Shkodra dhe Fieri rihap nesër transportin interurban: Në lidhje me çmimin…

304
Sigal

Sapo Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi rihapjen e transportit publik, disa qytete kanë reaguar pozitivisht, duke shprehur menjëherë gatishmërinë për të rifilluar punën. Transporti publik interurban në Shkodër do të rifillojë aktivitetin duke filluar nga dita e nesërme (24 qershor). Përfaqësues të këtij sektori në Shkodër thanë se puna do të rifillojë pasi kanë 4 muaj pa punë dhe se ndodhen në situatë të vështirë ekonomike. Ata shprehen se do t’i respektojnë protokollet anti-covid.

”Shoqëritë e transportit urban dhe interurban të qarkut të Shkodrës do fillojnë daljen në punë. Kemi 4 muaj pa punë, rrezikohemi na ana ekonomike, luftojmë për bukën e gojës. Ditën e mërkurë, linjat tona ndërqytetase do fillojnë punën në orën 6 të mëngjesit deri në orën 5 mbasdite nga Tirana, si dhe nga linjat e tjera. Do t’i respektojmë të gjitha rregullat, jemi pajisur me të gjitha mjetet”. Hapja e transportit urban në Shkodër vjen në një kohë kur ky sektor ka zhvilluar disa protesta në Tiranë dhe kanë refuzuar rinisjen e aktivitetit”.

Sipas tyre, është e pamundur të rifillohet puna, nëse më parë qeveria nuk u plotëson atyre disa kushte. ”Ata kërkojnë subvencionimin e të ardhurave të munguara për subjektet transportuese si pasojë e kufizimit nga protokolli i sigurisë. Heqja e arkcizës dhe taksave të karburantit siç është zbatuar edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Zbritja e TVSh-së në shitje nga 20 përqind në 0 përqind për vitin 2020”.

Po nesër, do të hapet transporti ndërqytetës edhe në Fier. Ilir Lule, kryetar i Shoqatës së Transportit ka sqaruar se kompanitë kanë pësuar humbje, e megjithatë kjo nuk do të reflektohet në çmim. ”Ne jemi gati të zbatojmë protokollin. Nuk e dinim se do dilte ministrja, ne dolëm këtu në këtë protestë të organizuar më parë. Ne duam vetëm të dalim në punë. Do mbajmë të njëjtin çmim”.