Shifrat/ 54 mijë qytetarë aplikuan dje për leje për të dalë sot për pazar

256
Sigal

Plot 54 mijë qytetarë kanë aplikuar dje (e diele, 29 mars) për lejen për daljen për të bërë pazar sot.

Shumica kanë kërkuar dalje në fashën e orarit 10- 11 të paradites, raporton Ora News.

Nga një vëzhgim duket se jo të gjithë qytetarët që kanë dalë kanë lejen e policisë. Kjo vihet re dhe nga fluksi i qytetarëve nëpër rrugë dhe i makinave.

Të shtunën e 28 marsit qeveria mori vendim për kufizimin drastik të lëvizjes në 1 orë dhe ka të drejtë të dalë vetëm një pjesëtar i familjes, i cili paraprakisht duhet të marrë lejen në e-albania ose duke dërguar sms në numrin 55155

Por si merret leja?

Pasi identifikoheni në e-Albania me të dhënat tuaja personale duhet të klikoni në shërbimin leje për dalje e cila gjendet në faqen kryesore të aplikacionit.

Pasi të lexoni udhëzimet sqaruese, në fund të faqes klikoni butoni “Përdor” për të vijuar me aplikimin. Pasi të zgjidhni datën për të cilën kërkoni leje për të lëvizur, klikoni butoni “vazhdo”.

Në ekran do ju shfaqet certifikata juaj familjare, nga ku do të përzgjidhni emrin e anëtarit që do të pajiset me “Leje për dalje”.

Pasi të përzgjidhni emrin e anëtari duhet të caktoni edhe orën e lëvizjes brenda fashës së orarit të lejuar.

Nëse dëshironi mund të shkruani edhe numrin e telefonit që leja juaj t’u vijë me sms dhe më pas klikoni butonin “dërgo”.

Leja miratohet menjëherë nga Policia e shtetit duke ju dërgua një email dhe sms në telefonin tuaj miratimin e lëvizjes suaj.

Në email do të keni emrin e personit dhe barkodin, në rast se policia do jua ndalojë nëpërmjet tij bëhet verifikimi që keni lejen e nevojshme.

Por për të gjithë ata persona që nuk kanë një kompjuter apo telefon smart mund të dërgojnë një sms në numrin 55155 duke shkruar numrin e kartës së identitetit dhe orarin që dëshironi të lëvizni nga shtëpia. Aplikimet me sms vlejnë vetëm për ditën pasardhëse.

Nga kjo leje përjashtohen të moshuarit, për të cilët qeveria ka vendosur që të mos i lër të dalin nga shtëpia.