Shkarkimi, anëtari i AMA-s do të hedhë në gjyq Kuvendin

530
Sigal

Zylyftar Bregu, anëtar i Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) është shkarkuar sot nga detyra.

Vendimi është marrë pas një procesi votimi në Kuvend ku maxhoranca dha 83 vota pro për shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI, me pretendimin se ka qenë në konflikt interesi dhe në kundërshtim me detyrimin Kushtetues.

‘Kuvendi votoi projektvendimin “Për lirimin e një anëtari dhe emërimin e disa anëtarëve të Këshillit të Statistikave”, propozuar nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Lirimi i z. Adrian Kamenica nga detyra e anëtarit të Këshillit të Statistikave, u miratua me 83 vota pro. Gjithashtu, Kuvendi votoi edhe projektvendimin “Për lirimin nga detyra të anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, z. Zylyftar Bregu”, ku u miratua me 81 vota pro, 1 kundër dhe 12 abstenim Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:00’, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.

Mirëpo, Bregu në një reagim për mediat i cilëson këto si akte politike duke pohuar se tashmë po synohet edhe kapja e AMA-s, si institucioni i fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes.

Kujtojmë se në shkresën drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, të datës 9 nëntor 2018, kreu i AMA-s, Gentian Sala kërkoi shkarkimin e tij duke argumentuar se Bregu në kundërshtim me detyrimin kushtetues për ushtrimin e mandatit dhe në kundërshtim me ligjin organik të AMA-s ka lidhur kontratë qiraje me 2 korrik 2015 me Ministrinë e Bujqësisë për 4.2 hektarë në fshatin Picar, Vorë, me një afat përdorimi 99 vjet.

Nga ana tjetër, Bregu argumenton se thjesht mazhoranca synon gjithë kontrollin e mundshëm të AMA-s duke shtuar se do ndjekë rrugën gjyqësore.

DEKLARATA E PLOTË E ZYLYFTAR BREGUT:

Një ditë pas Qeveria miratoi paketën që synon të rregullojë rregjistrimin e platformave elektronike (ose paketa anti-shpifje), Kuvendi miratoi me 81 vota shkarkimin tim si anëtar i AMA-s, me një argument të sforcuar për konflikt interesi!

Të dyja këto akte politike kanë një lidhje!

Në kuadrin e këtij projekt-ligji që rëndon pozitën e gazetarëve në veçanti dhe shton kontrollin mbi informacionin në tërësi, rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar!

Për transparencë jam zgjedhur në këtë post (për mandatin e dytë radhazi) në korrik të vitit 2016, nga maxhoranca e atëhershme (PS-LSI). Edhe pse gjatë votimit plot 99 deputetë votuan pro kandidaturës, numër që është përtej kësaj aleance!

Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!

Sebepi është marrja e një sipërfaqe toke me qera, për të cilën Kuvendi anashkaloi institucionin e posaçëm që shqyrton konfliktin e interesit (ILDKPI/ Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave).

Sigurisht, siç e kam argumentuar edhe para Komisionit të Medias, unë do të ndjek rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin, duke premtuar edhe vazhdimin e angazhimit tim qytetar, shoqëror dhe administrativ!