Shalësi u “gradua” ministër, për katër interesa të Ramës

554
Nga Vjollca KUTA
Misionet që do kryejë: miratimin e 12 landifilleve të plehrave të importit, blerjen e votave, menaxhimin e fondeve lokale dhe kontrollin e bashkive 
Edhe pse kryeministri Edi Rama, i bëri një “CV” të shkëlqyer ministrit Eduard Shalësit, duke theksuar, se po e emëronte Ministër Shteti për Çështjet Vendore, si njeri i suksesshëm dhe aktiv, faktikisht përzgjedhja e Eduard Shalësit në këtë post, ka lidhje me disa “suksese” të tjera që Shalësi duhet të arrijë, pas arritjes për rikthimin dhe miratimin e ligjit të importit të plehrave, për të cilin në shtator 2013, u betua po në parlament se do ta hidhte në “koshin e plehrave”, por që me ligjin e “rilindur” bëri gjithë përpjekjet deri të pista, për ta kthyer Shqipërinë në Kosh plehrash të Rajonit, Evropës e Botës! Tashmë është ministër Ministër Shteti për Çështjet Vendore. Pra, ka nën kontroll të 61 bashkitë dhe gjithë njësitë administrative të pushtetit lokal, ish komuna e bashki të futura në strukturën e bashkive të reja. Përse Eduard Shalësi është “graduar” ministër në këtë sektor që ka në “dorë” territorin, fondet publike të investimeve e shërbimeve direkt komunitare, terrenin ku zbatohen koncesionet, ku aplikohen e zbatohen projekte ekonomike, infrasktrukturore, kulturore, shëndetësore, mjedisore etj. Flitet për “punë” të tjera që duhet të kryejë Shalësi si ministër i pushtetit vendor, punë që kanë mbetur përgjysmë e që paraardhësi i tij, Bledi Çuçi, nuk guxoi t’i bënte edhe pse shpesh ka qenë nën presionin e kryeministrit Rama për të hedhur firma, për të dhënë ultimatume me heqje mandati ndaj disa kryebashkiakëve të pabindur e për të lëshuar urdhra që kishin si përmbajtje shkeljen e hapur të ligjit e Kushtetutës. I bindur në “tipin” e Shalësit që mund të bëjë gjithçka, të pështyjë e lëpijë gjithçka për pak pushtet e për të vjedhur “më pak” se ata të pushtetit të para 2013-së, kryeministri Edi Rama e caktoi në atë detyrë, që kërkon “guxim dhe stil” vendimmarrjesh. Po cilat janë interesat e Edi Ramës dhe hallet që do të menaxhohen prej ministrit Shalësi në zyrat dhe territoret e bashkive? 

1. Finalizimi i projekteve të miratimit dhe ndërtimit të landfilleve të plehrave. përvoja nuk i mungon, as dyfytyrësia për të vetë-pështyrë veten, as guximi për të shkelur ligjin, as aftësia për të bërë pazare, as rezistenca për të kryer shërbime për interesa të shefave. këtë provë e dha me ligjin e importit të mbetjeve, të cilin kryeministri dhe ai vet dje në kuvend e cilësoi si “sukses të madh”! Këtë “sukses”, ministri Shalësi është ngarkuar të përsëris edhe me landfillin e plehrave të importit që do të digjen në Mbrostar të Fierit, projekt që është bllokuar nga protesta e banorëve të zonës, por që kryeministri Rama ka ngarkuar ministrin e tij “aktiv e të suksesshëm” për kësi punësh, që ta zhbllokoj e të nis importi dhe djegia e plehrave që do silen nga importi me ligjin e “axhustuar”e të miratuar nga Shalësi. Kjo detyrë që i është ngarkuar Shalësit dhe që siguron miliarda fitime për interesat e Ramës dhe grupit të tij, thuhet se do të zbatohet edhe në zona të tjera si Vlora, Berati, Korça, Lezha, Shkodra, Kukësi, Dibra e Gjirokastra, për ta krijuar qendra asgjësimi e groposjeje plehrash importi. 

2. Detyra e dytë, që i është ngarkuar Shalësit për të ideuar dhe finalizuar nëpër bashkutë e vendit, ka lidhje me “menaxhimin” e fondeve publike të zhvillimit të territoreve dhe që akordohen vetëm me vendim të kryeministrit, duke përdorur si kukulla disa ministra e kryebashkiakë, të cilët nuk i përfill fare, por veç i urdhëron të hedhin firmat formalisht mbi projekte, tenderë e koncesione. pasi ka mbaruar pedonalet në disa qytete ku banorët nuk kanë asnjë vakt bukë thatë për fëmijët, tashmë nisin projektet e investimeve kapitale në shumë shërbime komunitare, të cilat do të kenë vetëm firmën dhe vulën e ministrit për përzgjedhjen, vendet dhe vlerën e investimit, firmat që do të kryejnë investimet e që do të ‘kontrollojnë’ të ardhurat e këtyre investimeve. 

3. Ministri Shalësi u ngarkua me detyrën për të drejtuar (kontrolluar) pushtetin lokal, me një mision edhe si drejtues i fushatës elektorale nëpër bashkitë e vendit. Ai, do të jetë mbi krerët e bashkive dhe mbi krerët e PS të bashkive e zonave, duke përdorur mekanizmin e joshjes me vende pune, për të gjithë ata që do votojnë për “Rilindjen”. Ai ka mision të krijoj bindje tek banorët e zonave, duke përdorur krerët e bashkive për miratim të premtimeve për punësime, kreditime, futje në lista të ndihmës ekonomike, shkollime, veshje policë e ushtarë me pagesë, transferime mësuesish, rishikimi të ndarjes së tokave, premtime për kthime e kompensime pronash dhe mbyllje procesesh gjyqësore etj.

4. Detyra kryesore që lidhet me postin si ministër, por duke e keq-përdorur atë, ka të bëjë me kontrollin e plotë, që ministri Shalësi do të vendos mbi kryetarët e bashkive, jo për t’u kontrolluar orarin e punës, as se ku bëjnë qejfet dhe pazaret e vockla të ditës, por për të komanduar totalisht punët e bashkive të PS. për këtë është ngarkuar nga kryeministri, i cili u ka dhënë urdhër kryebashkiakëve “rilindës”, që të zbatojnë çdo urdhër të ministrit Shalësi. 
Sigal