Shqipëria i vetmi vend në Rajon, pa pavijonin e sëmundjeve profesionale

626
Përparim HALILI

Ngritja e pavijonit për sëmundjet profesionale të 810 mijë pacientëve, shtyhet për në qershor 2019
“Shqipëria që duam”, i vetmi vend në Rajon pa shërbim për sëmundjet profesionale. Duhej ngritur në shtator 2015, u shty për shtatorin 2016, pastaj për shtatorin 2017, tani edhe për 2 vite…
Çdo vit, shtohen mbi 11 mijë pacientë me sëmundje profesionale, afro 80% e të cilëve i përkasin 10 profesioneve më të ekspozuara nga këto sëmundje, kryesisht në sektorët e metalurgjisë, tekstileve, minierave, inerteve, tipografive, fabrikave që punojnë me lëndë kimike, ndërtimit, punës me ndotje, mbetje teknologjike e urbane, sektorëve të punës me zhurma…
Programi qeverisës e “tepsisë vetëm” me logon “Shqipëria që duam”, ka nisur me një vendim që lë pa shërbim mjekësor të specializuar, gjithë shqiptarët me sëmundje profesionale, të shkaktuar prej kushteve të mjediseve të punës, prej profesionit që ushtrojnë dhe prej llojeve të makinerive e lëndëve të para, me të cilat ata punojnë në ndërtim, miniera, depo lëndësh kimike, makinerish të renda transporti e gërmimesh, lëndësh të para në tekstile, bujqësi, ndërtim, mjekësi, miniera, pyje, gurore, ujësjellës, transport e kudo, ku ka rreziqe të shkaktimit të sëmundjeve profesionale. Vetëm 2 vjet pasi erdhi në pushtet, në datën 1 korrik 2015 “Rilindja” miratoi VKM Nr. 594, datë 01. 07. 2015 “Për sëmundjet profesionale”, të cilin e publikoi në “Fletore Zyrtare” Nr. 118, datë 9 korrik 2015, duke e hartuar dhe miratuar pa asnjë konsulencë publike me grupet e interesit dhe faktorët socialë, sipas të cilit, brenda datës 1 shtator 2015, brenda mjediseve të QSUT, do të ngrihej një pavijon special për trajtimin e sëmundjeve profesionale, që nga kontrolli mjekësor e deri tek shtrimet dhe operacionet, madje u përcaktuan edhe llojet e sëmundjeve që do të trajtoheshin me shpenzimet e shtetit. Në muajin shtator 2015, pavijoni nuk u hap dhe ish-ministri Beqja, deklaroi se VKM Nr. 594, datë 01. 07. 2015, do të zbatohej më 1 shtator 2016! As në muajin shtator 2016, nuk u hap pavijoni për sëmundjet profesionale! Ish-ministri Beqja, doli e premtoi përsëri, se ky pavijon do të niste shërbimin e plotë në muajin shtator të vitit 2017! Dje, telefonoi në redaksi një ish-gjeolog, pacient me sëmundje profesionale, i cili na tha, se në QSUT ku kishte shkuar për trajtim mjekësor, i kishin thënë: Nuk ka pavijon për sëmundjet profesionale, ka vendim për ta hapur, por na kanë njoftuar se do të hapet në qershor të vitit 2019! Sipas këtij vendimi, trajtimi i pacientëve me sëmundje profesionale do të nis pas… 2 vitesh! Në VKM-në që po shtyhet e nuk zbatohet, duke krijuar bindjen e plotë se është vetëm falsitet dhe mashtrim i “rilindjes”, përcaktohet edhe lista me 113 shkaqet e sëmundjeve profesionale, që do të njihen për efekt të trajtimit të atyre punonjësve që sëmurë prej tyre. 
Një qytetar, i denoncon kryeministrit një realitet tronditës nga “Shëndetësia falas”, në bashkëbisedimin “Shqipëria që duam” : Urgjencat janë kthyer në “dhoma gjumi” për mjekët, auto-ambulancat në furgona transporti.
