Shëngjini edhe pa rrugë, banorët ankohen: 30 vite që nuk investohet

269
Sigal

Jetojnë pranë bregdetit, por mungesa e investimeve i ka lënë pas në kohë. Lagjja sipër portit në Shëngjin nuk ka asnjë ndryshim me fshatrat e thellë malore.

Mbi 220 familje janë thuajse të izoluara për shkak të mungesës së rrugës, e cila ka degraduar plotësisht dhe lëvizja është mjaft e vështire.

Por, krahas problemeve të infrastrukturës rrugore, këtyre banorëve u duhet të përballen edhe me mungesën e ujit të pijshëm, i cili kryesisht gjatë verës pikon rrallëherë në çezmat e banorëve. Ata thonë se mungesa e shërbimeve u ka vështirësuar jetesën, ndërsa kërkesat e tyre për investime nuk kanë marrë asnjëherë vëmendje në këto 30 vite.

“Mungojnë kushtet më minimale të jetesës. Uji na vjen një herë në javë. Rrugën e kemi jashtëzakonisht keq. Ka 30 vite që njerëzit janë jashtëzakonisht të zhgënjyer, që nuk mundet të bëhet diçka në këtë vend. I them Bashkisë Lezhë që të mos na trajtojë si qytetarë të dorës tretë, pasi edhe të shkosh në Afganistan këtë lloj rruge që kemi ne nuk e gjen. Taksat i kërkojnë, por shërbime nuk ofrojnë dhe kjo është pafalshme për pushtetarët tanë”, thotë një banor i zonës.

Ndërkohë, një tjetër banor shprehet: “Janë bërë disa punime për sa i përket ujësjellësit që nisi dhe nuk përfundoi, u bënë dhe punime për kanalizimet e ujërave të zeza dhe kjo nisi e nuk mbaroi dhe rruga u shkatërrua dy herë, duke u bërë edhe më keq nga sa ishte. Jemi ankuar disa herë në Bashkinë Lezhë, por asnjë masë nuk është marrë. Të paktën kërkojmë që të sjellin një fadromë dhe ta bëjnë rrugën të kalueshme. Nuk është aspak normale që në vitin 2020 të mos kemi as ujë për të pirë. Te ne, çezmat pikojnë një herë në javë dhe ai pak ujë që vjen është i ndotur dhe nuk konsumohet”, thotë banori.

INVESTIMET

Mungesa e investimeve nuk ka vështirësuar vetëm jetesën e banorëve. Të vështirë e bën edhe zhvillimin e turizmit, pasi në këtë lagje janë ngritur mjaft hotele e shtëpi pushimi.

“Unë kam dhoma, të cilat i lëshoj me qira për pushuesit gjatë verës. Por, për shkak të rrugës, askush nuk më vjen. Të futesh në këtë rrugë, shkatërron makinën. Jemi gati të kontribuojmë dhe vetë financiarisht në bashkëpunim me shtetin që të përmirësohet infrastruktura rrugore. Këtu nuk është investuar prej 30 vitesh, na kanë lënë në harrese sikur të ishim ndonjë fshat i thellë malor dhe jo në breg të detit, ku vijnë shumë pushues vendës e të huaj. Atje ku mungon uji i pijshëm prej 30 vitesh, do të thotë se mungon gjithçka”, thekson banori tjetër.

Lagjja sipër portit në Shëngjin është populluar pas viteve ‘90, duke marrë zhvillim të jashtëzakonshëm falë investimeve të privatit. Në të njëjtën kohë duhet të kishte investuar dhe shteti për të ofruar shërbimet minimale për banorët, por kjo nuk ka ndodhur në këto 30 vite demokraci, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme në çdo fushatë elektorale.ELVIS HILA