Shahini: Pezullim mësimi, mësuesit të orientojnë nxënësit nga klasa virtuale

607
Sigal

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka njoftuar sot në një konferencë shtypi për mbylljen e institucioneve arsimore në vend për dy javë për të frenuar përhapjen e koronavirusit, deri më 23 mars.

Shahini tha se mësuesit do të orientojnë nxënësit për të mësuar nga shtëpia me anë të telefonave. Mësuesit mund të përgatisin mësimin me video dhe të hapin klasa virtuale në What App ose në rrjete sociale.

E vështirë do të jetë për Maturën Shtetërore, – tha Shahini, –  por Ministria e Arsimit do të japë udhëzime në internet hap pas hapi për mënyrën se si do të vazhdojë mësimi. Kjo, për shkak se nxënësit ende nuk kanë përmbushur orët e pazhvilluara për shkak të tërmetit.”

Ndër të tjera Shahini ka rikujtuar masat parandaluese.

  • Shkollat janë të mbyllura deri më 23 mars;
  • Mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia apo nga shkolla dhe do të krijojnë këto klasat virtuale në rrjete sociale;
  • Komunikimi me nxënësit do të bëhet përmes prindërve të tyre;
  • Udhëzimin për mësuesit dhe për punën që do ta bëjnë këto 2 javët e ardhshme do ta publikojmë së shpejti;
  • Ndërsa për udhëzimet e përgjithshme që do të keni të gjithë në vëmendje:
  • Lani duart shpesh dhe me kohëgjatësi më të madhe;
  • Evitoni ambientet me shumë njerëz;
  • Nëse ka simptoma gripale kushdo, telefononi numrin 127 në mënyrë që të merret informacion nga mjeku apo infermieri në anën tjetër të telefonit për të vijuar me çfarëdo masë që duhet të ndërmarrë secili.

Ja fjala e plotë e ministres Shahini:

Përshëndetje!

Ju ftuam sot për të bërë sot një njoftim të shkurtër mbi vendimin e Task Forcës për Koronavirusin, që të mbyllim institucionet arsimore për një periudhë 2 javore. Periudhë, e cila fillon nga sot dhe mbaron me 23 mars.

I kemi orientuar të gjithë drejtuesit e shkollave që ditën e sotme ta mbyllin me qetësi, të orientojnë nxënësit drejt detyrave të shtëpisë dhe mësimeve që duhet të bëjnë për dy javët e ardhshme dhe të mos vijnë nëpër shkolla nesër.

Ky vendim vjen edhe për institucionet e arsimit parashkollor, si dhe për institucionet e arsimit të lartë (IAL), publike dhe private. IAL-të e marrin vendimin bazuar në vendimin e Task Forcës, individualisht për institucionet e tyre.

Arsyeja e mbylljes së institucioneve arsimore është frenimi i përhapjes së virusit COVID-2019, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri.

Masa është parandaluese dhe frenuese. Nuk ka asnjë nevojë dhe asnjëarsye për panik. Po tregohemi shumë të kujdesshëm që të zvogëlojmë maksimalisht mundësinë e përhapjes së këtij virusi.Mbani mend ju lutem që fëmijët dhe të rinjtë nuk janë grupmoshë e rrezikuar nga ky virus, por mund të jenë mbartës, dhe kjo është edhe arsyeja pse kemi vendosur të pezullojmë mësimin që të parandalojmë përhapjen e virusit më tutje.

Kërkoj nga të gjithë që të vetë-përmbahen, të marrin disa masa shumë të thjeshta që kanë rezultuar se janë të mira për parandalimin e përhapjes së virusit.

Është mbajtja e distancës sociale. Pra mos takoni fizikisht njerëz më pak se 1 metër. Ajo që dimë është që virusi po përhapet përmes kontaktit dhe jo përmes ajrit, kështu që nëse evitojmë kontaktet me njerëz edhe mund të parandalojmë ndonjë infektim të mundshëm.

Nëse takojmë njerëz, është mirë t’i lajmë duart shumë shpejt pas takimit dhe larja të zgjasë rreth 20 sekonda që të kemi mundësi të heqim të gjitha bakteret dhe viruset nga duart.

Të evitojmë ambientet ku grumbullohen njerëzit dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sidomos për të rinjtë, maturantët dhe studentët, të cilët kanë dëshirë të shoqërohen edhe në grupe. Është mirë që të evitojnë kafenetë apo çfarëdo vend-takimi në grup që mund të kenë në plan ta bëjnë në këto dy javët e ardhshme.

