Shehu: Në Shqipëri nuk po ndiqen kontaktet nga personat e infektuar. Duhet të bëhen testime në çdo laborator

401
Sigal

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ngriti shqetësimin se në Shqipëri nuk po ndiqen kontaktet nga personat e infektuar.

Gjatë një lidhje me skype për RTV Ora, Shehu tha se po testohen vetëm njerëzit që kanë shenja dhe jo të tjerët.

Tritan Shehu: Testimi i popullsisë duhet bërë në dy elementë. Testimi i parë duhet bërë për të ndjekur kontaktet. Pra  nëse supozojmë se X është kontaminuar, ne ndjekim kontaktet e tij që ka pasur në 10 ditëshin e fundit. Këtu mund të jenë qindra indivdë që duhen ndjekur dhe testuar. Kjo është e detyrueshme, që fatkeqësisht tek ne nuk po realizohet.  Ne kemi hequr dorë edhe nga ndjekja e kontakteve. Ne gjurmojmë rastet që kanë shenja klinike, jo rastet që nuk kanë shenja klinike. Po të shikosh parametrat tonë të testimit, është shumë e lartë përqindja e pozitivitetit, gjë që nuk është e mirë. Qënia kaq e lartë  e pozitivitetit në testime tregon që ti ke testuar që në fillim njerëz që ke dyshuar, nuk ke zgjeruar harkun e atyre që ke testuar për të shkuar tek personat e kontaktit dhe për të dalë më pas tek kërkimi horizontal i popullsisë që është gjëja e mirë ku duhet të dalim ne. Pra fakti që na dalin shumë tampona pozitivë nuk është pozitive. Bën që kërkimi  bëhet vetëm duke u nisur nga indikacionet klinike. Kjo është e vonshme, jo e mjaftueshme dhe nuk të çon në suksesin e identifikimit të sa më shumë rasteve të reja, në izolimin e tyre, në mjekimin e tyre dhe në ndalimin e përhapjes.

Tritan Shehu tha se për testime duhen shfrytëzuar edhe laboratorë të tjerë në vend, për të përdorur edhe metoda të tjera, sic është edhe ajo e imunokromatografisë.

Tritan Shehu: Nuk mund të bëhet testimi i popullsisë shqiptare vetëm në një laborator në Tiranë, apo edhe me një tjetër në QSUT.  Kjo është krejtësisht iluzive, e pamjaftueshme dhe jashtë standardeve. Shqipëria duhet të shfrytëzojë shumë laboratorë në gjithë territorin e saj. Duhet ti shfrytëzojë me testin klasik të tamponeve, por duke i ftuar sa më shpejt edhe testimet e shpejta. Sot si testime të shpejta kemi imunokromatografinë, që është një metodë që po përdoret me sukses në shumë vende. Kjo mund të përdoret në gjithë laboratorët që ka Shqipëria sot, publike apo private sepse nuk kërkon pajisje të vecanta. Ka një kosto shumë të lira. Po përgatiten edhe metoda të tjera, sic është Eliza apo sic janë disa metoda ultra të shpejta që nuk kanë dalë akoma. Por ne të shfrytëzojmë këto metoda që janë.