Shefi i Krimeve u thotë të dhunuarve: Ankohuni tek Kryeministri

514
Sigal

Çifti i të moshuarve rrihen nga vëllai i komshiut që u vodhi shtëpinë. Drejtuesi i krimeve në Urën Vajgurore u thotë që t’ia zgjidhi hallin kryeministri

 

Shefi i Krimeve u thotë të dhunuarve: Shkoni ankohuni tek Edi Rama

 

Një çift pensionistësh nga fshati Hinkë i Beratit u ankuan në emisionin investigativ “Fiks Fare” pasi sipas tyre, policia, prokuroria dhe gjykata është duke zvarritur konfliktin e lindur me fqinjin pas vjedhjes se shtëpisë. Pas denoncimit për vjedhje, ata rrihen edhe nga vëllai i të pandehurit. Shefi i krimeve i thotë – Shko ankohu, shko ne Edi Rama.”

Nadire Toska tregon se kur i vodhën banesën, rreth një vit e gjysmë më parë, ajo bashkë me bashkëshortin ishin në Itali. Çelësin e shtëpisë e kishin lënë tek komshiu, dhe ishte po ky i fundit që i njoftoi, se në banesën e tyre kishin hyrë hajdutë. Pasi u kthyen në shtëpi, dhe panë se si ishte tentuar dhe hapur dera ata dyshuan se vjedhja ishte bërë pikërisht nga fqinja ku kishin lënë çelësin. Për shkak të fqinjësisë ata tentuan të shkojnë të ballafaqohen, por aty u konfliktuan dhe këtë çështje ia lënë në dorë policisë. Sipas tyre në fillim u kërkua pushimi i çështjes, por pasi ata bënë ankesë pranë prokurorisë së përgjithshme dhe portalit “Shqipëria që duam”, çështja u hetua edhe më thellë dhe u gjetën dy autorët. Prokurorisë dhe gjykatës iu deshën më shumë se një vit që ta kalojnë në seancë paraprake, ndërsa konflikti mes fqinjësh vazhdonte të ishte i hapur. Ditën që gjykata vendosi gjykimin e çështjes, vëllai i njërit prej të pandehurve i zuri pritë dhe rrahu çiftin e pensionistëve.

Çifti Toska bën një tjetër denoncim, por që sipas policisë nuk është i nevojshëm pasi pas raportit mjeko-ligjor ata mund të hapin padi civile në gjykatë. Duke mos marrë kështu në konsideratë faktin që kjo ishte një çështje në vazhdim të së parës dhe, mbi të gjitha, çifti ishte kërcënuar. Qytetarët u ballafaquan me shefin e krimeve të Urës Vajgurore, Dashamir Zake. Ky i fundit pas një debati mes tyre, i jep raportet mjeko-ligjore ku vetëm gruaja ish me dëmtime të rëndësishme, dhe paaftësi për punë deri në 9 ditë. Më pas ai u tregon se duhet t’i drejtohen gjykatës për padi civile ku i pranishëm do të jetë edhe prokurori që do të vlerësojë rastin. Nadire Toska e akuzon se ai po fsheh rrahjen ashtu siç u mundua edhe për vjedhjen, por shefi i thotë se, nëse nuk do të ishte për të, çështja nuk do të kish përfunduar në gjykatë. Në këtë moment Nadirja i kujton se çështja e saj u mor seriozisht, pasi u ankua tek Edi Rama. Atëherë shefi me arrogancë i përgjigjet, “Shko ankohu, shko te Edi Rama”

Bisedë midis denoncuesve dhe Dashamir Zake, Shef i Krimeve, Ura Vajgurore

Denoncuesja – E ke bërë ti denoncimin?

Shefi i krimeve – Denoncimin ta tregoj unë tani.

Denoncuesja – Ku e ke bërë denoncimin, na e trego një çik ne.

Shefi i krimeve – Do t’i jap unë raportet tani, origjinalet. Ja, Bilal Toska, Nadire Toska.

Shefi i krimeve – Shko dhe zgjidh të drejtën tënde.

Denoncuesja – Ku ta zgjidh?

Shefi i krimeve – Do më dëgjosh!

Denoncuesja –E drejta fillon që këtu.

