Shqipëria, 1/3 familjeve mbahen me paratë e emigrantëve

523
Banka e Shqipërisë kërkon që të reduktohen kostot tejet të larta për dërguesit dhe bankat të jenë më aktive
Në Shqipëri, rreth 1/3 e familjeve jetojnë me paratë që vijnë nga emigracioni. Por ajo që konstatohet tashmë prej shumë vitesh, janë kostot e larta financiare, që duhet të paguajnë emigrantët për të dërguar para pranë të afërmve në atdhe. Duke njohur këtë problematikë, Banka Botërore në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë kanë ndërmarrë projektin “Greenback 2.0”, që shërben si një mjet për promovimin e kanaleve të aksesueshme dhe instrumenteve të pagesave me kosto efektive për dërgimin dhe marrjen e remitancave. Zv/guvernatorja e parë të Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni, theksoi rëndësinë që kanë dërgesat e emigrantëve për ekonominë shqiptare, si nga pikëpamja makroekonomike, ashtu edhe nga ajo e familjes në nivel mikro. Kjo duke pasur parasysh rëndësinë që kanë dërgesat e emigrantëve në konsum, ku këto flukse vlerësohet të financojnë mbi 1/3 e familjeve, të cilat i kanalizojnë këto të ardhura për të mira të domosdoshme, edukim, shëndetësi dhe në një masë më të vogël në investime. “Sot remitancave po i kushtohet rëndësi në nivel ndërkombëtar, në kuadër të një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, u shpreh Gjoni. Numri dy i Bankës së Shqipërisë theksoi nevojën e një pjesëmarrjeje më aktive të sistemit bankar dhe atij financiar në këtë fushë, duke e parë si një mundësi për zgjerimin e aktivitetit të tyre. Gjithashtu, ajo në dukje dhe nevojën e reduktimit të kostove të dërgesave të emigrantëve, të cilat rezultojnë të jenë tejet më të larta se objektivat e vendosura nga organizatat ndërkombëtare (G8, G20, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore) në këtë drejtim, si dhe krahasuar me ato të vendeve të tjera të rajonit.

Kostot e dërgesave të emigrantëve, më të lartat në rajon
Kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri janë më të larta në raport me rajonin. Sipas një vrojtimi të Bankës Botërore, kosto e dërgimit të parave në rrugë formale në Shqipëri është 9.4% e shumës së dërguar, ndërsa për rajonin, mesatarja është 7.2%. Përfaqësuese e Bankës Botërore, Johanna Jaeger theksoi gjatë aktivitetit me Bankën e Shqipërisë rëndësinë e remitancave për ekonominë dhe u fokusua në vlerën që kanë këto flukse hyrëse për familjet në kuadër të mirëqenies dhe eliminimit të pabarazisë sociale. Ajo nënvizoi gjithashtu, nevojën e reduktimit të kostove për këto dërgesa të emigrantëve në Shqipëri, të cilat vlerësohet të jenë të ndjeshme për dërguesit. Specialistja e lartë e sektorit financiar në Bankën Botërore, Maria Do CeuDa Silva Pereira, gjatë prezantimit të saj, vuri në dukje se remitancat janë një aspekt tejet i rëndësishëm i sistemeve të pagesave dhe se Banka Botërore përmes programit PRP fokusohet në diagnostikimin e tregjeve ku ky projekt është aktiv. Kjo realizohet përmes vendosjes së standardeve ndërkombëtare për matjen e eficiencës së këtyre sistemeve dhe asistencës teknike në nivel ligjor, infrastrukturor dhe edukimit financiar të klientëve përfundimtarë, ku përfshihet edhe projekti “Greenback 2.0”. Ky projekt ka si synim përfundimtar uljen e kostove të remitancave dhe formalizimin e këtij shërbimi, në mënyrë që këto të ardhura të kthehen në një vlerë të shtuar për ekonominë familjare dhe kombëtare.
Sigal