Shfuqizohen 6 vepra penale, nga protestat e paligjshme deri tek skemat piramidale

248
Sigal

Përpos parashikimit të disa veprave të reja penale, projekti për Kodin e ri Penal, i cili po hartohet nga Ministria e Drejtësisë, parashikon edhe shfuqizimit të 6 veprave penale, të cilat janë pjesë e Kodit Penal në fuqi. Është propozuar shfuqizimi i veprës penale të vetëgjyqësisë, me argumentin se është i mjaftueshëm trajtimi i saj civilisht. Aktualisht vetëgjyqësia dënohet deri në 3 muaj burg. Gjithashtu është propozuar heqja e veprës penale të plagosjes së lehtë nga pakujdesia, e cila dënohej me gjobë. Është sugjeruar shfuqizimi i edhe i veprës penale të mbajtjes pa të drejtë e uniformës. Kodi Penal në fuqi parashikon dënimin deri në 5 vite burg të kësaj vepre që do të shfuqizohet.

Projekti për Kodin e ri Penal parashikon shfuqizimin e veprës penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme, parashikuar në nenin 262 të Kodit Penal në fuqi dhe që dënohet deri në dy vite burg. Sipas këtij propozimi, kushdo mund të protestojë pa marrë leje. Në vend të kësaj vepre penale që do hiqet, është vendosur shtuar një nen i ri, i cili kriminalizon protestat e paligjshme vetëm nëse marrin pjesë persona të armatosur. Konkretisht, parashikohet që “organizimi i grumbullimeve dhe manifestimeve të paligjshme me pjesëmarrje të personave të armatosur dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme e personave të armatosur përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”.

Është propozuar që të shfuqizohet si vepër penale edhe ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar, që aktualisht dënohet deri në 2 vite burg. Gjithashtu është propozuar heqja e veprës penale të organizimit dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, pasi kjo vepër penale ezaurohet nga nene të tjera të Kodit Penal.