Letër e hapur/ Shqipëria më pranë perspektivës europiane se kurrë në kohën më të çuditshme

982
Sigal

Nga Klubi Studentor “Studime Ndërkombëtare & Diplomatike”, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.

Nëntë maji është “Dita e Europës”. Ne, studentë në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë e kemi mësuar me kërshëri historinë e Bashkimit Euriopian. Të ndërgjegjshëm se e ardhmja e vendit tonë i ka sytë vazhdimisht tek Unioni, në mbledhjet tona të Kubit të Studimeve Ndërkombëtare & Diplomatike UMSH ne  shpesh debatojmë për sfidat që jo vetëm vendi ynë, por edhe vetë Unioni po kalon.

Fara e Bashkimit Europian u hodh në gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore. Në një kontinent të rrënuar nga lufta dhe uria, pas vitit 1945, popujt e Evropës kërkuan mënyrën për të rindërtuar të ardhmen. Një grup udhëheqësish politikë vendosi se mënyra më e mirë për të shmangur konfliktet e reja ishte të bashkonin ato gjëra për të cilat shtetet ishin përleshur mes tyre, duke krijuar lidhje më të ngushta mirëbesimi dhe bashkëpunimi ekonomik. Ky ishte fillimi i një Bashkimi që gjithnjë e më tepër vetëm zgjerohej dhe thellohej.

Bashkimi Europian është një histori njerëzish, jetësh, por edhe histori institucionesh e drejtuesish, histori e cila vetëm evolon. Është historia e vlerave, objektivave standardeve dhe politikave të zhvilluara bashkarisht , që çuan në krijimin e një bashkimi përherë e më të fortë mes evropianëve i cili sot përfshin 27 Shtete Anëtare me rreth një miliardë qytetarë, një Bashkim i suksesshëm shtetesh dhe ku Shqipëria jonë e dashur aspiron të bëhet pjesë.

Kemi shijuar mbi 70 vjet paqe si kurrë më parë në kontinent dhe e dimë se rruga nuk ka qënë e lehtë.  Mirëpo, dora dorës që pandemia  zinte vend në Europë, Bashkimi disa-dekadësh shfaqi pikat e tij të dobëta. BE, ashtu si dhe shumë shtete të tjera të fuqishme, u gjend e papërgatitur, duke mos patur strategji konkrete për të ngadalësuar parametrat e pandemisë. Ne pamë se si izolimi erdhi me vonesë në mjaft shtete europiane dhe strategjitë e secilit shtet ishin individuale.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të një krize botërore të shoqëruar me një krizë besimi si dhe një rënie  të vlerave të organizatave ndërkombëtare në sytë e qytetarit kozmopolit duke përmendur këtu  jo vetëm BE-në, por edhe OKB-në e sidomos OBSH-në.  Mirëpo, ne kemi mësuar se fjala “krizë”, në gjuhën e shkruar kineze, përbëhet nga dy simbole: njëri përfaqeson rrezikun, dhe tjetri përfaqëson mundësinë. Rrezikun që ka sjellë pandemia po e përjetojmë të gjithë. Ndërsa prespektiva tjetër  (simboli kinez i mundësisë) janë dyshimet e vazhdueshme kundrejt BE-së të  kthyera tashmë në reflektim të thellë drejt së ardhmes së përbashkët europiane.

Të mbrosh projektin europian do të thotë të nisesh nga fakti se i shërben një sovranitet më i fortë sesa ai aktual; kundrejt migracioneve, pasigurisë planetare, transformimeve mjedisore dhe shoqërore. Një pandemi globale paska qenë një mënyrë e mirë për t’i bërë vetes një analizë të vërtetë restaurimi dhe kjo vlen për ne individualisht, për vendin tonë,  për BE-në dhe gjithë botën.

