Shpërthejnë minat në Tropojë! Punimet e kompanisë ‘Gener 2’ për ndërtimin e HEC-eve shkatërrojnë rrjetin elektrik

649
Sigal

Policia ka shoqëruar në Komisariatin e Bajram Currit dy inxhinierë të kompanisë ‘Gener 2’ pas dy shpërthimeve të fuqishme gjatë punës për ndërtimin e HEC-eve që tronditën banorët e zonës. Në një lidhje telefonike anëtari i Shoqërisë Civile, Dardan Metaliaj tha se ka pasur dy shpërthime të fuqishme me diferencë 10-15 minuta, ku për pasojë është dëmtuar rrjeti elektrik.“Është një shpërthim i fuqishëm, isha në shtëpi në atë moment në katin e parë dhe m’u duk sikur shtëpia u shemb. Pas 10-15 minutash ka pasur një tjetër shpërthim edhe më i fuqishëm. Nuk ka patur asnjë njoftim nga firma dhe fatmirësisht nuk ka patur turistë duke kaluar, sepse do të ishte shumë e rrezikshme”, tha ai. Pas shpëthimeve banorë dhe anëtarë të Shoqërisë Civile kanë bllokuar rrugën për të kërkuar shpjegime në lidhje me situatën. Por me ardhjen e policisë ata e kanë liruar rrugën. Megjithatë, Metaliaj shtoi se, nëse situata vijon të mbetet e njëjtë, rruga do të bllokohet sërish dhe do ketë protesta. Sa i përket Valbonës, aktivisti tha se ajo që po ndodh atje me ndërtimin e HEC-eve nga ‘Gener 2’ është një masakër e vërtetë.“Policia na tha, që do zgjidhë situatën dhe liruam rrugën, nëse nuk zgjidhet situata e bllokojmë prap, me Valbonën po bëhet masakër, kemi pasur kërcënime, me burg”, tha ai.Kompania ‘Gener 2’ po ndërton dy HEC-e në Valbonë, atë të Dragobisë dhe Qeremit, pavarësisht protestave dhe reagimeve të shumta të ambientalistëve, të cilët e kanë kundërshtuar, pasi sipas tyre kjo do të shkretonte një nga perlat e Shqipërisë, por edhe Evropës.