Shpallen vullnetarët e vitit 2023, Veliaj: Krenar për secilin prej jush

23
Sigal

Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shpërndau certifikata mirënjohje për të rinjtë, të cilët i kanë kushtuar kohë shoqërisë dhe komunitetit. Dy gjimnazistët, Reivis Qoku nga shkolla “Ismail Qemali” dhe Kejsi Zeraliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”, janë shpallur vullnetarët e vitit 2023. Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për vullnetarët më të përkushtuar të vitit, Veliaj tha se Tirana është një shembull i mirë i vullnetarizmit, çka e ka treguar në raste fatkeqësish natyrore, si tërmeti apo pandemia. “Të qenit vullnetar nuk është çështje e një vendi që ka apo e një vendi që s’ka të ardhura, nuk është as çështje e mundësive të atyre që kanë shumë para, apo pak para. Vullnetarizmi nuk del kurrë nga moda dhe unë jam super krenar për secilin prej jush, që i ka dhënë një orë, një ditë, një javë, apo qoftë edhe një aktivitet të vetëm si vullnetar Bashkisë së Tiranës dhe qytetit tonë”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se “është shumë e rëndësishme të dilni mirë në mësime, ajo është detyra juaj kryesore, por unë besoj se përveçse të jeni nxënës i mirë, të qenit një djalë, një vajzë e mirë, që qenit një qytetar i mirë është po aq e rëndësishme. Vitin tjetër do të kemi prapë nevoja në qendrat tona sociale, në shtëpitë e fëmijës, ndaj e mirëpresim ndihmën tuaj, edhe për ndihmuar personat me aftësi të kufizuara, gjyshër e gjyshe që kanë nevojë për dashuri e respekt dhe mirënjohjen që vjen nga zemra juaj”. Në vitin 1985 Asambleja e Përgjithshme e OKB e shpalli 6 dhjetorin si ditën ndërkombëtare të vullnetarizmit. Nxënësit që morën certifikata mirënjohje u shprehën mirënjohës për këtë vlerësim. “Jam shumë i lumtur dhe vërtet Mirënjohës! Ishte mënyra më e bukur për të përmbyllur këtë fundvit dhe pas kësaj të sotmes nuk e vë në diskutim që veprimtaria e angazhimi im në punët vullnetare do jetë edhe më i madh,”- tha Reivis Qoku. Ndërsa Kejsi Zeraliu tha se “Është një vlerësim shumë i madh të jem një ndër vullnetaret më të mira të vitit 2023 dhe patjetër që kjo tregon që do të vijojmë me të njëjtin ritëm dhe me kontributin tim të madh,”