Shoqata “Çamëria”: Qeveria shqiptare të dorëzojë notë proteste Greqisë

527
Sigal

Shoqata „Çamëria“ ndjek me habi protestat e ndërmarra nga qeveria greke për banderolën e vendosur në ndeshjen Shqipëri-Zvicër për përkujtimin e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, protesta të ndërmarra nga një shtet që irredentizmin e ka shfaqur haptazi në ndeshje ndërkombëtare. Në Stadiumin “Gjeorgjios Karaiskaqis”, Athinë, në ndeshjen miqësore midis Greqisë dhe Malit të Zi, më 24 Mars 2016, anëtarët e shoqatës ekstremiste “Autonomia e Vorio Epirit 1914”, shpalosën flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë si njihet Autonomia e Vorio Epirit, sipas fotografive dhe videos bashkangjitur.

Këto dy ngjarje nuk janë të njëjta. Në rastin e parë kemi një banderolë për përkujtimin e një genocidi, në një krahinë gjeografike si Çamëria, në tribunat e tifozëve zvicerianë, në një ndeshje ku organizatorë ishte UEFA dhe siguria garantohej nga qeveria franceze. Në rastin e dytë kemi të bëjmë me një flamur politik, të një zonë irredentiste si „Vorio-Epiri“, në një ndeshje ku organizatore ishte Federata Greke e Futbollit dhe siguria garantohej nga qeveria greke. Termi „Çamëri“ ka qenë ekzistent përherë edhe në dokumentet shtetërore greke, si një trevë gjeografike që është e ndarë në dy shtete. Ndërsa termi „Vorio Epir“ është shpikur në vitin 1913 për të gjitha trevat e shtetit shqiptar që Greqia tentonte t’i aneksonte.