Shkurtohen 3219 punonjës policie, u punësuan me “CV” partiake, familjare e fisnore në vitet 2014-2016

3876
Përparim HALILI
– Pas një mandati qeverisës mbajtjeje në punë, kryeministri i “Rilindjes” u ka dhënë “mandatën” e largimit 
Ende nuk ka një informacion të saktë, nëse do të largohen ata që janë punësuar pas muajit tetor 2013 apo do të ketë përzierje emrash në listat e shkarkimeve, ashtu siç nuk dihet se në cilat drejtori policore rajonale e shërbime do të jetë numri më i madh i largimeve, por po mendohet që kjo “fshesë” të “kapë sa më pak punonjëse femra, sidomos ato me uniformë në shërbimet publike
Ndërkohë që “Rilindja”, siç deklaroi deputeti Erjon Braçe në Kongresin Elektoral të PS, ka nisur fushatën e dytë elektorale, me premtimin për hapjen e 200 mijë vendeve të reja pune për vitet 2017-2022, një javë pas nisjes së fushatës zgjedhore, nisën largimet nga puna në shërbimet publike. Nuk janë largime politike, por shkurtime vendesh pune në administratë e sektorë të tjerë të saj. “Fshesa” e parë e shkurtimeve, më saktë e pakësimit të numrit të punonjësve buxhetor, ka nisur nga Policia e Shtetit. Këtë “lajm” e ka dhenë dje Këshilli Ministrave, me vendimin e datës 22 maj 2017, të firmosur në ikje, nga zv/kryeministri i shkarkuar Niko Peleshi, i hoqi këmbën zvarrë duke pas edhe mbi 3000 punonjës policie. Gazeta “Telegraf” e ka denoncuar shpesh shtimin e numrit të punonjësve në policinë e shtetit, si një akt partiak, për të shpërblyer me vende pune militantët politik dhe familjarët shefave të “rilindjes” në qendër e në bazë. Aq u trash zullumi me punimet klienteliste në polici, sa deputetët në qendër e në zona, hartonin lista edhe për punësime me lekë, jo vetëm të punonjësve civilë por edhe policë e drejtues policie të çdo niveli. Mirëpo, pas një mandati mbajtjeje në punë në polici, kryeministri i “rilindjes” u ka dhënë “mandatën” e largimit nga policia kësaj “ushtrie” të punësuarish” me “CV” partiake, si “shpërblim” për grumbullimin e votave në zonat e tyre. Vendimi i firmosur nga Peleshi i bërë “kurban” prej marrëveshjes Rama-Basha, njofton se numri i punonjësve civilë dhe ushtarakë në krejt strukturën e Ministrisë së Brendshme, do të pakësohet me 22%. Sipas statistikës zyrtare të numrit të punonjësve në institucionet dhe shërbimet publike, rezulton se në krejt shërbimet e policisë së shtetit, që nga administrate e Ministrisë së Brendshme, drejtoritë e policive, komisariatet e rretheve, forcat speciale, shërbimet e emergjencave, akademia policore, kufiri e deri tek stacionet e policive në qytetet e vogla, figurojnë të punësuar 14 mijë e 177 persona. Ky numër do të pakësohet me 3219 punonjës të shërbimit ushtarak dhe civilë, duke mbetur në punë, aq punonjës sa ishin deri në muajin tetor 2013. Sipas burimeve të “Telegraf” nga Ministria e Financave, ky largim masiv punonjësish në shërbimet e Policisë së Shtetit, bëhet për shkak të një urdhri (ultimatumi) të dhënë nga FMN e cila ka dhënë alarmin për tej-fryrje të administratës dhe shërbimeve publike në Shqipëri, me numër që nuk përligj strukturën e detyrueshme. Shtimi i numrit të punonjësve në polici me 3219 persona që prej muajit tetor 2013 e deri në fund të vitit 2016, madje edhe duke vazhduar deri dje, me punësime me kontrata provizore me afate 6-9 mujore, ka krijuar afro 25% shpenzime më tepër në fondin e pagave, që realisht ka pasur edhe 24% efekte financiare të shtuara mbi këto buxhet, pasi