Ai duhet të përfundonte së ndërtuari në nëntor të 2021, ndërsa tregu ende nuk është funksional. Tregu i fruta-perimeve në Durrës duhej të mbaronte në nëntorin e vitit të kaluar, por punimet ende vijojnë. Tregu u mbyll për rindërtim në qershor, ndërsa punimet nisën me datën 12 korrik të 2021 dhe Bashkia e drejtuar nga Emiriana Sako njoftoi se do të duhen 112 ditë për ndërtimin. Të revoltuar tregtarët shprehen se janë mashtruar nga Sako, ndërsa shtojnë se gjithçka është bërë vetëm për vota.“Jemi shumë të shqetësuar për merkatën e Durrësit. Nga qershori deri sot nuk ka filluar. Na gënjejnë. Na thanë për 3 muaj nuk u bë, na thanë për 6 muaj nuk u bë. Vetëm për vota, nuk bëjnë punë. Unë kam qenë socialist, nuk e jap votën më.”Ata thonë se kanë mbetur mes 4 rrugëve, ndërsa shprehen se po shesin rrugëve. “Thanë fillimisht katër muaj, kryetarja për zgjedhjet e 25 prillit tha do bëhet për 90 ditë, u bë një vit.”“Unë jam pa punë, një pjesë kanë dalë në rrugë për 5 lekë.”Në treg ushtrojnë aktivitet rreth 600 tregtarë, ndërsa ende nuk dihet se kur do të përfundojë ndërtimi.

Fermerët dhe blegtorët në protestë: Mos u tallni me fshatin

Blegtorët dhe fermerët e Jugut janë mbledhur në qytetin e Përmetit për të protestuar mbi vështirësitë që po hasin në këtë sektor. Kryetari i shoqatës së prodhuesve vendorë në mbështetje të blegtorëve të Përmetit tha se protesta po bëhet duke marrë në konsideratë rritjen e çmimeve dhe subvencionet.

“Subvencionet nuk mbështesin dhe nuk përfaqësojnë denjësisht fermerin dhe blegtorin shqiptar duke mos e bërë konkurrues edhe me rajonin. Kjo ka detyruar fermerët dhe blegtorët pothuajse të gjithë Shqipërisë të lënë punën e tyre dhe të gjenden sot në rrugë. VKM që ka dalë në datën 09.02 nuk rrit dhe nuk i jep mundësi fermerëve dhe blegtorëve të kalojnë këtë krizë në të cilën gjenden”, u shpreh ai.Kryetari i shoqatës tha se kjo protestë do vijojë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.Disa nga pankartat që mbanin në duar ishin: “Subvencione=gënjeshtra”, “Mos u tallni me fshatin”, “Ulni çmimin e naftës”, “Na e hoqët përsheshin me qumësht.”Protestat e fermerëve muajt e fundit kanë qenë të herëpashershme, duke shprehur pakënaqësitë me politikat e qeverisë për ta.

Personat me aftësi të kufizuar në protestë: Nuk marim dot shërbime në institucione

Përfaqësuese të shoqatës së grave me aftësi të kufizuara, protestuan përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar marrjen e masave për krijimin ekushteve, që do të lehtësonte lëvizjen e tyre në rrugë, trotuare apo institucione. Presidentja e shoqatës së Grave me Aftësi të Kufizuara në Durrës, Elsa Tasha u shpreh se janë 300 gra e vajza me aftësi të kufizuara në këtë qytet, që nuk u njihen të drejtat dhe liritë. Qanie Byku është një grua, e cila lëviz me karrocë invaliditeti, ajo shprehet se nuk mund të lëviz lirshëm në qytet për shkak të problemeve që ka me infrastrukturën. Qytetarët kërkuan takim me kryebashkiaken Emirjana Sako, por në bashki nuk i priti askush. Ata paralajmëruan vijimin e protestave nëse nuk do të merren masa. Në mbështetje të protestës ishin dhe familjarë të tyre. Së bashku ata kërkuan më shumë të ardhura, ndihmë sociale dhe shërbime për këtë kategori, si dhe një ambient, zyrë nga bashkia për t’u organizuar dhe përfaqësuar denjësisht në mbrojtje të të drejtave të tyre.

Gratë protestojnë me 8 Mars, thirrja: Jo festë, stop dhunës

Më 8 Mars gratë do të zhvillojnë një protestë në Tiranë. Në rrjetet sociale po qarkullon posteri i protestës, i cili do të nisë në orën 09:00, në sheshin ‘Skëndërbej’. Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi Feminist. Me moton ‘Stop dhunës, jo festë, protestë, stop femicidit’, në ditën e grave pritet të bëhet marshim.

‘Kërkoj sanitare pa ngjyrë’, protestë kundër diskriminimit në Elbasan! 

 

Ditën e djeshme  në Elbasan është mbajtur një protestë sensibilizuese kundër diskriminimit, kjo e nxitur së fundmi dhe nga një njoftim pune i vendosur nga një biznes ku kërkonte të punësonte një sanitare, por jo me ngjyrë.

Ky njoftim ka nxitur që anëtarë të komunitetit egjiptian të dalin në shesh për të protestuar kundër diskriminimit. Të rinjtë, por dhe anëtar të komunitetit egjiptian sot kërkuan një zëri ‘STOP DISKRIMINIMIT’.