Shefi i krimeve – Zonjë ka mundësi të më dëgjosh sepse nuk kam kohë…

Denoncuesja – Qëkur filloi vjedhja, që ju e mbuluat. Pastaj mbuluat edhe këtë. Zotëria na ka dhunuar dhe ju nuk keni bërë as edhe një gjë.

Denoncuesja – Na kërcënoi zotëria dhe ju nuk morët asnjë masë.

Shefi i krimeve – Ulu, dëgjo pesë minuta një llaf, e vazhdo ku është për të vazhduar.

Denoncuesja –Ku të vazhdoj?

Shefi i krimeve –Ta them unë.

Shefi i krimeve –Tani, Bilal Toska. Dëmtime të rëndësishme nuk ka…të pa rëndësishme. Që nuk shkaktojnë humbjen e aftësisë të përkohshme në punë. Merre ti këtë, lexoje.

Shefi i krimeve – Ti, zonjë. Dëmtime të rëndësishme që shkaktojnë heqjen e aftësisë për punë në masën deri në 9 ditë.

Shefi i krimeve – Jemi në rregull?

Denoncuesja –Po.

Shefi i krimeve –Merre edhe ti këtë.

Shefi i krimeve – Drejtohuni gjykatës, hapni padi civile. Të lutem më dëgjo të mbaroj unë.

Denoncuesi – Po kërcënimi kur hapte dorën, do të vras e do të zhduk.

Shefi i krimeve –Të lutem, i ke brenda o zotëri i ke brenda. Po më dëgjo njëherë, të mbaroj unë njëherë.

Shefi i krimeve –Kërko dëmin që të është shkaktuar. Të lutem edhe njëherë, kam komunikuar me prokurorin, dhe prokurori do jetë…Kur të hapet padia, që të bëhet gjyqi, prokurori është aty.

 

Shefi i krimeve –I takon zotërisë për t’u arrestuar, arrestohet atje. I takon për të shpërblyer dëmin në vlerë, siç e ka kodi.

Shefi i krimeve –Me mua keni mbaruar zotërinj, drejtohuni gjykatës.

Denoncuesja –T’i drejtohem për çfarë?

Shefi i krimeve – Drejtohu gjykatës.

Denoncuesi – Po për kërcënimin që ka bërë?

Shefi i krimeve –I ke aty pra po të them, se ke dëmet. I ke aty. Drejtohu gjykatës.

Denoncuesi – Ore unë po të them që më kërcënon, më thotë që do të vras…Ai po më thotë do të vras. Kush më mbron mua!

Denoncuesja – Ka 8 ditë sot, s’është bërë asnjë gjë.

Shefi i krimeve –Në një ditë ka qenë.

Denoncuesi –Po. Në një ditë.

Shefi i krimeve –Ky person është?

Denoncuesi –Po.

Shefi i krimeve –Po e ke aty pra, po s’ke bërë deklarimet o zotëri.

Denoncuesja –Ti je kryesori. Ti je kryesori nga vjedhja që mbulove.

Shefi i krimeve –Unë! Vazhdo ankohu për mua.

 

Denoncuesja –Ku të ankohem, ku?

Shefi i krimeve – Për mua ankohu ku të duash.

Shefi i krimeve – Kam letra unë zonjë, kam dokumente unë.

Denoncuesja –Letrat i kam edhe unë.

Shefi i krimeve –Ato që kam bërë unë, i kam bërë unë.

Denoncuesi –Po se bëre denoncimin ti!

Shefi i krimeve –Pse je në proces gjyqësor sot? Nuk e çove ti, atje e çova unë.

Denoncuesja –Jo jo, se bëre ti. Atë e çovi Edi Rama.

Shefi i krimeve –Kë çovi Edi Rama?

Denoncuesja –As ti, as ai, as ai…

Shefi i krimeve –Po mirë, shko te Edi Rama atëherë.

Denoncuesja – Atje të shkoj, shumë mirë.

Shefi i krimeve –E paskeni zakon …ankohu. Ankohu pra. Ankohu, merru…

Denoncuesja –Ti…

Shefi i krimeve –Të lutem kam mbaruar, sepse kam edhe punë të tjera. Të prita. Të mora në telefon. Me mua ke mbaruar , vazhdo në gjykatë.