Shpërthejnë minat në Tropojë! Punimet e kompanisë ‘Gener 2’ për ndërtimin e HEC-eve shkatërrojnë rrjetin elektrik

902
Sigal

Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Bajram Currit dy inxhinier të kompanisë ‘Gener 2’ pas dy shpërthimeve të fuqishme gjatë punës për ndërtimin e HEC-eve që tronditën banorët e zonës.

Në një lidhje telefonike anëtari i Shoqërisë Civile Dardan Metaliaj tha se ka pasur dy shpërthime të fuqishme me diferencë 10-15 minuta, ku për pasojë është dëmtuar rrjeti elektrik.

“Është një shpërthim i fuqishëm, isha në shtëpi në atë moment në katin e parë dhe mu duk sikur shtëpia u shemb. Pas 10-15 minutash ka pasur një tjetër shpërthim edhe më të fuqishëm. Nuk ka patur asnjë njoftim nga firma dhe fatmirësisht nuk ka patur turistë duke kaluar sepse do të ishte shumë e rrezikshme”, tha ai.

Pas shpëthimeve banorë dhe anëtarë të Shoqërisë Civile kanë bllokuar rrugën për të kërkuar shpjegime në lidhje me situatën. Por me ardhjen e policisë ata e kanë liruar rrugën. Megjithatë, Metaliaj shtoi se nëse situata vijon të mbetet e njëjtë, rruga do të bllokohet sërish dhe do ketë protesta.

Sa i përket Valbonës, aktivisti tha se ajo që po ndodh atje me ndërtimin e HEC-eve nga ‘Gener 2’ është një masakër e vërtetë.

“Policia na tha që do zgjidh situatën dhe liruam rrugën, nëse nuk zgjidhet situata e bllokojmë prap, me Valbonën po bëhet masakër, kemi pasur kërcënime, me burg”, tha ai.

Kompania ‘Gener 2’ po ndërton dy HEC-e në Valbonë, atë të Dragobisë dhe Ceremit, pavarësisht protestave dhe reagimeve të shumta të ambientalistëve të cilët e kanë kundërshtuar  pasi sipas tyre kjo do të shkretonte një nga perlat e Shqipërisë por edhe Europës.