Shpejtësi skëterrë dhe gjendje të dehur në timon, arrestohen 9 shoferë

185
Sigal

Policia Rrugore njofton se në 24 orët e fundit, ka pezulluar 63 patenta të personave që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Prej tyre, 46 janë për drejtimin e mjetit me shpejtësi tej normave të lejuara ndërsa 17 drejtues mjetesh kanë qenë nën efektin e alkoolit.

Janë vendosur 2965 gjoba për parakalime të gabuara apo shpejtësi tej normave të lejuara. Në pranga janë vendosur 9 persona nga të cilët, 4 udhëtonin pa patentë.

Policia ka ndaluar një drejtues i cili po udhëtonte me 196 km në orë në autostradën e Elbasanit me patentë të pezulluar.

Njoftimi i Policisë Rrugore:

Gjatë 24 orëve të fundit, në akset rrugore nacionale dhe në qendrat urbane, si rezultat i përdorimit të radarëve janë evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi që varionte nga 141 km/orë deri në 196 km/orë në aksin Sauk-Teg, në rrugën interurbane Tiranë Elbasan, ku gjatë verifikimit drejtuesi i mjetit që rezultoi me patentë të hequr u arrestua në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore. Gjithashtu, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, në Bërzhitë, është konstatuar nga radari, 19-vjeçari F. P., nga Tirana, duke drejtuar automjetin me 173 km/orë.

Po gjatë kontrolleve, nga efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë është konstatuar duke bërë manovra të rrezikshme, automjeti me drejtues shtetasin me iniciale N. V., 52 vjeç, i cili pasi është ndaluar, nga verifikimi me aparatin alkooltestues ka rezultuar nën efektin e alkoolit në masën 1.35 mg/l testi i parë dhe 1.26 mg/l testi i dytë.

Gjatë kryerjes së veprimeve policore nga patrulla e Policisë Rrugore, ky shtetas, për të shmangur sanksionet ligjore për shkeljen, i ka ofruar punonjësit të Policisë një kartëmonedhë të huaj me prerje 20£. Në këto kushte u bë arrestimi i tij në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 4 për drejtim mjeti pa leje drejtimi. Janë pezulluar 63 leje drejtimi, nga të cilat 46 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 17 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 2965 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore, konkretisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosrespektim të semaforit, mospërdorim të kaskës mbrojtëse dhe mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe për mosrregullim shpejtësie dhe manovra të rrezikshme në rrugë.