Shqipëri-Poloni, kontrolle të rrepta të tifozëve nga ana e policisë

173
Sigal

Pak orë nga përballja e kuqezinjve ndaj Polonisë në “Air Albania” (20:45), kanë mbërritur edhe tifozët e parë në stadiumin e kryeqytetit, duke nisur nga ora 18:00. Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, policia po ushtron kontrolle të rrepta ndaj tyre, për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes së vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.

Siç duket edhe nga pamjet, tifozët po kontrollohen një nga një për armë, sende të forta, bidonë uji, çelësa metalikë apo mjete piroteknike, ndërkohë që do të duhen të jenë të pajisur me dokument identifikimi.

Sipas planit të masave të hartuar nga policia, nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit. Lëvizja e tyre do të garantohet nga Policia, përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Rrugët që do të qëndrojnë të bllokuara deri në përfundim të ndeshjes janë: Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Faik Konica” rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga Asim Zeneli” rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.