Megjithatë, ne pamë se përballë një kërcënimi ekzistencial, shtetet anëtare të Bashkimit Europian, larg nga të qënit të bashkuar për të përballuar pandeminë si një bllok i unifikuar, instinktivisht u kthehen për të ndjekur interesat kombëtare. Ne pamë se për qytetarët europianë dhe shumë më pak për pjesën tjetër të botës, atraksioni i Bashkimit Europian, si model i identitetit europian të llojit “mbikombëtar”, po ezaurohej gjatë kulmit të kaosit të pandemisë. Ne pamë shembuj të ndjekjes unilaterale të interesit kombëtar nga ana e liderëve europianë, shumë prej të cilëve përqafojnë globalizmin, por në momentet e dëshpërimit u detyruan të përqafojnë nacionalizmin, shtete të tilla si: Franca, Gjermania, Austria, Sllovenia, Republika Çeke, Zvicra (e cila ende nuk është pjesë e BE-së), Italia, Danimarka, Polonia, Hungaria, Spanja, Belgjika etj. Ne pamë se kontinenti i vjetër, në vend që të kërkonte zgjidhje të përbashkëta, Europa thuajse u ballkanizua duke u kthyer tek zgjidhjet kombëtare.

Gjatë kohës që shteteve të BE-së u duhej të merrnin masa për parandalimin e përhapjes së pandemisë, shumë qytetarë  u preokupuan për vetë thelbin e Unionit dhe katër liritë e tij (qarkullimin e lirë të qytetarëve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitaleve). Çfarë është Bashkimi Europian nëse qytetarët e tij nuk mund të lëvizin lirisht? Çfarë është Tregu Unik nëse mallërat nuk mund të kalojnë pa pengesa kufijtë e Europës?”. Brukseli u përball pamëshirshëm me një krizë besimi mes vendeve anëtare e aq më tepër nga vetë qytetarët e eurozonës.

Ne brezi i ri i Shqipërisë vazhdojmë të jemi ende euroentuziastë dhe mendojmë së shpesh  pakënaqësitë e shprehura ndaj Bashkimit Europian kanë më shumë gjasa të jenë maska të qeverive të ndryshme kombëtare për t’iu shpëtuar përgjegjësive përpara popujve të tyre. Kuptohet se asnjë nga ekonomitë e kontinentit  nuk mund të ngrihet mbi themele të forta në mënyrë individuale me kufij të mbyllur, pa përfituar nga katër liritë themolore të qarkullimit brenda Unionit. Ne mendojmë se Bashkimi Europian do të jetë edhe më jetik sidomos pas pandemisë.

Në fillim të kërcënimit nga koronavirusi, u duk se Unioni tregoi shumë pak nga ai solidaritet i çmuar multilateral që për dekada i ka shitur vetes dhe pjesës tjetër të botës si themel të unitetit europian. Shtetet anëtare më të goditura nga pandemia – Italia dhe Spanja – u ndjenë të braktisura nga shtetet e tjera anëtare duke përçuar dritëhije për mungesën e ‘solidaritetit europian’. Gjatë kulmit të kaosit, pasigurisë dhe zhgënjimit të disa shteteve kundrejt Unionit që solli virusi Covid 19 lindi pyetja nëse BE-ja ishte në zhbërje e sipër…

Por jo! BE është vullnet, përpjekje dhe proces i ndërtuar prej 7 dekadash.  Shumë kapital politik dhe ekonomik është investuar në projektin europian që elitat vendimmarrëse  të mund të bëjnë ndryshe. BE ka kaluar në një rrugë të gjatë përmes sfidash  dhe të panjohurash por nuk është humbur besimi se ëndrra e BE-së do te bëhet realitet. Ajo më tepër tash se kurrë është dhe do të jetë një perspektivë e qartë dhe realiste evropiane.

Tashmë thjeshtë sinjali është i qartë për të gjithë: kur gjërat bëhen serioze, çdo shtet anëtar kujdeset më së pari për vetveten, edhe 70 vjet pas krijimit të Bashkimit”. Pandemia përveç sfidave të tjera, provoi se koncepti i shtetit komb vazhdon të trumfojë në botën e sotme të globalizuar.