Pas thirrjes së kryeministrit Rama, drejtuar shqiptarëve për të dhënë mendime lidhur me projektin “Shqipëria që duam”, një qytetar i cili është “vizitor” i shpeshtë i urgjencave mjekësore në Tiranë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore me probleme, i ka bërë prezent një realitet tronditës, lidhur me “shëndetësinë falas e të ndryshuar” (siç deklaron kryeministri). Është fjala për urgjencat mjekësore që edhe në Tiranë janë mizerje, pothuajse jashtë funksionit e gatishmërisë, ndërkohë që në rrethet e tjera të vendit, ato janë një “ëndërr rilindëse” që mungon realisht, sidomos në zonat rurale, ku nuk ka as infermierë! Në mesazhin e tij drejtuar kryeministrit, qytetari shkruan: “Me Shqipërinë që duam, nuk kemi atë shëndetësi dhe shërbim urgjence mjekësore që na duhet, mbasi urgjencat mjekësore në Tiranë e në rrethet kryesore të vendit ku më ka rënë rasti të shkoj për shërbim, janë kthyer në “dhoma gjumi e dëzhurni” për mjekët dhe infermierët. Në urgjencat mjekësore, nuk ka asnjë bazë materiale që të shërbejnë funksionalisht në raste urgjencash. Auto-ambulancat janë kthyer në furgona transporti me stola, që shërbejnë për të marrë pacientët kur njoftohen”. Denoncimi i qytetarit është fakt që duhet pranuar, paçka se prej 4 vitesh është tentuar të mbulohet me lëvdata për ish-ministrin koncesionar Ilir Beqka, me firmën e të cilit janë hedhur afro 30 milionë euro për urgjencat mjekësore e ato përsëri janë katandisur për të shkuar vetë në “urgjencë”, duke u shkatërruar qëllimisht prej ministrit Beqja, ne emër të politikës korruptive klienteliste të koncesioneve! Gjendja e shërbimit të urgjencës në Shqipëri është mjerane, aq sa prej mungesës së barnave e pajisjeve mjekësore, të auto-ambulancave që shpesh bllokohen për mungesë karburanti apo se nuk… ndizen ngaqë janë rrangalla, ka ndodhur në shumë raste, që pacientët kanë humbur edhe jetën në banesat e tyre, brenda auto-ambulancave e dhomave të urgjencave! Nuk mund të akuzojmë mjekët për indiferencë apo për paaftësi, por skemat e dështuara e korruptive të “Rilindjes” që në 4 vite pushtet jo vetëm nuk na dha shëndetësinë fal;as siç premtoi, por edhe me pagesë nuk na dha shëndetësinë që duam e që duhet të jetë në shërbim të popullatës! Mesazhin e tij, dërguar kryeministrit Rama, qytetari e ka titulluar kështu: “Ja shëndetësia që nuk duam”, duke i kujtuar se me çfarë pajisjesh e medikamentesh mjekësore funksionale, duhet të pajisen qendrat e shërbimit të urgjencave mjekësore dhe auto-ambulancat “Urgjenca”!
Qendra e trajtimit të urgjencës, duhet të ketë këto 25 pajisje
1. Monitor për matje tensioni, ngopje oksigjeni, temperaturë
2. Monitor për ngopje oksigjeni
3. Monitor për matje temperature
4. Aparat Pulsoksimetër
5. Kapëse për ndalimin e gjakut
6. Aparat tensioni
7. Pajiset intrevenoze (Vigon)
8. Pompa infuzioni
9. Termometër
10. Pompe frymëmarrje (AMBU)
11. Kanjula Guedel
12. Bombula Oksigjeni
13. Barela
14. Bandazhe
15. Çarçaf
16. Allçi
17. Kateteret urinare (Set Folei)
18. Borsa për ngrohje
19. Llampa scialitike
20. Dollap medikamentesh
21. Frigorifer për medikamente
22. EKG portative
23. Glukozmetër portative
24. Ekonograf portative
25. Analizues i gazit në gjak
Auto-ambulancat “Urgjenca Modeli A&B”, duhet të kenë këto 30 pajisje e barna 
1. Defibrilator me monitor 
2. Manikotë qafe 
3. Aspirator portabël
4. Pulsoksimetër 
5. Dërrasë për shtyllën kurrizore 
6. Çantë me fasho
7. Kapëse për ndalimin e gjakut 
8. Dyshek vakumi 
9. Allçi
10. Aparat tensioni 
11. Ventilator automatik 
12. Set i djegies
13. Pajisje IV 
14. AMBU 
15. Set kardiovaskular
16. Mbajtëse barele 
17. Kanula 
18. Guedel 
19. Set për dranazh torakal
20. Barelë
21. Bombul oksigjeni 
22. ET 
23. Kapëse për ndaljen e gjakut 
24. Aspirator portativ
25. Çantë me bandazhe
26. Barelë 
27. Ngritës barele 
28. Bombël oksigjeni
29. Karburant, serbatori i mbushur 100% 
30. Karburant, 2 sasi furnizimi rezervë
Sigal