Shoferi pëson atak kardiak, makina përfundon në kanal, vdes 59-vjeçari shpëton e shoqja

646
Sigal

Një 59-vjeçar ka humbur jetën dhe bashkëshortja e tij është plagosur lehtë pasi makina me të cilën lëviznin ka dalë nga rruga këtë të hënë, në periferi të kryeqytetit. Mësohet se viktima është Rami Merja.

Burime policore thanë se ora shënonte rreth 12:20, kur Rami Merja bashkë me bashkëshorten sapo dolën nga banesa dhe hipën më makinën tip “Volkswagen”. Pasi mjeti bëri disa metra, drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës që ka përfunduar e batuar në një kanal anë rrugës “Malsubash” në Marikaj. Dyshohet se 59-vjeçari ka humbur kontrollin e makinës për shkak të një ataku kardiak.

Ai është transportuar për në spital, por rrugës ka ndërruar jetë.

Nga veprimet e kryera rezultoi se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, atak kardiak njoftoi zyrtarisht Policia.

Ndërsa bashkëshortja e 59-vjeçarit nuk ka pësuar dëmtime të rënda nga aksidenti.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë – Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore

Më datë 23. 07. 2018, në rrugën “Malsubash”, shtetasi R .M., vjeç 59, banues në Tiranë, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin e mjetit, për pasojë ka gjetur vdekjen. Nga veprimet e kryera rezultoi se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale, atak kardiak. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Neni 290 i Kodit Penal.