Shkollë në gjuhën shqipe në Malin e Zi, Meta falënderon Abazoviç: Kontribut për forcimin e identitetit tonë kombëtar

63
Sigal

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka falënderuar kryeministrin në detyrë të Malit të Zi dhe institucionet malazeze për rindërtimin e shkollës së gjuhës shqipe në fshatin Dacaj në Rozhajë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta shkruan se rihapja e shkollës shqipe në Rozhajë do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe padyshim më shumë kuptim ëndrrave dhe së ardhmes së fëmijëve shqiptarë të kësaj treve.

“Rindërtimi i shkollës së gjuhës shqipe në fshatin Dacaj në Rozhajë të Malit të Zi është një lajm shumë i gëzuar. Së bashku me urimin për një vit të mbarë shkollor, jam i lumtur që më në fund fëmijët me kombësi shqiptare të kësaj treve patriotike do të rikthehen në bankat e shkollës për të mësuar me dashuri gjuhën, kulturën dhe historinë kombëtare.

Një falënderim për Kryeministrin Abazoviç dhe institucionet e Malit të Zi që i dhanë sërish jetë kësaj vatre shumë të rëndësishme arsimore për shqiptarët atje dhe e realizuan këtë kërkesë time të hershme. Rihapja e shkollës në gjuhën shqipe në Rozhajë jam i bindur se do të japë kontribut në forcimin e identitetit tonë kombëtar dhe padyshim më shumë kuptim ëndrrave dhe së ardhmes së fëmijëve shqiptarë të kësaj treve. Ndaj mezi po pres të rikthehem sërish në Dacaj!”, ka shkruar Meta.