Shpërndanin drogë, arrestohen tre persona në Durrës, sekuestrohen pesë milionë lekë

787
Sigal

Policia e Durrësit ka arrestuar tre persona, Elio Çibuku 28 vjeç, Fabio Karaboja 20 vjeç dhe vajzën me iniciale M. M, 20 vjeçe, pasi shpërndanin kokainë dhe heroinë nëpër qytet.

Policia iu ka sekuestruar të arrestuarve disa doza heroine dhe kokaine, një shumë parash prej pesë milionë lekë të vjetra, si dhe një biçikletë që përdorte Karaboja për të shpërndarë drogën.

Njoftimi i Policisë:

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “HIGH QUALITY”, i ndjekur me metoda proaktive. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Sekuestrohet rreth 0.5 kg lëndë narkotike, e llojit heroinë dhe kokainë, si dhe një sasi e konsiderueshme parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori, shpërndarësi dhe bashkëpunëtorja e shpërndarësit të lëndës narkotike).

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan operacionin policor të koduar “HIGH QUALITY”, të ndjekur me metoda proaktive. Në kuadër të këtij operacioni u godit një grup që merrej me organizimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike të forta, heroinë e kokainë.

Si rezultat u vunë në pranga shtetasit:

E. Ç., 28 vjeç, banues në lagjen nr. 6 Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (organizatori i kësaj veprimtarie kriminale dhe poseduesi i lëndës narkotike).

F. K., 20 vjeç, shpërndarësi i lëndës narkotike, si dhe M. M., 20 vjeçe, banues në lagjen nr. 18, Durrës, bashkëpunëtore e shpërndarësit të lëndës narkotike.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve. Shtetasi E. Ç. siguronte lëndën narkotike të cilësisë së lartë, heroinë e kokainë dhe për ta shpërndarë përdorte shtetasin F. K., i cili ndihmohej nga shtetasja M. M. Lëndën narkotike, shtetasi F. K. e shiste në qytetin e Durrësit, me doza që varionin nga 40 deri në 100 euro një dozë. Gjatë operacionit shtetasi F. K. u kap me 11 doza heroinë dhe 5 doza kokainë, të cilët i kishte gati për shitje. Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i banesave të këtyre shtetasve u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i sendeve të mëposhtme:

244 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë dhe 11 doza;

239 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë dhe 5 doza;

2 peshore elektronike; Një shumë e konsiderueshme parash (rreth 5 milion lekë të vjetra), e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, si dhe një biçikletë që përdorte shtetasi F. K., për të shpërndarë lëndën narkotike. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.