Shkolla filloi, rizgjohen fenomenet shqetësuese

555
Sigal

SARANDË/ Ka nisur viti i ri mësimor 2013-2014 me urime, buqeta lulesh, por edhe me shqetësime. Themi kështu, sepse akoma tekstet nuk kanë mbërritur në duart e nxënësve. Jo për faj të distributorëve shpërndarës, por për hall të fukarallëkut të madh që ka mbërthyer prindërit, të cilët nuk kanë mundësi të blejnë librat. Ndaj dita e fillimit të vitit mësimor nuk u shoqërua vetëm me gëzim e buqeta lulesh, por me lotët e kristaltë të fëmije dhe me dhimbje prindërore që kushtet nuk u mundësojnë blerjen e teksteve fëmijëve të tyre, megjithëse është përfolur se ekzistoka një ligj për familje të vobekta që tekstet e arsimit 9-vjeçar të shpërndahen falas. U shpërndanë edhe falas nga kisha ungjillore, por pa transparencë, se fëmijët në nevojë janë pa tekste. Ku u shpërndanë këto tekste dhe ku u gjetën? Nejse. Vit shkollor me problem. Ajo që duam të theksojmë, është fakti se, fenomenet e vitit të kaluar u rizgjuan që dy ditët e para të këtij fillim viti mësimor. Makina me kasetofonë të ngritur, motoçikleta me skarpamento të hequr, që jo vetëm procesin mësimor e dëmtojnë, por edhe shqetësim të ndotjes akustike për qytetarët shkaktojnë dhe tjetra më e rrezikshmja, adoleshentët (fëmijët e të fortëve) marrin makinat e prindërve dhe i guidojnë rrugëve të qytetit me shpejtësi marramendëse dhe zhurma shqetësuese. Dhe të gjitha këto përballë një policie sehirxheshë që vetëm figurative ndodhet në kryqëzimet e segmenteve rrugorë përballë shkollave të Sarandës. Qytetarët janë të shqetësuar nga automjetet, kryesisht fuoristrada të guiduara nga 13-vjeçarë me një shpejtësi marramendëse në rrugët e qytetit turistik. Kjo ka ndodhur çdo vit, derisa u kthye në fenomen. Po a do ndalet? Qytetarët dyshojnë, se janë fëmijët e “të fortëve”. Në një fare mënyre shkollat janë nën një terror psikologjik, e pse jo edhe fizik.