Shërbimi i policimit të specializuar

786
Adriatik AGO
Ish-Këshilltar i Drejtorit të Policisë së Shtetit

Vijon nga numri I kaluar
Shërbimi i Policimit të Specializuar, është shkalla më e lartë e organizimit, ku aplikohet parimi i policimit të udhëhequr nga inteligjenca. Ai i kushton rendësi të gjitha mundësive ligjore për të arritur tek dokumentimi ligjor i veprës penale dhe autorit të saj. Në interes të tij, janë miratuar shumë akte ligjore, që nga paketa antimafia e deri tek bashkëpunëtoret e drejtësisë etj. Ai është me i “përkëdhelur” në raport me shërbimin parësor të policimit, si në përzgjedhjen e burimeve njerëzore, në investimet e kryera në teknologji, në trajtime financiare, në trajnime të selektuara, pasi të gjitha këto lidhen dhe me prioritetet e shoqërisë për te kapur standardet e BE-se. Si forme e veçante e organizimit të policisë, ka në qendër të misionit të saj, ndjekjen dhe hetimin e formave tipike të shfaqjes së kriminalitetit , tërësia e të cilit përbën kriminalitetin e organizuar. Karakteristik e këtij shërbimi është, funksionimi në strukturat qendrore të policisë, dhe organizimi i veprimtarisë se tij kryesisht në nivel vertikal, i centralizuar (nga lartë-poshtë dhe anasjelltas). Në përbërje të tij, ka struktura sipas mënyrave të shfaqjes dhe kryerjes së krimit të organizuar si, shërbim kundër terrorit, drogës, trafiqeve, krimeve ekonomike- financiare, korrupsionit, krimit kibernetik, pastrimit të parave, aseteve kriminale, etj. Baza e punës së këtij shërbimi, është prognoza e ardhur nga aftësia analitike e kërcënimit të rrezikut , si dhe shumë indiceve të tjera që mund të vinë nga të gjitha llojet e ligjshme të burimeve që administron ky shërbim, apo rrjedhoje e bashkëpunimit me të tretët vendas apo të huaj. Në ketë kuptim, Shërbimi i Policimit të Specializuar, me iniciative çel hetime me parimet e hetimit proaktiv, aplikon autorizimet ligjore sipas ligjit antimafia, aplikon tagrat e procedurës për sekuestrimet, konfiskimet, infiltrimet, blerjet e stimuluara apo dorëzimet e kontrolluara si mjete të kërkimit të provës, dhe bashkëpunon me agjencitë qendrore homologe të zbatimit të ligjit që administrojnë informacion nga burimet e kualifikuara. Shërbimi i Policimit të Specializuar, ka për objekt pune, subjektet e krimit qe realizojnë bashkëpunimet e posaçme, si grupet e strukturuara kriminale, organizatat kriminale etj. Ai synon në zbulimin e krimit të organizuar aq më tepër kur konsumohet nga funksione të larta publike. Në ndryshim me Shërbimin Parësor, ai vepron në gjithë territorin e vendit, ka juridiksion tokësor të përgjithshëm, pavarësisht se ku është stacionuar, vepron e tëra si polici gjyqësore pranë organit të akuzës të krimeve të renda në shkalle të parë, apel, etj. Shërbimi i Specializuar, është tërësisht i legjitimuar që të shfrytëzoje të gjitha të dhënat e grumbulluara, nga databaset e policisë, të thithë hetime, informacione të administruara me parë nga Shërbimi Parësor, për interesat e hetimeve te saj, gjithnjë kundrejt rregullave të akteve normative ne fuqi. Ky Shërbim, nuk funksionon me parimin e kontrollit te territorit, por me parimin e kontrollit te aktivitetit keqbërës te subjektit objekt hetimi, pavarësisht se ku ai është rezident. Në vija të përgjithshme, këto janë pritshmëritë që do të sjellë organizimi i policisë së shtetit në nivel vendor, avantazhet, karakterisitkat dhe dallimet midis formave bazë të organizimit, kanë rendësi për të argumentuar reformën e ndryshimeve organizative. Është me shume rendësi të kuptohet, se midis dy llojeve të organizimit në nivelet qendrore apo vendore, nuk duhet të krijohet konflikt kompetencash, si për juridiksion tokësor dhe për atë lëndor, si dhe të arrihet qe komunikimi strukturor të bëhet pa vështirësi dhe eficient. Bërja e reformave ne organizimin e shërbimit policor në ketë mënyre, do të eliminoje një nga gabimet e kryera ndër vite, mbi qenien e strukturave paralele, shpërndarjen e përgjegjësisë, pavarësisht nga niveli i përfaqshmit. Si përfundim, mund të themi se, mbas vitit ’90, policia e shtetit i është nënshtruar disa here organizimeve, kjo e kushtëzuar kryesisht nga ndryshimet që ka pësuar ligji i tij, apo detyrave e përgjegjësive të ngarkuara në kohë e periudha të ndryshme të zhvillimit të demokracisë ne vendin tone. Në të gjitha këto nisma, policisë i është dashur të marre forma dhe trajta nga më të ndryshmet, duke bërë shtesa, heqje, formatime në shumë prej pjesëve të saj, ndikuar këto dhe nga ndërhyrjet e politikes, ku shpesh herë kanë luajtur rol regresiv. Më gjithë anët pozitive që kanë pasur këto mikro reforma, ato kanë lënë gjurmë në mungesën e qëndrueshmërisë strukturore, të bazës ligjore, ku ka sunduar ndoshta interesi i çastit për të kaluar një situate të caktuar të cenimit të sigurisë publike, etj. Në këtë kuptim, nismat e marra, për të kryer organizimin e policisë shqiptare, përbën një eveniment të rëndësishëm në historinë e kësaj organizate, pasi arsyetojmë se shanset kësaj radhe janë tepër të favorshme, për të kryer ndryshime organizative në tërësinë e saj, e në veçanti në nivelin vendor. Mbroj idenë e bërjes de fakto të Studimit /2015 “Mbi Organizimin e Policisë se Shtetit në Nivelin Vendor”, faza e parë e implementimit të tij në shkallë vendi, pasi është mirë argumentuar ristrukturimi. Ndërkohe që është normale të bëhet dhe objekt diskutimi, duke marrë në konsideratë dhe të rejat apo ndryshimet pozitive të viteve të fundit. Do të jetë me interes kryerja e analizave të veçanta mbi treguesit e punës të shërbimeve kryesore, që për fatin e keq, kanë vite që kane pësuar rënie, dhe ende nuk janë marre nismat për ringritjen e tyre, sidomos të formave e metodave të punës, aq të domosdoshme për funksionin parandalues dhe njohjen e situatave kriminale. Gjithashtu kërkesa e kohës është sigurimi i burimeve njerëzore nga më të kualifikuarat dhe të pastra në drejtim të implikimeve apo qëndrimeve profesionale e qytetare. Mbështetja e këtyre reformave me infrastrukture të domosdoshme dhe me burime financiare, do bëjnë që shërbimet e policisë të nivelit vendor të jenë eficiente, të afta për parandalimin e me pas të goditjes së veprimtarisë kriminale, duke rritur kështu parametrat e përformancën e sigurisë në vend. 
Tirane, Shkurt 2018
Sigal