Ndërsa Bashkimi Europian ka arritur t’i mbijetojë Brexit dhe krizës së euros, kriza e gjeneruar nga koronavirusi mund të rezultojë megjithatë një sfidë mjaft e vështirë, por jo e pakalueshme. Ne kemi mësuar se pas Luftës së II-të Botërore, Europianët kërkuan një politikë të fortë sociale për të ndihmuar më të dobëtit dhe Traktati i Romës themeloi Fondin Social Evropian. Sot, një e treta e buxhetit të BE-së shpenzohet për kohezionin ekonomik e social.

Bashkimi Europian, edhe pse me pak vonesë, ka reaguar në kohë reale për tejkalimin e krizës  duke marrë disa angazhime serioze përsipër.

Lufta ndaj pandemisë duhet të konsiderohet si njësia matëse e përdorimit të të mirave të përftuara nga Bashkimi Europian dhe jo si një njësi matëse e forcës së Bashkimit Europian. Gjithashtu, me iniciativë të komisionit të BE-së, Italia, Franca, Gjermania dhe Norvegjia, bashkë me Këshillin Evropian, kanë prezantuar një plan bashkëpunimi global për kërkimet mbi një vaksinë kundër COVID-19. Më 4 maj, në konferencën e donatorëve të paralajmëruar, u mblodh një shumë fillestare prej 1 miliardë eurosh për të prodhuar terapitë dhe vaksiant  si një e mirë publike globale për të ndihmuar jo vetëm Unionin por gjithë botën të kapërcejë pandeminë për të sheshuar kështu mungesën e financimeve në këtë drejtim.

Gjithashtu, e ndërgjegjshme për rrezikun që virusi i ka shkaktuar edhe sektorit të turizmit, BE ka prezantuar “corona-pasaportën” turistike si një plan kyç për nxitjen dhe shpëtimin e ekonomive kombëtare”, duke shpëtuar vende si Kroacia, Italia, Spanja dhe Greqia. “Turizmi përbën 10 deri në 11 për qind të GDP së Bashkimit Evropian dhe punëson 12 për qind të punonjësve të tij.

Thënë këto, ne mendojmë se pandemia nuk mund të jetë kurrësesi një faktor distancimi midis vendeve e aq më pak midis shteteve të angazhuara prej 7 dekadash. Ne librin ” Guximi për të shpresuar” Barack Obama shpjegon se si ata që kishin qenë në Luftën e Vietnamit merreshin vesh mjaft mirë edhe pse ishin nga kahe të kundert politikë. Mendimi ynë është se pasi të gjithë kanë përjetuar një “frikë” të përbashkët,  BE-ja do të jetë shumë më e hapur me vendin tonë dhe me rajonin.

Për më tepër, BE-ja në periudhën e pandemisë mbetet më e përkushtuar se kurrë për të forcuar lidhjet me vendet e Ballkanit Perëndimor.  Në 29 prill në Samitin virtual Komisioni Evropian prezantoi paketën e ndihmës për Ballkanin Perëndimor e cila përfshin asistencën financiare të BE-së dhe Kreditë e Bankës Evropiane të Investimeve me një shifrër prej 3,3 miliardë euro. Kjo paketë ka për qëllim adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit si dhe për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike, dhe  krahas kësaj, Komisioni Evropian premtoi se  do të dalë më vonë gjatë vitit edhe me propozimin për mbështetje afatgjate të rajonit, përmes investimeve në formën e një Plani Ekonomik të Investimeve.

