Shpërthimi me tritol në Shëngjin, zbulohet shënjestra e atentatit

370
Sigal

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer orët e vona të së enjtes në një objekt në ndërtim në Shëngjin. Sipas informacioneve të Policisë, ngjarja ndodhi në zonën e “Ranës së Hedhun”, ndërsa lënda plasëse, e cila dyshohet të jetë e llojit tritol është vendosur në katin e parë të godinës. Kjo e fundit, mësohet se po ndërtohet nga biznesmeni Liman Gjoka, ndërsa fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme të vogla materiale.

NGJARJA

Sipas burimeve nga uniformat blu, në momentin e ngjarjes brenda kantierit të ndërtimit ka qenë vetëm roja, i cili sapo ka dëgjuar shpërthimin ka njoftuar Policinë. Ende nuk është përcaktuar sasia dhe lloji i lëndës shpërthyese, ndërsa në lidhje me ngjarjen nisën menjëherë hetimet. Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se autorët kanë zbritur nga mjeti, me të cilin lëviznin dhe janë drejtuar për tek objekti që ndodhet afër bregut të detit, ku edhe kanë vendosur lëndën plasëse. Më pas, mendohet se kanë lëvizur sërish me automjetin e tyre, i cili nga këqyrja e kamerave ka rezultuar se ishte pa targa në drejtim të Lezhës.

HETIMET

Në lidhje me ngjarjen, Policia po merr në pyetje disa persona mes të cilëve edhe biznesmenin Gjoka, i cili ishte objekt i sulmit. Policia ende nuk ka asnjë person të ndaluar si autor i dyshuar i ngjarjes. Hetimet janë përqendruar te konfliktet e pronësisë, pikërisht në vendin ku po ndërtohet, pasi ka pretendime për një pjesë të sipërfaqes së truallit në atë vend nga një tjetër person, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në zonën ku edhe ndodhi ngjarja, ka disa kamera sigurie, të cilat pritet të sekuestrohen nga Policia në cilësinë e provës materiale, për të parë lëvizjet në momentin para dhe pas shpërthimit. Biznesmeni Liman Gjoka, me banim në Tiranë po ndërton një pallat në bregun e detit, në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin. Kjo zonë turistike mjaft e lakmuar është kthyer në kantier ndërtimi gjatë dy viteve, pas miratimit të planit strategjik të zhvillimit të kësaj zone. Lejet e ndërtimit janë dhënë nga Bashkia Lezhë gjatë viteve 2018-2019.