Si MASR, shqetësimi ynë kryesor është humbja e orëve të mësimit për këto dy javë, të cilave duke iu bashkëngjitur edhe orët e mësimit tëhumbura për shkak të tërmetit, të cilat nuk janë zëvendësuar të gjitha, kam frikë se nuk do të arrijmë t’i zëvendësojmë në shkolla brenda këtij viti shkollor të gjitha orët e humbura të mësimit. Për këtë arsye, jemi duke bërë një plan për të gjithë drejtorët e shkollave, të cilët do të orientojnë mësuesit të rrinë në kontakt me prindërit dhe të japin instruksione nxënësve që të mësojnë nga shtëpia.

Fatmirësisht, rrjetet sociale nga ndihmojnë shumë, sepse të gjithë prindërit i kemi në grupe Whatsapp-i me mësuesit e fëmijëve të tyre, ku mund të komunikojnë rregullisht për instruksionet e ndryshme që mund të marrin ata, që t’i orientojnë fëmijët e tyre të punojnë nga shtëpia.

Materialet e ndryshme të disponueshme për nxënësit dhe mësuesit, siç janë libërthat dhe pyetjet për maturantët – unë besoj se ata kanë të nevojshme një ndihmë shtesë këto ditë. Librat e mësuesve, leksionet e ndryshme virtuale, do të ndahen çdo ditë nëpër rrjetet sociale me drejtorët e shkollave të cilët pastaj do t’ua transmetojnë mësuesve, dhe ata prindërve, dhe nga prindërit tek nxënësit.

Një formë e punës që po e shqyrtojmë është selfie-video, pra nëse ka pyetje që grumbullohen tek ai chati (bashkëbisedimi) me prindërit e nxënësve dhe me mësuesit, dhe ka pyetje  për një leksion të caktuar, mësuesi apo mësuesja mund të bëjë një video me përgjigjet, një video të shkurtër, që e dërgon në grup dhe pastaj shpërndahet tek nxënësit.

Kjo është një nga format e shumta, të cilat po i shqyrtojmë për t’i aplikuar që nesër. Pra, do krijojmë klasa të vogla virtuale në telefonat tonë.

Dhe kam një porosi për të gjithë nxënësit. Sidomos për ata të shkollës së mesme dhe studentët. Duhet të mësoni në shtëpi, t’i lexoni librat shkollorë, t’i bëni detyrat e shtëpisë siç jua japin instruksione mësuesit sepse është përgjegjësi e juaja, nëse po flasim për nxënësit e rritur dhe studentët, dhe përgjegjësi e prindërve nëse flasim për nxënësit më të vegjël, që në këtë fazë kur jemi dashur që të ndërmarrim një masë ekstreme për të parandaluar përhapjen e virusit, ata të mos mbeten mbrapa me mësime dhe me rezultatet mësimore.

Nesër kemi një takim virtual me ministrat e arsimit në kuadër të kryesimit të OSBE nga Shqipëria, ku do të ndajmë edhe eksperiencat e shteteve tona për adresimin e çështjeve që lidhen me një proces sa më të rregullt arsimor në këtë fazë ku nuk mund të frekuentojmë shkollat.

Si vend qëështë prekur pas 2 muajve, pasi filloi raportimi për Koronavirusin, ne si Shqipëri kemi patur mundësi të mësojmë nga përvojat e mira të vendeve të tjera.

Vendimet që merr Task Forca janë të bazuara në rekomandimet më të mira të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Dhe duke marrë që Task Forca informohet rregullisht për numrin e rasteve të paraqitura dhe numrin e rasteve të infektuara, në varësi të kësaj do të merret edhe vendimi për vijimin e mësimit pas datës 23 mars.

Ne do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me juve përmes konferencave për shtyp (sikurse kjo tani), por edhe përmes rrjeteve sociale ku do të postojmë çfarëdo lloj informacioni që mendojmë se është i mirë për juve, për qytetarët që na shikojnë, për nxënës, për prindër dhe për mësuesit.

Dua vetëm të përsëris shumë shkurt mesazhet kryesore:

  • Shkollat janë të mbyllura deri më 23 mars;
  • Mësuesit do të vazhdojnë të punojnë nga shtëpia apo nga shkolla dhe do të krijojnë këto klasat virtuale në rrjete sociale;
  • Komunikimi me nxënësit do të bëhet përmes prindërve të tyre;
  • Udhëzimin për mësuesit dhe për punën që do ta bëjnë këto 2 javët e ardhshme do ta publikojmë së shpejti;
  • Ndërsa për udhëzimet e përgjithshme që do të keni të gjithë në vëmendje:
  • Lani duart shpesh dhe me kohëgjatësi më të madhe;
  • Evitoni ambientet me shumë njerëz;
  • Nëse ka simptoma gripale kushdo, telefononi numrin 127 në mënyrë që të merret informacion nga mjeku apo infermieri në anën tjetër të telefonit për të vijuar me çfarëdo masë që duhet të ndërmarrë secili.

 

###