Drejtues të lartë të BE-së kanë deklaruar se do të vazhdojnë të mbështesim rajonin, përfshirë edhe në reformat që duhen në rrugën e tyre drejt BE-së.  Duke theksuar se “rimëkëmbja do të jetë e suksesshme vëtëm nëse vendet i kryejnë këto reforma”,  Bashkimi Evropian ka rikujtuar vendet e rajonit të Ballkanit që të fokusohen në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe dhënies së rezultateve në këto fusha. Kjo porosi do të përsëritet edhe gjatë video konferencës së liderëve që do të zhvillohet me 6 Maj 2020, kur ishte menduar të zhvillohej Samiti i Zagrebit mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë Samit do të përsëritet përkushtimi i BE-së për të forcuar lidhjet me vendet e Ballkanit perëndimore dhe përfshirjen e tyre në nismat evropiane në shumë fusha, prej zhvillimit ekonomik e deri tek masat për ruajtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.

Rrugëtimi i Shqipërisë ndër vite për të pasur një përgjigje pozitive ndaj negociatave me BE ,ishte nje kalvar i gjatë kushtesh dhe reformash të cilat mundësuan diçka të tillë. Në një moment aspak të zakontë për botën, Komisioni Europian pranoi që vendit tonë t’i hapen negociatat për anëtarësimin në familjen e madhe të Europës. Shqipëria, i njohur si vend i çudirave, edhe negociatat i hapi pikërisht në kohën më të çuditshme.

Vetë Shqiptarët mbeten një komb entuziast sa i takon anëtarësimit të plotë të vendit të tyre në Bashkimin Europian, të cilën e perceptojnë si një akt shprese për të ardhmen e vendit.

Ngrihet pyetja: a është vendi ynë gati për të qënë pjesë e BE-së?. Shqipëria sot është një hap më pranë BE-së se kurrë, por ende shumë larg standarteve europiane. Ne mendojmë se puna që i duhet Shqipërisë për të qënë në BE është shumë herë më e vështirë nga çfarë vendi ka bërë deri më sot. Jeta politike është akoma një pengesë e madhe që trazon ujërat që na afrojnë me Europën. Reformat që ka ndërmarrë vendi ynë si kushte të komunitetit kanë qënë themelore dhe konkrete, po rtë ngadalta.

Problemi ynë më tepër se çdo gjë është kulturor, në pikëpamjen e kulturës politike. Nje popull i me një kulturë politike demokratike krijon një shtet  europian të integruar pa tejzgjatje. Procesi i integrimit europian është një sfidë që duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të europianizohet brenda saj dhe të mos ndalet me reformat e ndërmarra kaq të avashta.

Megjithatë fakte për të qenë shpresëplotë! Kohërat e çuditshme të koronavirusit  si një luftë pa armë e shfaqur në të gjithë botën, vërtetojnë  se  populli shqiptar është Evropë dhe ndihet po aq europian në qeverisshmëri sa çdo popull tjetër që bënë pjesë në BE. Ne po zbatojmë çdo ligj/akt normativ të ndërmarrë për të mirën e përgjithshme.  Për një çast menduam se ky virus do të na mposhtte duke ditur mundësitë tona të pakta dhe deficitet mjekësore e spitalore, mirëpo, me sa po duket, kjo krizë thjesht po na hap më shumë rrugët e mundësitë  drejt së ardhmes sonë të sigurt europiane. E ardhmja e Shqipërisë është në BE, por puna, përkushtimi dhe dëshira për të përmirësuar jetën sociale, ekonominë dhe politikat e brendshme duke vazhduar reformat e ndërmarra duhen të jetë në doza të larta.

Përtej fasadës, ne kemi ende shumë shumë punë për të bërë. Nisur nga gjendja aktuale e vendit, nga kultura politike e masës dhe vetëdija e elitës politike, duket më realiste të presim pak më pak  dhe dhe të punojmë pak më shumë. Dhe mendojmë se kur të jemi gati vërtet, do dijmë pak më shumë, e kur di vërtet më shumë dhe më mirë, përfundon duke i rivlerësuar ëndrrat!

Së bashku do ta tejkalojmë krizën pandemike dhe reformat!

Klubi Studentor “Studime Ndërkombëtare & Diplomatike”

Univeristeti Mesdhetar i Shqipërisë

(Nën drejtimin e pedagogëve: Xhuljeta Krasta dhe Era Buçpapaj