Shqipëria, i vetmi vend në rajon që nuk ka hapur ende transportin publik, penalizon qytetarët dhe bizneset

340
Sigal

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka rihapur transportin publik, pas pandemisë së Covid-19.

Në shumë vende të Ballkanit, por edhe më gjerë në Evropë, është rikthyer normaliteti dhe transporti publik është funksional, sigurisht me masat e nevojshme të distancimit social dhe higjienës.

Shumë qytetarë kanë hasur problematika, sepse në mungesë të automjeteve private, e kanë të vështirë të shkojnë në punë, apo studentët në auditore. Problematike duket se është situata edhe për shumë biznese, për shkak se ka vështirësi në sigurimin e burimeve njerëzore, kur qytetarët banojnë larg vendeve të punës.

Moslejimi ende i transportit publik shkakton një vorbull ekonomike me pasoja zinxhir, që dëmton si punëmarrësit ashtu edhe punëdhënësit, çka përkthehet në rënien e vendeve të punës, dobësimin e fuqisë blerëse dhe më pak taksa në arkën e shtetit.

Vendet e rajonit kanë ndërmarrë mjaft masa sigurie për të ruajtur shëndetin në transportin publik. Masa që Shqipëria do të mjaftonte t’i kopjonte dhe t’i zbatonte, për ta lehtësuar jetesën e qytetarëve për të rikthyer në ritme normale ekonominë e vendit.

Në Greqi përshembull transporti publik është hapur më 4 maj dhe rregulli bazë është ruajtja e distancës një metër mes udhëtarëve, gjithashtu vendosja e maskave me detyrim.

Po kështu në Kroaci transporti publik është hapur që më 27 prill dhe parashikohet ruajtja e distancës prej një metër mes udhëtarëve dhe vendosja e maskave.

E njëjta situatë edhe në Malin e Zi, ku transporti publik funksionon që prej datës 11 Maj dhe ku rregulli kryesor, është që një mjet të mos ketë më shumë udhëtarë se sa ulëse.

Kosova gjithashtu e ka rihapur transportin publik më 18 Maj dhe rregulli bazë që aplikohet është se numri i udhëtarëve në autobus nuk mund të jetë mbi 20.

Është e paqartë përse Shqipëria vijon të mbajë të mbyllur transportin publik, kur situata e Covid-19, është thuajse e njëjtë, apo më e mirë, se në vendet e rajonit. Kjo situatë vijon të penalizojë qytetarët dhe biznest.