Shpërthejnë ujërat e zeza, bllokohet rruga te Shkëmbi i Kavajës

525
Rruga dytësore në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës është prishur duke e kthyer në një kaos të vërtetë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve, për shkak të ndërhyrjeve të Ujësjellës Kanalizimeve për kullimin e ujërave. Si pasojë e kësaj ndërhyrje të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve dhe komunës Rrashbull për rregullimin e sistemit të ujërave të zeza që zbrisnin prej kodrës në rrugën dytësore, rruga është shkatërruar tërësisht, duke krijuar një gropë të madhe. Mësohet se për shkak të dëmtimit të rrugës, kalimi i automjeteve është i ndaluar deri në riparimin e rrugës, ndërsa ujërat e zeza kanë vërshuar në katet e para të banesave dhe bizneseve të zonës. Punimet janë lënë në mes nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve, punëtorët janë larguar, ndërsa era e rëndë është përhapur në të gjithë zonën. Këmbësorët përballen çdo ditë më vështirësinë e lëvizjes në këtë zonë, pasi autobusi i linjës Golem Durrës, i lë udhëtarët rreth 100 metra larg nga kjo rrugë, ndërsa ata duhet të kalojnë nëpër rrugën e dëmtuar me qëllim për të kapur autobusin e linjës tjetër. Ky skandal në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, shënohet në prag të çeljes së sezonit turistik çka mund të sjell, prishjen e imazhit të turizmit. Por përveç këtij fakti, mjaft serioze problematike paraqitet situata edhe në aspektin shëndetësor dhe mjedisor.
Sigal