janë paguar sigurimet shoqërore, shëndetësore, shpërblimet, trajnimet, leje-lindje, trajtime mjekësore e ushqimore, pagesa paaftësie të përhershme e të përkohshme në pune, shpenzime për automjete, karburante, kancelari e zyra, pagesa për orë shtesë dhe shpenzime të tjera. Mirëpo pas këtij vendimi, shteti do të detyrohet të paguaj financiarisht edhe largimin nga puna të këtyre punonjësve. Këtë trajtim financiar e përcakton dhe e detyron Ligji Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Po, sa do të jetë kostoja e 3219 punonjësve të policisë civilë e ushtarakë drejtues, nëpunës e punonjës shërbimesh, të cilët do të shkurtohen? Edhe pse të punësuar për “politikë partiake” nën maskën e “politikave sociale”, këta sipas ligjit përfitojnë trajtimin financiar sipas neneve 46 e 73, të Ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të njëanshme të punës prej punëdhënësit (drejtorisë-ministrisë). Në pikat “ç” dhe “d” të nenin nr. 46, thuhet: “Punonjësi i policisë, ndërpret marrëdhëniet e punës kur lirohet ose përjashtohet nga policia, në këto raste: 
ç) Shkurtohet funksioni në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë; d) Konstatohet pavlefshmëria e aktit administrativ të pranimit.
Në rastin konkret të vendimit për largimin e 3219 punonjësve të policisë, sipas informacionit që na ka ardhur në “Telegraf”, thuhet se ekzistojnë të dy shkaqet e këtij largimi masiv nga puna në polici. Pra, veprojnë edhe shkurtimet në kuadër të pakësimit të limitit të përgjithshëm organik të policisë, por edhe largimet nga puna për rastet e pavlefshmërisë së akteve administrative, të pranimeve në punë në strukturën e policisë, pra si të punësuar jashtë Ligjit Nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe në kundërshtim me ligjin për Administratën Civile. Nuk dihet se si do të veprohet, në rastet e punësimeve të kundërligjshme, nëse ata do të përfitojnë trajtim financiar si ish-punonjës në policinë e shtetit. Por ligji, detyron që të punësuarit në përputhje me ligjin, pas largimit nga puna të trajtohen financiarisht. Madje, pritet të ketë kosto të plotë, mbasi shumica siç ndodh zakonisht në raste largimesh nga puna, patjetër që do t’i drejtohen me ankime Gjykatës Administrative, ndërkohë që në buxhetin e Policisë së Shtetit, paguhen shumë ish-punonjës policie me dhe pa grada, që janë pushuar padrejtësisht nga puna para dhe pas vitit 2013 e që nuk janë rikthyer në vendet e punës, duke paguar nga 2-3 persona për një vend pune. Ende nuk ka një informacion të saktë, nëse do të largohen ata që janë punësuar pas muajit tetor 2013, apo do të ketë përzierje emrash në listat e shkarkimeve, ashtu siç nuk dihet se në cilat drejtori policore rajonale e shërbime do të jetë numri më i madh i largimeve nga puna. Por dihet një fakt: Po mendohet që fshesa e largimeve nga puna, të kap sa më pak punonjëse femra, sidomos ato me uniformë në shërbimet publike!

Ja vendimi i datës 22 maj 2017, për largimin e 3219 punonjësve

V E N D I M
“Për miratimin e numrit të përgjithshëm, të personelit të policisë së shtetit”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 19, të ligjit nr. 108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave, V E N D O S I:

1. Numri i përgjithshëm i personelit të Policisë së Shtetit në organikë është 10 958 (dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tetë) punonjës.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
Sigal